2 Gusht 2026

Nga Migena Aleksi

Edhe këtë herë në vend të një dialogu institucional e me dinjitet me qytetarët dhe me të pakënaqurit e partisë së tij, zoti kryeministri zgjedh sërish rrugën e përqeshjes dhe uljes së tjetrit.

Postimi i fundit i Edi Ramës për Reformën Territoriale është një tjetër demonstrim i arrogancës së “ekspertit të vetëm”. Me një rënie lapsi, ai zhvlerëson të drejtën e bashkësive vendore për të mbrojtur identitetin, historinë apo territorin e tyre.

Vendosja e vetes si autoritet absolut i logjikës është kaq patetike. Për kreun tonë të qeverimit, yë gjithë flasin nga padia ose nga emocionet.

Në vend që t’u përgjigjet shqetësimeve konkrete të qytetarëve apo përfaqësuesve lokalë, ai përdor metafora tallëse si “kalorësi se po i varen këmbët” apo “vajtorët e vajtojcat”. Banalizon historinë sikundër ka bërë në mënyrën më karagjoze të mundshme edhe herë të tjera. Përmend “2000 vjetë të fundit” apo “gojëdhënat” për të karikaturuar dhe ulur peshën e çdo pretendimi historik apo tradicional të zonave që preken nga reforma.

Reagimet e brendshme politike (si djegia e teserave apo protestat e deputetëve) trajtohen si akte qesharake të njerëzve që “s’dinë se çfarë bëjnë” ose që luajnë rolin e “tribunit të vegjëlisë”.

​Çfarë do të thotë përdorimi i një gjuhe gjysmë-popullore e gjysmë-estrade: “Bujrum gjithkush të shprehet lirisht”?  Që secili mund të “qajë hallin”, por në fund vendimi është i paracaktuar nga “mbreti”?

Edhe këtë herë në vend të një dialogu institucional e me dinjitet me qytetarët dhe me të pakënaqurit e partisë së tij, zoti Rama zgjedh sërish rrugën e përqeshjes dhe uljes së tjetrit. Për këdo që mendon ndryshe, përgjigjja është etiketa ironike, përqeshja publike, bindja se vetëm ky i i di të gjitha.

Sovranit i kërkohet të dëgjojë me durim se sa me fat është që po sundohet nga “mençuria”.

Gazeta DITA