19 Tetor 2026

Anëtari i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), Rihard Kols, ka reaguar për situatën në Shqipëri, duke kritikuar përdorimin e forcës nga policia ndaj protestuesve dhe dhunën ndaj gazetarëve.

Në reagimin e tij, Kols thekson se Shqipëria paraqitet në Bruksel si një aleate e besueshme e NATO-s dhe një nga vendet kryesuese në rrugën drejt anëtarësimit në BE, porbrenda vendit situata është e kundërta.

Ai thekson se sot, policia po përballet me studentët dhe të miturit duke përdorur plumba gome, gaz lotsjellës dhe granata trullosëse, si dhe gazetarët po dhunohen teksa kryejnë detyrën e tyre.

Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit Edi Rama, se në protestë ka ndërhyrje nga aktorë të huaj, Kols thotë se ky “justifikim” nga ana e qeverisë është fyerje ndaj të rinjve.

“Fajësimi i “ndërhyrjes së huaj” për zemërimin e të rinjve shqiptarë ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë është fyerje ndaj tyre”, thekson ai.

Rihard Kols: Shqipëria paraqitet në Bruksel si një aleate e besueshme e NATO-s dhe një nga vendet kryesuese në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Por brenda vendit, policia përballet me studentët dhe të miturit duke përdorur plumba gome, gaz lotsjellës dhe granata trullosëse. Gazetarët dhunohen teksa kryejnë detyrën e tyre.

NATO dhe BE-ja janë aleanca të demokracive. Të dyja mbështeten te shteti i së drejtës dhe respektimi i qytetarëve. Përdorimi i gazit lotsjellës kundër studentëve dhe sulmet ndaj gazetarëve dëshmojnë të kundërtën.

Vlerat provohen brenda vendit. Qeveria e Shqipërisë po dështon aktualisht në këtë provë.

Fajësimi i “ndërhyrjes së huaj” për zemërimin e të rinjve shqiptarë ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë është fyerje ndaj tyre.

Çdo rast i dhunës policore duhet të hetohet. Shqiptarët duhet të jenë ata që vendosin për të ardhmen e tyre.