Edi Rama humbet toruan dhe largohet në mes të intervistës/ Publikohet bashkëbisedimi i plotë, gazetari amerikan e pyet për korrupsionin

2 Nëntor 2026
Intervista e kryeministrit Edi Rama me gazetarin amerikan Andrew Callaghan për platformën “Channel 5” është publikuar tashmë e plotë.
Më herët ishte raportuar se biseda ishte ndërprerë papritur nga kreu i qeverisë shqiptare.
Gjatë intervistës, gazetari amerikan e ka pyetur Ramën për një sërë çështjesh të ndjeshme që lidhen me Shqipërinë, përfshirë korrupsionin, pastrimin e parave dhe trafikun e drogës.
Një prej momenteve më të tensionuara të bisedës ishte diskutimi mbi marrëdhëniet e kryeministrit me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, si dhe projektet e investimit të tij në bregdetin shqiptar.
Pyetjet e Callaghan kanë sjellë tension gjatë intervistës, e cila nuk ka përfunduar sipas parashikimit, pasi Rama ka vendosur të ndërpresë bisedën dhe të largohet.
Publikimi i videos së plotë vjen pasi lajmi për largimin e kryeministrit ishte bërë i ditur më herët, ndërsa tashmë bëhet e mundur të ndiqet e gjithë përballja dhe momenti kur intervista ndërpritet.
