‘Veliaj në burg, Balluku jashtë, Rama komandon SPAK-un’/ Bushati: – Jemi nën diktaturën e një njeriu të vetëm

Andi Bushati
2 Nëntor 2026
I ftuar në një emision televiziv, analisti Andi Bushati ka komentuar përplasjen mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt, duke deklaruar se pretendimet e kryebashkiakut për presion politik përmes SPAK-ut nxjerrin në pah kontrollin e kryeministrit mbi institucionet e drejtësisë.
Bushati solli në vëmendje trajtimin e ndryshëm të Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut, duke ngritur pikëpyetjen se përse Veliaj ndodhet në burg, ndërsa Balluku, e përfshirë në hetime për tenderat shtetërorë, vijon të jetë jashtë qelisë.
“Veliaj, si për Beqajn, si për Ahmetajn, si për shumë të tjerë, ti ke pas leje t’i marrësh. Dhe aty ku nuk lejohesh, ti nuk kërkon”, u shpreh Bushati, duke iu referuar ndikimit që Rama ushtron mbi vendimmarrjen e SPAK-ut.
Analisti u ndal edhe te takimi i pretenduar mes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, dhe Veliajt në burg, duke theksuar se SPAK duhet të hetojë nëse ministri ka zhvilluar një takim të tillë pa autorizimin dhe procedurat përkatëse.
Ai akuzoi gjithashtu SPAK-un se, në vend që të bëjë drejtësi, përdoret për njollosjen publike të personave politikë, pavarësisht krahut që preket nga hetimet.
“Edi Ramën e kemi dhe drejtor të SPAK-ut, dhe drejtor të burgut, edhe kryeministër”, deklaroi Bushati, duke e mbyllur analizën me një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj pushtetit të kryeministrit: “Ne jemi nën diktaturën e një njeriu të vetëm”.
Pjesë nga intervista:
Çdo njeri që na dëgjon që flasim thotë, ore këta e ngrejnë arsyetimin e tyre mbi atë që thotë Lal Mashtruesi? Ë? Se kjo është pyetja sot. Ne kemi një palë Erionin, një palë qeverinë, Toni Gogun, e tjerë e tjerë. Dhe për të gjetur shtegun më pranë të vërtetës, duhet të shohim çikë faktet. E mbani mend si lindi kjo histori? Erion Veliaj u ankua që po më ndërrojnë burgun. Dhe asnjë njeri s’i dilte për zot. Më në fund pas një presioni pak publik, pak kështu, çfarë thanë? Doli drejtoria e burgjeve tha, kjo është një çështje shumë sekrete.
Se për këtë po e akuzojnë tani, që ke paguar influencere. Kjo është sekret shtetëror. Pra që nga ky detaj i vogël, ne kuptojmë që edhe pse ndoshta nuk do donim, Erion Veliaj paska pas të drejtë në shqetësimin e tij. Dhe këtu nuk është çështja e të drejtës së Erion Veliajt sepse në një shtet ku policia thyen këmbët e qytetarëve, në një shtet ku i marrin syrin me plumb gome qytetarit, e drejta e Erion Veliajt për të ndërruar qeli s’është asnjë gjë.
S’jemi këtu në nivelin e të drejtave të njeriut. Të drejtat e njeriut janë ata fukarenjtë që mbyten me gaz lotsjellës, atyre që keqtrajtohen e që dhunohen. Por pse na vlen kjo histori dhe pse na vlen ajo që thotë Erion Veliaj? Jo për të mbrojtur Erion Veliajn, po për të kuptuar që ai që bën gardianin e Erion Veliajt është drejtori i burgut tonë të përgjithshëm, që është Shqipëria.
Pra, ne kemi një njeri që është dhe drejtor i burgut, dhe drejtor i SPAK-ut, dhe kryeministër, dhe bajrom, dhe të gjitha. Dhe sherri Rama – Veliaj, këtë na nxjerr në pah. E pastaj vijmë te ajo pyetja jote. Ndoshta nuk e ka thënë atë që dëgjo, po s’mu binde mua, po s’më dorëzove bashkinë, unë të dënoj 100 vjet me SPAK, pretendon Veliaj se i ka thënë. Do thuash ti, prapë gënjen Veliaj. Po unë po bëj analizën. Që Veliaj që në fund të fundit akuzohet për brekët e Ajolës dhe është në burg prej dy vjetësh, dhe Belinda që ka zhveshur brekët e shtetit është jashtë, kjo na bën të kuptojmë kush komandon SPAK-un.
Por fakti që një njeri që e akuzon që ka manipuluar tenderat shtetërorë, s’po hyj është e vërtetë apo jo. Ti e mban jashtë, se këtë s’e dorëzon Edi Rama, dhe një njeri që akuzohet se ka bërë gruaja lekë dhe e mban prej dy vitesh brenda, kjo tregon që për Veliajn, si për Beqajn, si për Ahmetajn, si për shumë të tjerë, ti ke pas leje t’i marrësh.
Dhe aty ku nuk lejohesh, ti nuk kërkon. E mori në pandehur Belinda Ballukun. Pse nuk çoi prapë kërkesë në parlament? Se nuk e donte Rama.
Do thoshte ajo goca që unë as zbukurohem, nuk i them dot me rregull treshi, del që edhe vendimet e SPAK-ut i merr Edi Rama. Pra Edi Ramën e kemi dhe drejtor të SPAK-ut, dhe drejtor të burgut, edhe kryeministër.
Pretendon SPAK-u, se po ta shohësh çfarë thotë SPAK-u se s’dua t’i hyj kësaj. SPAK-u thotë, ne besojmë që ishin te shtëpia e Belindës.
Unë besoj që SPAK-u në asnjë dosje nuk bën punë. SPAK-u për të gjithë, që nga Beleri e Berisha, e Meta, e deri te Veliaj e Balluku, ka qëllim njollosjen publike të njerëzve, jo bërjen drejtësi. Pra dhe kur e bën për njërën palë, dhe kur e bën për tjetrën, e bën kot. Se janë ca mercenarë të paaftë. Edhe kur godasin nga një anë, dhe kur godasin nga tjetra. Po ky është debat tjetër. Puna është, këta mercenarë të paaftë, a janë ashtu siç na tregon sot Erion Veliaj, siç na ka treguar Arben Ahmetaj, siç na kanë treguar të tjerët, mercenarë të Edi Ramës? Ajo që pretendon Veliaj thotë, po më shantazhon me SPAK. E the shumë mirë ti. Në qoftë se SPAK-u do ishte i pavarur, sot gjëja e parë do merrte Toni Gogun. Zotëri, të respektojmë, je ministër drejtësie. Po a mundet që një njeri që unë e mbaj në burg, edhe për ta izoluar nga takimi, nga marrëveshjet, nga manipulimi i procesit gjyqësor me të tretët, të takohet pa leje me një ministër të qeverisë?
Pra, edhe sikur Toni Gogu mos të ketë shkuar ta shantazhojë në emër të Ramës, por të ketë shkuar t’i kërkojë dill në emër të Ramës. A lejohet të shkojë pa leje, pa shënuar emrin e pa të tjerë e të tjerë? A duhet ta hetojë këtë gjë SPAK-u? Ne duhet të kuptojmë, edhe përmes kësaj historie, si përmes dhjetëra të tjerave, që ne jemi nën diktaturën e një njeriu të vetëm. Sot po e pëson Erion Veliaj, dje e ka pësuar Arben Ahmetaj, por thelbi është i njëjtë. Këtë kemi kryeministër, këtë kemi baron, këtë kemi drejtor burgu.
