SKANDAL/ “ZEPA” hodhi në treg 9948 litra “qumësht toksik”. AKU gjobit subjektin

21 Nentor 2025
Kompania “ZEPA” ka hedhur në treg qumësht lope dhe dhie me aflatoksinë mbi normën e lejuar.
Konsumimi i qumështit me aflatoksinë ka pasoja të rënda në shëndetin e njeriut. Sipas OBSH-së aflatoksinë është kancerogjene e grupit 1, rrit rrezikun për probleme në mëlçi dhe veshka, njëkohësisht mund të dëmtojë rritjen dhe zhvillimin tek fëmijët.
Burime të sigurta të “Ora investigim” konfirmuan skandalin, dhe pas kërkesës tonë për informacion, AKU pranoi zyrtarisht se ndotja është gjetur në:
– Qumësht lope UHT 0.5% yndyrë, me skadencë 04.02.2026
– Qumësht dhie UHT 3.2% yndyrë, me skadencë 02.02.2026
Sasia e prodhuar e qumështit me aflatoksinë dhe e hedhur në treg nga “ZEPA” është7741 litra qumësht lope dhe 2207 litra qumësht dhie.
Në total qytetarëve i është shitur 7550 litra qumësht me aflatoksinë dhe AKU ka arritur të largojë nga tregu dhe të bllokojë vetëm 2498 litra, një përqindje e ulët për një rrezik kaq të madh.
Sasia me e madhe e qumështit që i ka rrezikuar jetën konsumatorit, është tregtuar në qytetet më të mëdha të vendit.
Sipas AKU produkti është tregtuar në Tiranë, Durrës, Lezhë, Fier, Berat, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Vlorë dhe Shkodër.
AKU e ka gjobitur subjektin “ZEPA” në vlerën 300.000 lekë dhe i ka lënë detyrë të asgjësojë 2498 litra qumësht që është tërhequr nga supermarketet dhe më pas është bllokuar.
Nga Alketa Çeku, OraNews
