Atentati ndaj Altin Dumanit/ Ministrja e Brendshme konfirmon rritjen e masave të sigurisë , për ish-kreun e SPAK

Altin Dumani
21 Shkurt 2026
Nga: Gazeta Sot
Rriten masat e sigurisë për ish-kreun e SPAK, Altin Dumani, pas zbulimit të një plani të strukturuar për eliminimin e tij fizik. Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka mohuar dje lajmet e fundit që u raportuan në media se Garda e Republikës nuk ka zbatuar vendimin e KLP për shtimin e masave mbrojtëse, duke konfirmuar se janë shtuar dy truproja për prokurorin special. Në një deklaratë publike, Koçiu theksoi se vendimi i KLP është zbatuar plotësisht dhe se përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme ka qenë pjesë e procesit të vendimmarrjes.
“KLP ka marrë vendim dhe në momentin që merr vendim ka edhe një anëtar përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme në nivelin e zv/ministrit. Jemi vënë në dijeni, kemi qenë pjesë e vendimmarrjes. Nga ana tjetër, Garda e Republikës ka zbatuar këtë vendim duke e shtuar në organikën e saj edhe dy truproja të tjera për Dumanin në nivelin e prokurorit të SPAK. Garda e Republikës ka marrë të gjitha masat dhe ka miratuar shtimin e dy punonjësve”, deklaroi ministrja.
Kërkesa për rritjen e sigurisë është bërë nga kreu aktual i SPAK, Klodian Braho, në kuadër të presionit në rritje ndaj Dumanit, për shkak të hetimeve të rëndësishme që ai ka firmosur gjatë kohës që drejtonte Prokurorinë e Posaçme.
