20 Tetor 2026

Teksa ndodhet në panik të plotë përballë protestave masive që po i tundin themelet e pushtetit, kryeministri Edi Rama ka nxjerrë kartën e fundit të mbijetesës: blerjen e besnikërisë së policisë, të cilën prej disa ditësh e ka nxjerrë në terren, duke e urdhëruar të ushtorjë terror në gjithë Tiranën.

Kryeministri Rama deklaroi dje publikisht se çdo efektiv në linjën e parë të përplasjes me protestuesit do të shpërblehet me një bonus prej 2500 eurosh, krahas premtimeve për rritje pagash në vitin 2027. Ky veprim i dëshpëruar shihet qartë si një pagesë direkte për të ushqyer dhunën e efektivëve të polcisë, të cilët tashmë janë kthyer në “mercenarë” të pushtetit, ndaj qytetarëve që kërkojnë të drejtat e tyre në sheshe.

Ndërsa shteti po zhytet në krizë dhe pakënaqësia vlon në çdo cep, Rama zgjedh të armatosë financiarisht trupat e rendit për të mbrojtur pushtetin e tij të tronditur. Kjo lëvizje është qartazi një manovër e dëshpëruar në një kohë kur prej një jave Tirana dhe të gjitha qytetet e Shqipërisë buçasin nga revolta popullore e nisur nga studentët, të cilët protestojnë me guxim kundër qeverisë, korrupsionit galopant, krimit, varfërisë dhe kushteve skandaloze në arsim e shëndetësi. “Jua ka thënë, e ka thënë edhe publikisht, që ne do ta rrisim në mënyrë të konsiderueshme pagën tuaj. Sepse, për hir të së vërtetës, duhet thënë se në krye të herës, kur Policinë e gjetëm të tradhtuar dhe të braktisur, me disa këtu që shtynin makinat sepse u mbaronte karburanti në rrugë, bëmë një rritje të konsiderueshme atëherë për t’i thënë Policisë që ju jeni themeli i shtetit.

Por, në vite, e vërteta është që nuk e kemi rritur aq sa duhet pagën tuaj dhe për këtë arsye po bisedonim përpara disa javësh. Kështu që, me buxhetin e ri, nga 1 janari, paga juaj do të rritet në mënyrë të konsiderueshme. Por, nga ana tjetër, për të gjithë rezistencën, për të gjithë sakrificën, për të gjithë kurajën dhe, mbi të gjitha, për dinjitetin me të cilin ju po u dilni përballë jo vetëm këtyre, por edhe atyre që nëpër ekrane masakrojnë Policinë e Shtetit, nëpër ekrane fajësojnë Policinë e Shtetit, nëpër ekrane kërkojnë që Policia e Shtetit të dorëzohet, ne do t’ju vëmë menjëherë në dispozicion një shumë prej 2500 eurosh për çdo efektiv që është në këtë front.

Sepse keni jo vetëm presion, por keni edhe nevojë për të shpenzuar në këtë moment për gjëra ekstra dhe e vendosëm kështu për të mos bërë asnjë diferencë. Nuk e vendosëm sipas pagës, por e vendosëm kështu. E njëjta shumë për të gjithë, sepse në këtë moment jeni të gjithë një dhe një për të gjithë”, deklaroi dje kryeministri Edi Rama hjatë një konference me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo dhe me praninë e drejtuesve të Policisë së Shtetit.

Ndërkohë qeveria ka miratuar vendimin për shpërblimin e 2750 efektivëve të Policisë së Shtetit, vetëm pak orë pasi kryeministri Edi Rama u premtoi 2500 euro atyre që u angazhuan në vijën e parë gjatë protestave në Tiranë. Vendimi, i cili hyn në fuqi menjëherë, parashikon një shpërblim prej 269 120 lekësh për çdo punonjës përfitues, me një faturë totale prej 740 080 000 lekësh, që do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2026.

Edi Rama: Ata mësues që nxisin nxënësit të dëmtojnë shkollat, nuk kanë për ta parë më derën e shkollës 

Më tej kryeministri Edi Rama kërcënoi se mësuesit që nxisin nxënësit të marrin pjesë në akte dhune dhe të dëmtojnë shkollat nuk do të punojnë më në arsim apo në institucione shtetërore. Rama iu referua një rasti në Lezhë, ku sipas tij, mësuesit kanë nxitur nxënësit të thyejnë xhamat e shkollës. “Po këto të gjitha nuk hyjnë në lupën e lavatriçeve të parave të zeza në media dhe as në gropat e zeza ku fshihen të ardhurat e shqiptarëve, evazion fiskal me miliona e miliona euro, sepse ato janë aty për ta sjellë ditën e gurit dhe të hurit, me gjithfarë shpifjesh dhe me një tam-tam të përditshëm, të përditshëm e të përditshëm, duke i rrokur kokën të gjithë dynjasë për t’i thënë që çdo pakënaqësi që ju krijohet vjen nga ata atje që po ju vjedhin të gjitha çdo ditë.

Mësues, mësues që marrin nxënësit dhe i nxjerrin nga shkolla dhe u thonë: “Bini xhamave të shkollës”, siç ndodhi në Lezhë. Ajo mësuese dhe ata mësues nuk kanë për ta parë më derën e shkollës dhe nuk do të marrin më asnjë lloj roli si punonjës të shtetit, kurrë më në shtet. Si mundet një mësues t’i thotë nxënësit të thyejë xhamin e shkollës? Çfarë është kjo lëvizje për ta bërë Shqipërinë më të mirë, më europiane, më demokratike, më njerëzore?”, u shpreh Rama.

Protestat/ Rama: Familjet e të miturve që dhunojnë do paguajnë dëmet! Studentët që sulmojnë policët s’do kenë arsim falas e bursa

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama kërcënoi se familjet e të miturve që marrin pjesë në aktet e dhunës gjatë protestave do të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara, nëse nuk marrin përgjegjësinë për fëmijët e tyre. Rama tha se edhe studentët që lënë shkollën për të sulmuar efektivët e Policisë do të përballen me pasoja administrative, duke paralajmëruar se nuk do të përfitojnë më arsim falas, bursa apo mbështetje financiare nga shteti. “Kush i është vënë në dispozicion këtij plani ogurzi, do të paguajë. U them të gjitha familjeve të atyre të miturve: Do të paguani në rast se nuk do të mbani përgjegjësinë tuaj për ata fëmijë, në rast se nuk dini ju t’i mbroni fëmijët tuaj dhe i lini rrugëve, nga 15, 14, 13 apo 16 vjeç, që të marrin rolin e mburojës së atyre të tjerëve që janë mbrapa. Atëherë, fatura financiare për të gjitha këto dëme do t’ju përndjekë deri në fund.

U them të gjithë atyre të tjerëve që ikin nga shkolla për të dhunuar Policinë, që nuk do të kthehen në shkollë normalisht, pa pasoja administrative për këtë. Nuk do të kenë arsim falas. Ata studentë që dalin dhe dhunojnë Policinë e Shtetit nuk do të kenë bursa, nuk do të kenë mbështetje financiare nga shteti.

Nëse duan të vazhdojnë universitetin, pasi kanë hedhur gurë ndaj prindërve të fëmijëve të tjerë të Shqipërisë, që janë fëmijët e efektivëve të Policisë apo që janë fëmijët e kujtdo që është në anën e shtetit, asnjë kokërr leku nuk do të marrin ata nga taksat e shqiptarëve, për asgjë. Sepse me taksat e shqiptarëve do të riparojmë trotuaret, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë semaforët, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë kamerat që ata shkatërruan, tabelat, stolat. Me taksat e shqiptarëve do të zëvendësojmë pemët.

Nuk do të paguajmë nga taksat e shqiptarëve për ca djem dhe vajza që kujtojnë se u bë deti kos për Antifa-n dhe për gjithë çfarëdolloj delirantësh. Edhe për gropën e madhe të fshehjes së të ardhurave të shtetit, Nes24, pronari i së cilës duhet të jetë përpara drejtësisë dhe për të cilin janë kapicë dosjet për evazion fiskal me miliona e miliona euro, dhe të cilit Prokuroria e Tiranës i ka dhënë imunitet, apo për lavatriçen e parave të zeza, Syri-n, burimet e propagandës më të shëmtuar kundër Policisë së Shtetit.

Si do t’i dorëzohet shteti, si do t’i dorëzohet qeveria, si do t’i dorëzohet Parlamenti, si do t’i dorëzohet Shqipëria këtij vulgariteti, kësaj të keqeje, këtyre që qajnë për studentët, këtyre që duan arsim më të financuar dhe që të tërë… Më saktë, ndjesë për futjen e të gjithëve në një thes, se s’janë të gjithë në një thes, por shumica e tyre marrin paratë nën dorë, grabisin pensionet, nuk deklarojnë të ardhurat, sepse janë të ardhura nga paratë e zeza për të bërë analiza dhe deklarojnë sikur janë punonjës në fason, dhe pastaj u qajnë hallin punonjësve në fason. Ju qajnë hallin pensionistëve, duan më shumë për pensionistët dhe nuk kanë zemër që të kontribuojnë të paktën me tatimin mbi pagën e tyre të vërtetë në të zezë”, nënvizoi Rama.