20 Tetor 2026
Letër publike ambasadorit amerikan.

Kryetari i Këshillit Atlantik të Shqipërisë, Arian Starova, i ka drejtuar një letër publike ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, David J. Wendt, përmes së cilës kërkon një rol më aktiv diplomatik të Uashingtonit për të ndihmuar Shqipërinë të kapërcejë situatën e tensionuar politike.

Në letrën e tij, Starova shpreh shqetësimin për zhvillimet e fundit në vend, ku prej ditësh vijojnë protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, me të rinjtë në krye të tyre.

Ai paralajmëron se situata mund të përshkallëzohet deri në përplasje civile, duke rrezikuar edhe sigurinë e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

Duke iu drejtuar ambasadorit amerikan, Starova kujton mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për shqiptarët në momente kyçe të historisë dhe kërkon angazhim më të drejtpërdrejtë diplomatik për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm.

Letra Publike e Arian Starovës (Këshilli Atlantik i Shqipërisë):

I nderuar Ambasador Wendt!

Duke respektuar plotësisht statusin tuaj zyrtar diplomatik, më lejoni t’ju tërheq vëmendjen mbi disa çështje shumë të ndjeshme me të cilat po përballet vendi im në këto çaste.

Para së gjithash, do të doja të kujtoja se vendi që ju përfaqësoni në Tiranë, SHBA-ja e bekuar nga Zoti për ne shqiptarët kudo që jemi, ka qenë Shpëtimtari i Madh për ne të paktën tri herë gjatë historisë sonë të afërt: në 1912 (Pavarësia e Shqipërisë), në 1991 (përmbysja e regjimit komunist) dhe në 1999 (çlirimi i Kosovës).

Këto ditë, shqiptarët janë ngritur në revoltë kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, me Rininë Shqiptare në ballë.

Duke marrë parasysh prioritetet e Administratës Trump kundër narko-aktiviteteve, korrupsionit qeveritar dhe regjimeve diktatoriale neo-komuniste siç është ai aktual shqiptar, do t’ju kërkoja me shumë përunjësi një rol më aktiv tuajin për të ndihmuar Shqipërinë që ta kapërcejë këtë situatë shumë të rrezikshme, e cila mund të rrëshqasë edhe drejt përplasjeve civile, ose më keq (duke dëmtuar sigurinë tonë si vend aleat i NATO-s).

Argumentet janë tashmë aty dhe nuk ka nevojë t’u drejtohemi atyre, pasi vendi juaj i njeh shumë më mirë se unë. Duke e marrë si të mirëqenë mirëkuptimin tuaj për këtë kërkesë publike,

Arian Starova

President i Këshillit Atlantik të Shqipërisë.