Reuters: – Hetimi për korrupsionin në zemër të qeverisë së Shqipërisë! Rama dhe prokuroria e Posaçme marrëdhënie të tensionuara

Edi Rama
19 Shkurt 2026
Agjencia e lajmeve “Reuters” i ka kushtuar një artikull situatës politike ku ndodhet Shqipëria, duke u ndalur tek protestat e opozitës, që siç shkruhet janë përshkallëzuar pas akuzave të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për Belinda Ballukun.
“Tensionet janë rritur që prej dhjetorit, kur Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ngriti akuza ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, nën dyshimet për ndërhyrje në dhënien e dy kontratave ndërtimi në vitin 2021 me vlerë mbi 200 milionë euro”, shkruan Reuters, duke theksuar “kriza, e thelluar nga një sërë skandalesh korrupsioni gjatë vitit të kaluar, përbën një sfidë serioze për kryeministrin Edi Rama, i cili drejton vendin që prej vitit 2013 dhe fitoi mandatin e katërt vitin e kaluar”.
Sipas Reuters, situata mund të komplikojë gjithashtu planin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030. “Shqipëria duhet ta kuptojë se për t’u bërë anëtare e BE-së, respektimi i shtetit të së drejtës është parakusht,” tha për Reuters Andi Hoxhaj, ekspert i Ballkanit në King’s College London. “Kjo duhet të merret seriozisht, përndryshe nuk do të duket mirë në sytë e BE-së.”
Në një reagim për Reuters, zëdhënësja e Ramës, Manjola Hasa, mbrojti bilancin e qeverisë. “Shqipëria e meriton të anëtarësohet (në BE) për shumë arsye dhe lufta kundër korrupsionit pa asnjë hezitim është një prej tyre,” u shpreh ajo.
Hetimi përqendrohet në dy tendera të vitit 2021, një për ndërtimin e një tuneli rrugor dhe një tjetër për një segment të Unazës së Madhe të Tiranës. Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës në atë kohë, akuzohet se ka favorizuar kompani të caktuara. SPAK pretendon se ajo ka “paracaktuar fituesin” dhe ka krijuar “avantazhe dhe privilegje të padrejta”, shkruan Reuters.
Balluku është pezulluar nga detyra me vendim të gjykatës antikorrupsion.
Ndërkohë, marrëdhëniet mes kryeministrit Rama dhe SPAK kanë qenë të tensionuara. Prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit të Ballukut për masë paraburgimi, por Rama e ka kundërshtuar këtë hap, duke e akuzuar SPAK-un për tejkalim kompetencash. Ai u ka thënë deputetëve se ka refuzuar tre herë dorëheqjen e ofruar nga Balluku.
“Nuk ka dorëheqje nën presionin e një pushteti që ka dalë jashtë territorit të vet,” deklaroi Rama në parlament.
Po atë ditë, ai paralajmëroi ndryshime ligjore për të mbrojtur ministrat nga pezullimi gjatë hetimeve penale, një lëvizje që opozita e ka cilësuar si përpjekje për të mbrojtur veten dhe aleatët e tij.
Reagimi nga Bashkimi Evropian nuk ka munguar. Zyra e BE-së në Tiranë deklaroi për Reuters se “retorika që mbjell mosbesim publik ndaj gjyqësorit dhe pavarësisë, paanshmërisë dhe integritetit të sistemeve gjyqësore dhe prokuroriale është kundërproduktive”, duke theksuar se “lufta efektive kundër korrupsionit është me rëndësi parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”.
