Draftraporti i eurodeputetit austriak për Shqipërinë: Të sigurohet pavarësia e gjyqësorit!

Parlamenti Evropian
19 Shkurt 2026
Gazeta Panorama ka siguruar draft raportin e eurodeputetit austriak për Shqipërinë, Andreas Schieder. Në projekt rezolutë ndër të tjera theksohet se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz.
Në pjesën e raportit që i kushtohet shtetit të së drejtës, gjyqësorit dhe antikorrupsionit, Schieder mirëpret vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi, veçanërisht procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas tij, ky proces ka ndikuar në rritjen e llogaridhënies dhe integritetit në sistemin gjyqësor.
Megjithatë, raporti evidenton probleme të vazhdueshme që lidhen me efikasitetin e gjykatave, stokun e çështjeve të prapambetura, mungesën e unifikimit të praktikës gjyqësore dhe përpjekjet për ndikim të padrejtë mbi sistemin e drejtësisë.
“Bëjmë thirrje për forcim të mëtejshëm të organeve të qeverisjes gjyqësore, duke siguruar pavarësinë, transparencën dhe kapacitetin e tyre profesional si dhe investimet e qëndrueshme në infrastrukturën e gjykatave dhe dixhitalizimin”, thuhet në raport.
Raporti nënvizon se lufta kundër korrupsionit në të gjitha nivelet është thelbësore për të rritur besimin e qytetarëve tek institucionet shtetërore dhe për të garantuar një mjedis të parashikueshëm për biznesin.
“Korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe se, pavarësisht përparimit në kuadrin ligjor dhe institucional, Shqipëria duhet të konsolidojë më tej historikun e saj të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Korrupsioni duhet të adresohet në të gjitha nivelet për të forcuar besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore dhe për të lejuar një mjedis biznesi të përshtatshëm”, thuhet ne raport.
Po ashtu raporti thekson rëndësinë e luftës efektiv të krimit të organizuar, duke përfshirë rrjetet e pastrimit të parave dhe trafikimit të drogës, dhe bën thirrje për bashkëpunim të intensifikuar me agjencitë e BE-së, të tilla si Europol dhe Eurojust.
