– Shqipëria rrit të rinjtë për emigracion

Ish kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar sot një në një takim virtual me  shqiptarët e Diasporës ku ka folur rreth gjendjes aktuale në vend. Situata e vendit sipas Berishës është skandaloze, ndërsa tha se kemi një komb i cili po përgatit të rinjtë për të emigruar.

Berisha komentoi dhe idenë e qeverisë për legalizimin e kanabisit për arsye mjekësore, ndërsa t ha se kush legalizon kanabisin, legalizon krimin.

“Nga viti 2013 në të cilën një maxhorancë kishte gjithsej 48% të pushtetit në Shqipëri, në vitin 2020, maxhoranca arrin të ketë 91% të pushtetit në Shqipëri. Të ketë më shumë se sa kishte Partia e Punës në vitin 1991. Kombi sot, është shndërruar në një komb që rrit fëmijë për emigracion në një kohë kur ju e dini mirë potencialet e jashtëzakonshme që ka Shqipëria si rrallë ndonjë vend tjetër. Nuk dua të bëj një analizë të hollësishme, por vetëm në diskursin e këtyre javëve në Shqipëri. Cili është ky diskurs, legalizimi i drogës dhe amnistia fiskale për paratë e drogës. Unë e di se edhe në vende të tjera, ka debat për legalizimin e drogës. Dhe ndoshta edhe votoj, por nga eksperienca shqiptare, ju them me bindjen më të plotë së pari, droga është krim, krim dhe vetëm krim. Cilido vend që legalizon drogën, legalizon krimin që sjell ajo.”- tha Berisha.