-Sipas besimeve mitologjike, muaji mars ka dy gra: një të bukur dhe tjetrën të shëmtuar të cilat personifikojnë ndryshimet e kohës gjatë këtij muaji.

Me gjithë faktin se është pagëzuar sipas emrit të hyjit gjakpirës romak të luftës, Mars, muaji mars në praktikë është muaj i ndryshimeve dhe i kthesave të mëdha pozitive që nga kohët më të lashta, shkruan Naser Ferri.

Sipas besimeve mitologjike, muaji mars ka dy gra: një të bukur dhe tjetrën të shëmtuar të cilat personifikojnë ndryshimet e kohës gjatë këtij muaji. Në kalendarin më të lashtë romak, viti fillonte më 1 mars.

Gjatë kohës, 1 marsi i kalendarit gregorian apo 14 marsi, sipas kalendarit julian, u bë “ditë e verës”, ndërsa 21 marsi në kalendarin sufik islam është Dita e Nevruzit dhe më 25 mars shënohen “Dita e Zojës”, “Vangjelizmoi”,”Dita e këmborëve” dhe “Bllagovesti”. Po ashtu në fund të marsit janë edhe “plakat” apo “shkundadimni”.

Të gjitha këto, si dhe festat e tjera pranverore personifikojnë ringjalljen e natyrës, fillimin e cikleve të reja në natyrë dhe në të kaluarën edhe gëzimin e madh të njeriut që kishte shpëtuar nga dimri i vështirë dhe kishte filluar një vit të ri./Kohanet