14 Tetor 2026

Nga: Gazeta Sot

Ndonëse kanë kaluar disa ditë nga operacioni i bujshëm i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kundër aferës në SHISH, të tjera detaje rrëqethëse kanë dalë në dritë për skandalin që ka tronditur themelet e shtetit shqiptar. Mësohet se ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, ndaj së cilës Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka caktuar masën “arrest në shtëpi”, kishte ngritur një rrjet të mirëfilltë përgjimi të paligjshëm. Përveç bashkëpunimit me grupet e strukturuara kriminale, veçanërisht ndaj bandë së Ergys Agasit dhe rrjedhjes së informacioneve sekrete, zonja Hyseni kishte vendosur nën përgjim diplomatë amerikanë dhe evropianë në Tiranë.

Pjesë e këtij operacioni të zi shantazhi ranë edhe prokurorët e SPAK-ut bashkë me anëtarët e familjeve të tyre. Mësohet se qëllimi i vetëm i këtij spiunazhi të egër ishte grumbullimi i materialeve komprometuese për t’i përdorur si armë shantazhi në rast se Hysenit do t’i rrezikohej karrigia e kryeshefes. Të gjitha këto informacione sekrete, të marra në shkelje flagrante të ligjit, ish-drejtuesja e SHISH-it ia kishte kaluar drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama. Fakti që kreu i qeverisë u vu në dijeni për përgjime të paligjshme provon qartë se SHISH ishte vënë në shërbim të një grupi të strukturuar kriminal në majat e pushtetit.

Përgjimi i përfaqësuesve diplomatikë të aleatëve tanë strategjikë përbën një goditje fatale për sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Por më e rëndë akoma, është fakti se ka dyshime se ish-kryespiunia Hyseni ka ndarë këto të dhënave konfidenciale me shërbime anti-shqiptare, veprim ky që përbën një akt të hapur tradhtie ndaj sovranitetit të vendit. Kjo tregon se SPAK tashmë ka në duar prova tronditëse që zbardhin se si inteligjenca shtetërore u përdor si pazar i zi për mbrojtje personale dhe pushtet politike.

Pra ky skandal i paprecedentë zhvesh plotësisht tentativat e kontrollit mafioz mbi organet e reja të drejtësisë. drejtësia ndodhet sot përpara sprovës më të madhe historike për të çmontuar plotësisht këtë celulë të paligjshme spiunazhi, ndërkohë që opinioni publik dhe partnerët ndërkombëtarë presin me të drejtë që çdo i përfshirë në këtë pazar antikombëtar të marrë ndëshkimin më të rreptë ligjor.

Pazaret e spiunazhit

Për më tepër, të tilla detaje tronditëse rreth përgjimit të prokurorëve të SPAK-ut dhe familjarëve të tyre u konfirmuan zyrtarisht edhe gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të mbajtur disa ditë më të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Gjatë atyre 90 minutave të tensionuara në Pallatin e Brigadave, kreu i SPAK-ut, Klodjan Braho, u përball direkt me kryeministrin Edi Rama, duke mbrojtur vendimin për vendosjen e Vlora Hysenit në “arrest shtëpie”. Braho deklaroi hapur para të pranishmëve se SHISH kishte shkuar deri aty sa të angazhohej në përgjime të paligjshme ndaj familjarëve të afërm të dy prokurorëve specialë.

Sipas kreut të SPAK-ut, ky operacion i paligjshëm spiunazhi synonte t’u bënte presion të drejtpërdrejtë prokurorëve që po hetojnë dosjen e abuzimeve në AKSHI, ku është i përfshirë biznesmeni Ergys Agasi. Kryeprokurori këmbënguli se masa e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës ishte plotësisht e nevojshme për shkak të implikimit të saj të fortë me këtë grup kriminal. Kjo deklaratë bombë e kreut të SPAK-ut i la të pranishmit pa fjalë, duke i bërë të shihnin njëri-tjetrin në sy përpara përmasave të këtij skandali.

Në këtë mënyrë, i gjithë ky zhvillim tregoi edhe një herë se sa thellë janë përlyer institucionet më të larta të shtetit në shërbim të krimit të organizuar. Ndërkohë, hetuesit dyshojnë se Hyseni ka vënë në dispozicion të biznesmenit Ergys Agasi informacione të siguruara për shkak të pozicionit të saj në krye të SHISH-it, të cilat nuk ishin të destinuara për t’u bërë publike. Gjithashtu, dyshohet se ish-drejtuesja e SHISH-it i ka dhënë Agasit informacione personale që lidheshin drejtpërdrejt me të gjatë periudhës kur ishte në kërkim, por edhe të dhëna dhe dokumente për persona të tjerë, të cilat ajo dyshohet se i kishte siguruar falë funksionit që mbante.

Kësisoj këto fakte tronditëse provojnë se si SHISH, nën drejtimin e Vlora Hysenit, u shndërrua nga një gardian i sigurisë kombëtare në një instrument të paligjshëm përgjimi kundër diplomatëve perëndimorë dhe prokurorëve të SPAK-ut. Një pazar i zi informacionesh sekrete që u ndanë pa hezitim me kryeministrin dhe shërbimet anti-shqiptare, duke shënuar kështu aktin më të rëndë të tradhtisë institucionale në historinë e shtetit.

Çfarë ka nodhur?

Ndërkohë, kujtojmë se përballë provave dërrmuese të mbledhura nga hetimet, Gjykata e Posaçme caktoi disa ditë më parë masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-drejtuesen e SHISH-it, Vlora Hyseni. Urdhri i SPAK-ut u ekzekutua menjëherë nga forcat e policisë, duke e izoluar atë në banesë nën monitorim të rreptë ligjor. Mbi ish-zyrtaren e lartë rëndojnë akuza të rënda për shpërdorim detyre, nxjerrje të sekretit shtetëror dhe bashkëpunim me grupe të strukturuara kriminale.

Hetimet zbardhin se Hyseni jo vetëm u vuri në dispozicion elementëve të krimit dokumente sekrete, por organizoi edhe përgjime të paligjshme ndaj diplomatëve perëndimorë dhe prokurorëve specialë. Kjo veprimtari e errët spiunazhi, e vendosur në shërbim të pushtetit dhe biznesit të lidhur me krimin, përbën goditjen më të rëndë ndaj sigurisë kombëtare. Tashmë dosja e Hysenit mbetet sprova më e madhe e SPAK-ut për të provuar se asnjë mburojë politike nuk mund t’i shpëtojë ndëshkimit ligjor.