A e dobësoi Enver Hoxha pozicionin e Shqipërisë në përplasjen me Greqinë në Konferencën e Paqes në Paris në 1946 ? Kristo Frashëri, historiani i madh shqiptar, pak para se të vdiste, shkroi një vepër kushtuar kësaj konference, që pati rol përcaktues në konfirmimin e kufijve ekzistues të Shqipërisë.

Ai thotë se Enver Hoxha nuk pati ndonjë rol përcaktues në vendimet e saj, që Shqipëria të  merrte dëmshpërblim nga Italia, pa mundësuar, megjithatë, që vendi ynë të konsiderohej si Fuqi Shoqe, që kishte luftuar pushtuesit.

Ky qëndrim, së bashku me diferencimin e SHBA-së si vend i cili ishte në favor të integritetit territorial të vendit, ndryshe nga Anglia progreke, është një përparim në raport me qëndrimet, librat e tij, por dhe të gjithë historiografisë komuniste.

Por ka shumë argumente për të thënë se Enver Hoxha e dobësoi pozicionin e Shqipërisë.

1- Enver Hoxha nuk konsideroi si argument thelbësor rezistencën e udhëhequr nga Ahmet Zogu në 7 prill 1939.

Enver Hoxha nuk deshi të lavdëronte paraardhësin e tij si hero i rezistencës, sepse, përndryshe, i binte të ndante pushtetin me mbështetësit e tij, apo dhe me të, pavarësisht referendumit për formën e regjimit në 11 janar.

Me fjalë të tjera, duke llogaritur interesin e vet të ngushtë personal, Enver Hoxha nuk e përmendi fare paraardhësin e vet, Ahmet Zogu, në kundërvënien ndaj pushtimit italian.

2- Enver Hoxha nuk e quajti rezistencën e 7 prillit si diçka të organizuar në mënyrë shtetërore, të udhëhequr nga mbreti Zog, por e quajti si diçka spontane, popullore të 13 mijë vullnetarëve (!!!), siç thotë ai në fjalimin që po ju përcjellim pjesërisht në dosierin kushtuar Konferencës së paqes në Paris.

3– Enver Hoxha e kishte përfshirë Abaz Kupin, një ushtarak të lartë të mbretërisë, në Shtabin e përgjithshëm të Luftës në 10 korrik 1943, e kishte thirrur atë në Konferencën e Pezës, etj., etj., pikërisht për rolin e tij në rezistencën ndaj italianëve, por kjo nuk i mjaftonte. Abazi i njohur botërisht për këtë rezistencë, e kishte bërë vetë luftën, si vullnetar, sipas Enver Hoxhës.

Mujo Ulqinaku, nënoficer i mbretërisë, ishte hero i rezistencës. Por dhe ai kishte luftuar vetë si vullnetar sipas propagandës së regjimit komunist.

Kuptohet se për qëllime propagandistike të brendshme, Ahmeti duhej pikturuar si dikush që iku, që nuk mbathi opingat dhe nuk luftoi me armë në dorë, megjithëse ai dinte të luftonte (në Luftën për pavarësi, në Luftën e Parë Botërore, në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës, në rrëzimin e qeverisë së Nolit, etj.). Por për të mbrojtur Shqipërinë në debatin që do përcaktonte fatin e Shqipërisë së Jugut, Enver Hoxha nuk e përmendi Zogun as si dezertor..  Vijon