“Shteti i kapur, prova është Aruba”- Lubonja: Në vend të arrestojnë Ramën për korrupsionin, ndalojnë protestuesit pse hodhën vezë! Balla provokoi

fatos lubonja
2 Korrik 2026
Analisti Fatos Lubonja komentoi protestën e qytetarëve dhe aktivistëve sot para parlamentit, ku Policia ushtroi dhunë me gaz lotsjellës, spraj me piper dhe topa uji, duke shoqëruar edhe të paktën 20 prej tyre me forcë.
Ai e dënoi këtë dhunë policore dhe shtetërore, duke bërë përgjegjëse qeverinë, teksa vuri në dukje standardin që po ndiqet, ku qytetarët arrestohen pse hedhin vezë, kurse kryeministri dhe qeveritarët nuk pësojnë asgjë edhe pse akuzohen për korrupsion.
“Shtet i kapur nga krimi, prova është dosja “Aruba”. Një shtet që drejtohet nga kriminelë. Protestat kanë kërkuar një revolucion paqësor dhe protestuesit qëlluan vetëm me vezë dhe hajde se mund t’i procedosh por jo t’i tërheqësh zvarrë. Por pse nuk vepron policia dhe drejtësia ndaj atyre që grabisin pronat, pse nuk vepron drejtësia ndaj Edi Ramës që e tha vetë se jam unë kumbari. Pse nuk i arrestojnë. A mos populli do zemërohet aq shumë sa nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Apo me indiferencën e tyre do e qetësojnë dhe do vazhdojnë të vjedhin dhe të grabisin, këtë nuk e dimë, do ta shohim”, tha ai mes të tjerash në fjalën e tij, teksa ishte i ftuar në një lidhje direkte me News24.
Ai akuzoi edhe kryeministrin Edi Rama për gjuhën denigruese që ka përdorur ndaj protestuesve, madje ku ‘viktimë’ e këtij sulmi ka qenë edhe vetë analisti.
“Rama ka përdorur një gjuhë dhune, një gjuhë denigrimi, edhe ndaj meje e ka përdorur, një gjuhë shumë të poshtër ndaj protestuesve në shesh. Kuptohet që qeveria ka një mllef të madh që ta shkarkojë ndaj protestuesve dhe mezi pret që të hidhen disa vezë që të vërshojnë drejt protestuesve. Në një demokraci policia ka detyrë të mbrojë qytetarët nga kriminelët”.
Analisti u pyet edhe për deklaratën e kreut të grupit të PS, Taulant Balla, që i cilësoi protestuesit si “mbetje sociale”, teksa e cilësoi një provokim dhe nxitës të revoltës.
Ai i kujtoi dosjen “Toyota Yaris” deputetit socialist, për të cilën duhet të jepte llogari si dhe lidhjet me krimin.
“Është ai që ka nxitur Policinë, pas deklaratës së Ballës erdhi reagimi i Policisë. Është Balla që nxiti Policinë, një deputet i një partie nuk mund të jetë i fortë se e njohin të gjithë, bashkëpunimin me krimin e dinë të gjithë, vjedhjen e zgjedhjeve në Elbasan, ka qenë edhe ministër i Brendshëm. Këta policinë e kanë të tyre, ndaj edhe flet kështu. Ai flet për një pakicë, por aty në shesh është një shumicë e madhe, një masë e madhe, ka gra e fëmijë, ka qytetarë që kanë dalë aty në shesh. Ata kanë përdorur fjalë e fyerje ndaj protestuesve, edhe ndaj meje i kanë përdorur, nuk e di për ka e ka fjalën por zgjedhin ca kokrra dhe i sulmojnë. Por në Shqipëri janë të pakënaqur një masë e madhe njerëzish. Por thelbi është vjedhja grabitqare që i kanë bërë Shqipërisë dh lidhjet me kriminelët”, tha Lubonja.
Më tej shtoi se:
“Ai (Balla) të shkojë të japë llogari për atë që i ka dalë, për paratë te dosja “Toyota Yaris” dhe atë të shikojë të mos merret me protestuesit. Populli do të zgjedhë nëse do i nënshtrohet këtij pushteti apo do përballet me të”.
