Shtëpia e rrënuar e Osman Takës, luftëtarit shqiptar që mahniti armiqtë. –

nga Eno Shkëmbi

Një histori nga Epiri, në kufi të Shqipërisë dhe Greqisë, me përmasat e një legjende: ajo e Osman Takës, luftëtarit që shpëtoi nga dënimi me vdekje duke i bërë për vete armiqtë me kërcimin e tij. Sot pa një përkujtimore dhe me shtëpi gati të rrënuar

Duket gati si një legjendë. Si ajo e Shehrazades, vajza nga Lindja që i shpëtoi vdekjes duke rrëfyer për njëmijë e një net, çdo mbrëmje, një histori emocionuese. Apo si historia e Arionit, kitaristit grek që me melodinë e tij thërret nga deti delfinin që do ta shpëtojë nga mbytja duke e mbajtur në shpinë deri në breg të detit. Mirëpo këtë herë historia është e vërtetë, dhe si e tillë përcillet jo vetëm në burime të besueshme, por edhe nga rrëfimet e fëmijëve të fëmijëve të atij që e jetoi. Është transmetuar nëpërmjet fjalës duke qenë se nuk rezulton në kohë aq të lashta saqë t’i jepen ngjyrimet e një miti, apo që të jetë të shtrembëruar nga brezi në brez, pasi historia ka ndodhur në gjysmën e dytë të viteve ‘800. Dhe protagonisti nuk është një artist profesionist, as një vajzë me një fantazi pjellore, por një luftëtar i ri i rritur në qendër të Epirit.

Histori dhe legjendë

I riu, kryetar i një grupi anti-otoman kishte rënë në  duar të armiqve dhe ishte dënuar me vdekje. Disa tregojnë se përballja e Osmanit me otomanët ndodhi për çështje nderi, pasi motra e tij ishte ngacmuar nga disa ushtarë otomanë. Kështu, djaloshi shqiptar reagoi ashtu siç duhej dhe mundej të vepronte, pra me hakmarrje. Taka vrau autorët që i cenuan nderin e motrës. Në Konispol tregojnë se i riu shqiptar jetoi duke u fshehur për të mos rënë në dorë të Osmanëve, që normalisht ishin të djallëzuar dhe i bënin “sytë katër” për ta shtënë në dorë. Në raste si ky i tij dënimi me vdekje ishte i pashmangshëm dhe në fakt kështu u dekretua. Sipas rregullores së osmanëve të dënuarve kur kapeshin u lejohej të shprehnin një dëshirë të fundit. Dhe provoni të gjeni se cila qe dëshira e Osman Takës? Të kërcejë: për herë të fundit në jetë të tij, të kërcejë. Dhe kështu nga Konispoli u thirrën instrumentistët që do ta shoqëronin në vallëzim me instrumentet e tyre të bukur, si dhe shokët e tij valltarë. Atë ditë në oborrin e Kalasë së Janinës u shtrua një sofër. Dhe kështu në sytë e Beut dhe të familjes së tij, si dhe para të gjithë funksionarëve dhe zyrtarëve Osman Taka nisi të kërcejë.  Tregojnë se ishte një valle e shkurtër ( që zgjati diku tek tre minuta): por me lëvizje kaq intensive dhe prekës, plot melankoli dhe krenari, aq sa i la të gjithë pa fjalë. Ishte e shoqja e Beut që e theu e para heshtjen, duke protestuar që jo, një valltar kaq i bukur dhe kaq i zoti nuk duhet të varej. Dhe atëherë të gjithë të pranishmit ranë dakord me këtë kërkesë, madje edhe shokët e ushtarëve të vrarë, derisa në fund edhe guvernatori, që si gjithë të tjerët e admiroi me zemër atë valle që nuk e kishte parë kurrë më parë deklaroi publikisht se i riu meritonte të jetonte. Kështu ai do të mund të kërcente, në atë mënyrë, me ata hapa, në mënyrë të paimitueshme. Pra, me pushtetin që kishte anuloi dënimin dhe e ridërgoi Osman Takën të gjallë me shokët e tij në Konispol.

Osman Taka, pa një përkujtimore dhe me shtëpi të braktisur

Fabrizio Polacco nga “Balcanicaucaso” ndjek një histori me përmasat e një legjende në Konispol, atë të Osman Takës, luftëtarit që mundi t’i shpëtojë vdekjes për shkak të aftësive të tij për të kërcyer  vallen e famshme të Konispolit. Për afro 3 minuta i riu shqiptar arrin të bindë xhelatët me lëvizjet ekspresive se duhet të jetonte. Historinë Polacco-s ia rrëfen një nga banorët e vendit Vullneti. Ai shprehet i habitur për faktin se në Konispol nuk gjendet asnjë monument, apo diçka që të kujtojë këtë figurë që tek e fundit të gjithë e njohin. I vetmi vend ku ai arrin të gjejë gjurmë të këtij rrëfimi është në një lokal, ku gjendeshin piktura që ilustronin historinë e ndodhur qindra vjet më parë. Mirëpo në Konispol ekziston ende ajo që ka qenë shtëpia e Takës, një shtëpi prej guri gati e shkatërruar tërësisht. Fabrizio nuk ka mundur të hyjë në shtëpi, pasi ditën e vizitës së tij nuk kishte gjetur askënd. Në një situatë të tillë, ku një personazh si Osman Taka nuk përkujtohet dhe shtëpia e tij është braktisur, Polacco ngre pyetjen më thelbësore: “Kush do t’i shtrijë dorën” kujtimit të Osman Takës, luftëtarit që qe i aftë të mahnitë armiqtë e tij?

Gazeta: Shqiptarja.com