Shqipëria po humbet rininë: – Deri në 2050 pritet të “zhduket” 43% e grupmoshës 15-24 vjeç

Gëzimi, pedagog në Universitetin e Elbasanit, thotë për studimin e zotit Gëdeshi se “kur largohet një pjesë e madhe e popullsisë, pjesa që mbetet është ajo që ose nuk ka mundësi ose nuk do të emigrojë.
Rrjedhimisht emigrimi fillon të pakësohet, por jo të shmanget. Për shembull, kur i pyet studentët në auditor ose nxënësit e shkollave të mesme, nëse duan të emigrojnë, ata e shprehin këtë dëshirë…”
Arsyet e largimit pas rënies së komunizmit
Ndryshe nga e kaluara, kur emigrimi nxitej kryesisht nga varfëria dhe përpjekja për mbijetesë, sot emigrimi është rezultat i ndërveprimit të shumë faktorëve, thotë z. Gëdeshi.
Faktori arsimor lidhet me studentët që kërkojnë arsim universitar më cilësor jashtë vendit, profesionistët, si mjekët e rinj, që shkojnë jashtë për specializim, si dhe prindërit e shqetësuar për arsimimin e fëmijëve të tyre.
“Veçanërisht domethënëse në intervista ishin rrëfimet që zgjeronin kategorinë ‘të tjera’, pakënaqësia ndaj korrupsionit, mungesa e meritokracisë dhe transparencës, niveli i ulët i besimit te qeveria dhe institucionet, cilësia e dobët e shërbimeve dhe infrastrukturës, si dhe faktorë të ngjashëm” që po largojnë të rinjtë nga vendi.
Besmiri, një i ri 26-vjeçar me arsim të mesëm nga Tropoja, vendosi të largohej vitin e kaluar drejt Gjermanisë. Me arsim të mesëm dhe me kualifikime në agjencitë shtetërore profesionale, ai nuk mund të sistemohej në Tiranë.
Me pagë jo më shumë 50 mijë lekë në muaj, ai nuk mundi të përballojë qiranë e lartë dhe kostot e jetesës në kryeqytet. Tani ka siguruar një kontratë pune dhe po mendon të tërheqë drejt Gjermanisë edhe dy bashkëmoshatarë që ende jetojnë në Tropojë.
“Shkaku kryesor i emigrimit është mungesa e perspektivës. Është një çështje ekonomike dhe sociale; të rinjtë nuk ndihen mirë sepse sistemi nuk funksionon si duhet. Mungesa e perspektivës është faktor vendimtar.
Këtu mungesa e meritokracisë ka rol të rëndësishëm. Për mendimin tim, aspekti ekonomik lidhet ngushtë me mungesën e meritokracisë dhe me korrupsionin. Këto janë të ndërthurura: është e vështirë të fillosh diçka nëse nuk ke lidhje partiake. Është pothuajse e pamundur”, shprehet për studimin e zotit Gëdeshi, Altini, student në Vlorë.
“Nëse më parë faktorët shtytës të emigrimit kanë qenë kryesisht ekonomikë, sot e shoh mentalitetin si arsye kryesore. Po rritemi me idenë se ‘këtu nuk bëhet’ dhe se duhet të largohemi jashtë, sepse atje i kemi gjërat më të lehta”, shprehet Flora, studente në Shkodër.
Të rinjtë që kanë nivel të lartë arsimor dhe duan të integrohen në tregun e punës nuk munden sepse nuk kanë profesionet e lidhura me pretendimet e tyre ose me shkollën që kanë bërë. Punët janë shofer, kamerier, pastrues, shofer për të shpërndarë ushqimet, kuzhinier, etj., u shpreh, Majlinda, eksperte ekonomie në Tiranë.
“Struktura e ekonomisë ka rëndësi. Ku do të punojnë inxhinierët. Nuk ka një raport midis zhvillimit të tyre dhe pritshmërive. Është një raport i zhdrejtë. Dhe kjo bën që të rinjtë të ikin”, tha Teuta, pedagoge në Vlorë.
“Në Gjirokastër ka shumë vende pune, por kryesisht në shërbime. Në shërbime, vendet e punës janë për recepsionist, kamerier, banakier, etj. Por të rinjtë duan punë sipas profesionit”, tha për studimin e zotit Gëdeshi, Fredi, biznesmen në Gjirokastër.
Anketa të realizuara nga Regional Cooperation Council (RCC) për periudhën 2021-2023 tregojnë se emigrimi potencial në Shqipëri luhatet ndërmjet 42 dhe 49%, duke e renditur vendin të dytin në Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa një anketë e realizuar nga Fondacioni Friedrich-Ebert në vitin 2024 tregon se 35.5% e të rinjve shqiptarë shprehin një dëshirë “të fortë” ose “shumë të fortë” për të emigruar.
Genti, një student nga Elbasani, shprehet se, “Tetë në dhjetë nga shokët e mi mendojnë si unë, domethënë të emigrojnë. Disa mendojnë të vazhdojnë shkollimin jashtë, si unë që dua të shkoj për studime masteri, dhe pastaj të qëndrojnë. Të tjerë kanë profesione, si infermierë dhe mund të fillojnë menjëherë punën jashtë”.
Ndryshimi i profilit të emigrantëve, drejt të rinjve dhe individëve me nivel më të lartë arsimimi, mbështetet nga një numër i konsiderueshëm anketimesh dhe studimesh të realizuara gjatë viteve të fundit.
Pasojat
Pasoja më e menjëhershme dhe më dërrmuese është thyerja e skemës së pensioneve, ku pakësimi i të rinjve nga 544 mijë në vetëm 195 mijë në 2050 do të thotë se barra për të mbajtur të moshuarit do të bjerë mbi supet e një numri gjithnjë e më të vogël punëtorësh.
Ky raport i përmbysur do të detyrojë shtetin, ose të rrisë në mënyrë drastike taksat mbi punën, duke dekurajuar edhe më tej ata pak të rinj që mbeten, ose të shkurtojë përfitimet për të moshuarit, duke rritur varfërinë në këtë moshë.
Në një treg pune që po tkurret me shpejtësi, sektorët strategjikë si turizmi, bujqësia dhe teknologjia do të përballen me një krizë akute për krah pune dhe inovacion, pasi energjia dhe idetë e reja që sjell grupmosha 15-24 vjeç do të jenë në deficit kritik.
Ekspertët e ekonomisë lajmërojnë se bizneset shqiptare do të gjenden përballë një zgjedhjeje të vështirë. Të rrisin pagat në nivele të papërballueshme për të mbajtur punonjësit, ose të mbyllin aktivitetet për mungesë stafi, gjë që do të çonte në stanjacion ekonomik afatgjatë.
Vakumi do të detyrojë Shqipërinë të ndryshojë politikat e saj të migracionit, duke u kthyer nga një vend që eksporton njerëz në një vend që duhet të importojë punëtorë nga kultura të largëta për të mbajtur gjallë shërbimet bazë, fenomen që tashmë ka nisur.
Ky ndryshim do të sjellë sfida të mëdha të integrimit social dhe do të tjetërsojë strukturën tradicionale të shoqërisë sonë. Mungesa e të rinjve do të sjellë më pak konsum, më pak investime në arsim, duke e kthyer Shqipërinë në një ekonomi statike që nuk ka forcën e brendshme për t’u rritur apo për t’u përshtatur me zhvillimet globale.
Për më tepër, pasoja sociale e këtij procesi është zbrazja e zonave rurale dhe periferike, ku shkollat do të mbyllen dhe qytetet e vogla po kthehen në bujtina ku jetojnë vetëm të moshuarit.
Ky çekuilibër do të rrisë presionin mbi kryeqytetin, por edhe Tirana do ta ndiejë peshën e një popullsie që plaket, ku kostot e sistemit shëndetësor do të trefishohen për shkak të sëmundjeve kronike që shoqërojnë moshën e thyer.
Investimet e Huaja Direkte do të shmangen, pasi asnjë korporatë e madhe nuk investon në një vend ku nuk ka një bazë të rinjsh të trajnuar dhe ku tregu i brendshëm po zvogëlohet çdo ditë.
Në planin politik, pesha e votuesve të moshuar do të diktojë agjendat kombëtare, duke u fokusuar më shumë te mbrojtja sociale sesa te zhvillimi dhe e ardhmja, gjë që do ta mbajë Shqipërinë në një rreth vicioz të mungesës së progresit.
Pa një brez të ri që trashëgon kulturën, traditat dhe gjuhën, ekzistenca jonë si komb do të vihet në pikëpyetje, jo nga faktorë të jashtëm, por nga një vetëvrasje e ngadaltë demografike.
Monitor.al
