Ambasadorja-e-BE De Sousa

21 Shtator 2026

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, ka kërkuar që procesi i hartimit dhe miratimit të ligjeve në Shqipëri të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe i shoqëruar me konsultim të plotë me grupet e interesit.

Gjatë takimit të 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian, ambasadorja theksoi se ritmi i miratimit të ligjeve në kuadër të procesit të integrimit evropian nuk duhet të bëhet në kurriz të mbikëqyrjes parlamentare dhe konsultimit publik.

Sipas saj, reformat mund të japin rezultate konkrete kur ligjet hartohen me kujdes dhe pas një procesi të plotë konsultimi me aktorët e interesuar.

“Gjithçka fillon me ligje të mira. Duhet të ketë konsultim kuptimplotë para se ato të miratohen”, u shpreh ambasadorja.

Moreira de Sousa nënvizoi se reformat që lidhen me Bashkimin Evropian prekin drejtpërdrejt fusha të ndryshme të jetës së qytetarëve, nga menaxhimi i mjedisit dhe arsimi, deri te sektorë të tjerë të rëndësishëm të shoqërisë.

Për këtë arsye, ajo theksoi nevojën për një proces që përfshin të gjithë aktorët, përfshirë shoqërinë civile dhe sektorin privat, duke u dhënë mundësi të shprehin qëndrimet dhe shqetësimet e tyre.

“Shpejtësia e miratimit të ligjeve nuk duhet të rrezikojë mbikëqyrjen parlamentare dhe procesin publik e transparent të hartimit të ligjeve, sepse përfitimet e reformave do të ndihen nëse ligjet hartohen dhe bazohen mirë. Reformat që lidhen me BE-në prekin çdo aspekt të jetës, që nga menaxhimi mjedisor dhe arsimi, dhe prekin çdo qytetar. Për këtë arsye duhet të kemi një qasje që përfshin të gjithë shoqërinë. Shoqëria civile, sektori privat dhe të gjithë aktorët duhet të kenë mundësi të thonë fjalën e tyre”, deklaroi ambasadorja e BE-së.