eleni kocaqi

Fenomeni i Kocaqizimit!

15 Prill 2022

Nga Mentor Kikia

…”kushedi sa prokopi do kishim bërë, nëse në vend të këtyre budallallëqeve…”.

Shoqëria shqiptare e prekur masivisht nga fenomeni i Kocaqizimit!

Një grua, që ka zbuluar se Greqia nuk ka ekzistuar, por grekët janë shqiptarë që kanë mësuar greqisht vonë, mendon se mund, ose më saktë e meriton, të jëtë presidente e vendit. E drejtë e saj.

Dikush mendon se mund të bëhet shef i NATO-s, e dikush shef i OKB-së.

Por një mori njerëzish e mediash janë turrur të analizojnë këtë fakt, dhe përcaktojnë karakteristikat e presidentit. Ca japin intervista se si duhet të jetë presidenti(ja) e ca propozojnë kandidatë të tjerë.

Më falni, por kush po ju pyet?

Presidenti nuk zgjidhet me votë, as kandidon. Presidentin e zgjedh parlamenti. Kur nuk ka shumicën njëra palë, e zgjedhin me pazar dy palët. Më jep Presidentin, të jap Kontrollin e Shtetit dhe Prokurorin e Përgjithshëm.

Kur e ka një palë shumicën, e zgjedh ajo një nga të tijët dhe mbaroi.

Popull më të papunë nuk mund të ketë. Energji të harxhuara kot, kushedi sa prokopi do kishim bërë, nëse në vend të këtyre budallallëqeve do të ishim më marrë, me kaq seriozitet e masivisht, me çështje që mund të korigjonin realitete seriozisht problematike.

P.sh, sikur të kërkonim të gjithë ndryshimin e ligjit, dhe presidentin ta zgjidhte populli?