6 Dhjetor 2025

Një shpërthim vullkanik i ndodhur rreth vitit 1345 mund të ketë qenë shkaku fillestar i zinxhirit të ngjarjeve që solli Murtajën e Zezë në Evropë, pandeminë më vdekjeprurëse në historinë e kontinentit. Në këtë përfundim kanë dalë studiues nga Universiteti i Kembrixhit dhe Instituti Leibniz për Historinë dhe Kulturën e Evropës Lindore (GWZO), të cilët kanë analizuar të dhënat e ruajtura në unazat e pemëve dhe në bërthamat e akullit.

Sipas kërkuesve, shpërthimi vullkanik shkaktoi një “tronditje klimatike” duke ulur ndjeshëm temperaturat për vite me radhë, pasojë e lirimit në atmosferë të sasive të mëdha të hirit dhe gazrave që bllokuan rrezet e diellit. Rënia e temperaturave solli dështimin e të korrave në Mesdhe, duke e detyruar qytetet-shtet italiane të importonin drithë nga rajoni i Detit të Zi.

Pikërisht përmes kësaj lëvizjeje të detyruar tregtare, në Evropë dyshohet se mbërritën pleshta bartës të bakteries Yersinia pestis, e cila shkaktoi pandeminë që në vitet 1348–49 vrau deri në gjysmën e popullsisë së kontinentit. Studiuesit e përshkruajnë këtë situatë si një “stuhi të përsosur” ku u ndërthurën ndryshimet klimatike, kriza ushqimore dhe lëvizjet tregtare afatgjata.

“Ndërthurja e faktorëve që çuan në Murtajën e Zezë duket e rrallë, por rreziku i shfaqjes së sëmundjeve në kushtet e ndryshimeve klimatike dhe shndërrimit të tyre në pandemia ka të ngjarë të rritet në një botë të globalizuar”, deklaron Dr. Ulf Büntgen nga Universiteti i Kembrixhit. Ai thekson se kjo është një paralajmërim i rëndësishëm, sidomos pas përvojave të fundit me Covid-19.

Historiani i klimës mesjetare, Dr. Martin Bauch nga GWZO, thekson se qytetet italiane kishin zhvilluar prej më shumë se një shekulli rrjete të gjera tregtare mes Mesdheut dhe Detit të Zi, për të garantuar sigurinë ushqimore. “Por, në fund, këto rrjete çuan pa dashje drejt një katastrofe shumë më të madhe”, tha ai.

Sipas studiuesve, këto zbulime hedhin dritë mbi mënyrën se si faktorët natyrorë dhe ekonomikë mund të ndërthuren për të krijuar kushte të favorshme për përhapjen e pandemive, një paralajmërim i vlefshëm edhe për realitetin e sotëm global.