24 Maji 2023

Nga Elmas BOGDANI

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë futur në rrethin e kuq kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, si edhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Dy arkitektët e politikës amerikane në Ballkan kanë dhënë alarmin në seancën e fundit të Senatit për Tiranën dhe Beogradin duke i futur nën monitorim të plotë pasi janë vende ku po bëjnë ligjin bandat, ku lulëzon korrupsioni dhe trafiku i drogës.

Derek Chollet është një nga njerëzit më të rëndësishëm kur bëhet fjalë për fatin e rajonit. Ai është arkitekti i politikës amerikane ndaj Ballkanit dhe zyrtarisht është në postin e këshilltarit special të Anthony Blinken, kreut të diplomacisë amerikane. Kjo është arsyeja pse fjalimi i tij javën e kaluar para Komisionit për Politikë të Jashtme të Senatit në Uashington ishte më se tregues, ku fajësoi me vendosmëri presidentin serb Aleksandër Vuçiç për sundimin autoritar dhe projektin e njohur si “Bota Serbe”.

Chollet, beson se është i vërtetë raportimi i “New York Times”, e cila e lidh presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç me krimin e organizuar. Gjatë raportimit në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, Derek Chollet është pyetur nëse beson se është i vërtetë ky artikull. Pyetja është parashtruar nga senatori Bob Menendez, ndërsa ai tha se ka shumë korrupsion. “Po besojmë se është. S’mund të flas për gjëra specifike, po ka shumë korrupsion atje”, tha ai. I pyetur nga senatori Menendez nëse kjo mund ta bëjë Vuçiçin partnerë të rëndësishëm për SHBA-në, Chollet tha se ky është një test. “Ky është test ndoshta dhe po e bëjnë me sy hapur”, duke shtuar se korrupsioni në vendet e Ballkanit Perëndimor është i përhapur, dhe se kjo do ta pengojë rrugën drejt integrimit në BE.

Mesazhe përvëluese për Shqipërinë

Nga ana tjetër, Gabriel Escobar, një tjetër personazh shumë i rëndësishëm që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka sjellë për Ballkanin, jo nga pozicioni që i është caktuar, por nga zgjidhjet e shpejta, vendimtare dhe deklaratat e tijtë bujshme si asnjë tjetër diplomat amerikan. Ai ka dhënë mesazhe përvëluese këtë muaj për vendin tonë. Shqipëria ishte një nga temat për të cilat Escobar është pyetur gjatë seancës që Senati amerikan mbajti në lidhje me rajonin.

Ka qenë senatori Tim Kine ai i cili ka pyetur zotin Escobar në lidhje me bandat dhe trafikun e drogës në Shqipëri. Zoti Escobar u shpreh se problemi me bandat është një problem rajonal, jo vetëm i Shqipërisë, ndërsa ka vlerësuar punën e deritanishme nga SPAK. Escobar tha se po punohet edhe me Bashkimin Europian për të forcuar këtë organ. “Është çështje serioze. Nuk është e kufizuar vetëm në Shqipëri, të gjitha vendet në rajon vuajnë nga korrupsioni, mungesa e rendit dhe ligjit, që ndihmon një aktivitet të tillë. Kemi bashkëpunim të mirë me vendet, një pjesë e saj është pasi kemi punuar me ta dhe i kemi fuqizuar në shkëmbimin e informatave për krime komplekse. Sidomos në Shqipëri po shohim krijimin e një organi anti-korrupsion që ka pasur disa suksese dhe po punojmë me BE për të forcuar këtë organ dhe për të krijuar mundësinë për shkëmbimin e informacioneve”, u shpreh Escobar pak ditë më parë.

Bashkëpunimi me “non gratat”

Një mesazh i fortë që erdhi nga Senati Amerikan për Ballkanin Perëndimor, kryesisht Serbinë dhe Shqipërinë ishte dhe bashkëpunimi i politikës me njerëz të korruptuar. Chollet e tha qartë se në rajon janë vendosur sanksione nga SHBA ndaj personazheve të zhytur në afera, por sipas amerikanëve nëse vazhdon aleanca me këta njerëz integrimi i rajonit në Evropë është në rrezik.

Vetë SHBA e ka bërë të qartë se marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, është me popullin shqiptar, me institucionet, jo me një parti dhe jo me një individ. Ishte po Escobar që “shkundi” Ramën para fushatës së 14 majit, ku tha se SHBA i ka raportet me shqiptarët dhe jo me individët, duke ja bërë të qartë Ramës dhe kujtdo tjetër se ata janë të zëvendësueshëm. SHBA janë të alarmuara pasi si Vuçiç edhe Rama vazhdojnë të mbajnë afër personazhet e korruptuara kur iu nevojiten.

Tom Doshi është non grata dhe nuk po flet askush që ky non grata në Shkodër udhëhoqi dhe votat e këtij i kanë dhënë fitoren PS-së.

Janë fiks votat që ka marrë Tom Doshi dhe që kanë shpallur Benet Becin kryetar bashkie. Votat e Këshillit Bashkiak në Shkodër tregojnë qartazi rolin kyç që Tom Doshi ka luajtur në fitoren e Benet Becit në Shkodër, çka bëri që PS të merrte për herë të parë drejtimin e bashkisë. Mbështetja që Doshi ka fituar nga qytetarët e Shkodrës, ka influencuar fitoren e Benet Becit, i cili ishte surprizë në vendoret e 14 majit. Mesazhet e Escobar ishin shumë të qarta për “non gratat” para zgjedhjeve të 14 majit.

Ai si fillim i “fiku” çdo shpresë Sali Berishës, duke ia bërë të qartë se edhe nëse fiton zgjedhjet, damka e korrupsionit nuk do i hiqet.

Duke e cilësuar si “e shkuara e vendit”, Escobar tha se SHBA është shumë e qartë në qëndrimin e saj ndaj personave që janë sanksionuar për “korrupsion” dhe “minim të demokracisë”.

Këtë qëndrim ai ja bëri të qartë dhe Ramës në takimin e tij që nuk u zbulua asnjë detaj për mediat. Zyrtari i lartë i DASH i dha dy porosit të prera Ramës. Një që të zhdukte nga politika dyshen anti-SHBA, ku Rama e zbatoi me përpikmëri duke u dhënë një goditje katastrofike me rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit. Ndërsa porosia e dyte e Escobar ndaj Ramës pritet të zbatohet në javët në vijim. Amerikanët nuk pyesin për emra dhe në situatën në të cilën ndodhet kryeministri Rama apo dhe Aleksandër Vuçiç, duke dalë kundër politikave që SHBA dhe BE kërkojnë, ata tashmë janë vënë në syrin e “ciklonit” për linjën pro-ruse, serbe dhe turke që po ndjekin.

Rama dhe Vuçiç, lojtarë rusë në Ballkan

“Ballkani i Hapur”, i trumbetuar nga dyshja Vuçiç-Rama vazhdon të krijojë një frymë anti-Perëndim. Ky projekt ka qenë një shpikje e paaprovuar nga kancelaritë amerikane dhe evropiane.

Nëse deri dje, kjo iniciativë është parë si një dëshirë për ti bërë karshillëk BE, për vonesat e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Evropë, vizita e ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov, i çori maskën kësaj afere të ndyrë antiamerikane. Duhej deklarata e Lavrov që të zbërthente lojën misterioze që po luhej në kurriz të shqiptarëve, duke zbërthyer se pas gjithë kësaj coftire që quhej Ballkan i Hapur, fshiheshin interesat ruse dhe serbe.

Kryediplomati rus tha se Ballkani i Hapur është një iniciativë serbe dhe se Rusia e mbështet këtë, pavarësisht kundërshtimeve të Brukselit:  “Natyrisht ata që po i tërheqin fijet në Bruksel nuk e donin këtë, ata nuk donin që ne të shprehnim mbështetjen për Beogradin, duke përfshirë projektin “Ballkani i Hapur”.

Tani është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO dhe BE duan të kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur”, tha Lavrov. Kjo ishte një ndër deklaratat më të forta të bëra për herë të parë nga Rusia në lidhje me Ballkanin e Hapur.

Pra u konfirmua skandali i madh, ku Moska nxori zbuluar këtë projekt, si një skemë anti-Perëndimore, e cila po përdorej si një portë shpëtimi nga Rusia, lidhur me sanksionet e forta të SHBA-BE, të cilën Rama e Vuçiç kërkojnë ta vazhdojnë misionin e tyre.

Gjithashtu Rama është vendosur në rrethin e kuq nga amerikanët me dosjen e “McGonigal”. Ka shumë gjasa që së shpejti, një thriller spiunazhi, apo një serial televiziv do të bëhet, bazuar në historinë e Charles McGonigal, një ish-zyrtari të lartë të FBI-së, gjuetar spiunësh, i kthyer në ryshfetmarrës dhe punonjës i një oligarku rus. Në mes të kësaj dosje që po hetohet intensivisht nga amerikanët, del në skenë dhe kryeministri Rama, i cili ka takuar McGonigal, dhe tani Ramën po e ndjekin hijet ruse, derisa çështja të sqarohet plotësisht.

Gazeta Sot, 23 Maji 2023.