Seminari i Albanologjisë nis punimet në edicionin e 37. –

Seminari i 37-të për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka nisur punimet në Universitetin e Prishtinës. Të pranishëm në hapjen e tij ishin krerë shtetëror, përfaqësues universitarë, albanologë dhe studentë nga vende të ndryshme të botës. Në seminar marrin pjesë dhe studiues dhe gjuhëtarë nga Shqioëria. Në hapjen e tij kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Seminari i 37-të i Albanologjisë, shënon një moment të posaçëm për kombin shqiptar, pasi që në kohëra të errëta të kombit, ky seminar ka shpërndarë një dritë të shqipes në botë. Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Lindita Nikolla, tha se albanologjia ka luajtur një rol të vyer në konsolidimin e kombit shqiptar. “Gjuha shqipe fatmirësisht nuk hynë në gjuhët e rrezikuara të Evropës për të cilat BE ndanë fonde, por edhe pse kjo është e mirë, na takon qeverive të dy vendeve tona, Kosovës dhe Shqipërisë, që t’iu mbështesim”, u shpreh ajo.

Drejtori i seminarit, Rrahman Paçarizi tha se ky seminar është ambasadori i parë dhe më i suksesshëm i Kosovës, pasi që nëpër të kanë kaluar të gjithë studiuesit e albanologjisë të cilët kanë hapur katedrat e shqipes në vende të shumta në botë. “Si drejtor i seminarit kam qenë i shqetësuar që sivjet, studiuesit e seminarit kanë qenë demotivuar aq shumë sa të mos marrin pjesë fare në sesionet shkencore dhe aktivitetet e tjera. Fatmirësisht ka ndodhur e kundërta. Kemi pasur prurje shumë cilësore”, theksoi ai. Sipas tij, vështirësitë vetëm se kanë ndihmuar që të forcohet ky seminar. Ndërsa, duke qenë në fund të mandatit të tij si drejtor i këtij seminari, Paçarizi tha nuk ishte e lehtë të mbante mbi supe traditën 45 vjeçare të seminarit. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Sabri Laçi, i cili uroi studentët dhe studiuesit e shqipes. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ndërsa në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sesionet e seminarit organizohen në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.