14 Shtator 2026

Dëgjesat publike për reformën territoriale dhe bashkimin e bashkive po kthehen në një teatër absurd, ku qytetarët mungojnë dhe sallat mbushen me militantë të administratës për të krijuar fasadën e miratimit.

I ftuar në nje studio televizive, inxhinieri Abdullah Diku u shpreh se të dhënat e fundit nga dëgjesat e zhvilluara në qytetin e Burrelit tregojnë një realitet të hidhur mbi mënyrën se si po vendoset fati i komuniteteve lokale.

Sipas tij, në takimet e mbajtura së fundmi, interesi i qytetarëve të thjeshtë ishte inekzistent, pasi nga vetëm 50 qytetarë burrelas të pranishëm, shumica dërrmuese u shprehën kundër shkrirjes me bashkinë Klos.

Megjithatë, për të mbuluar këtë mungesë mbështetjeje popullore, salla u mbush me rreth 120 punonjës të administratës dhe drejtorë të bashkisë Mat, të sjellë posaçërisht nga njësi të tjera.

Qëllimi i vetëm i tyre ishte të mbronin linjën politike të partisë,theksoi Diku, edhe pse ky proces praktikisht kërkon fshirjen nga harta të vendeve të tyre të punës.

Kjo strukturë, e punësuar kryesisht mbi bazën e bindjeve politike dhe jo aftësive, u shpreh ai, pranon të ngrejë kartonin pa marrë parasysh pasojat shkatërruese për komunitetin, duke humbur kështu çdo lloj pavarësie intelektuale.

Por faturën më të rëndë të kësaj farse pritet ta paguajnë fshatrat dhe zonat periferike, të cilat po shkojnë drejt vdekjes së sigurt demokratike.

Diku tha se me bashkimin e ri, njësitë e vogla rurale rrezikojnë të humbasin totalisht zërin e tyre, ku një zonë që sot mund të ketë 3 përfaqësues në këshillin lokal, nesër nuk do të ketë asnjë anëtar në një këshill të madh të përbërë nga mbi 40 persona.

Bashkia Mat, e cila synon të përthithë Klosin, ka dështuar në mënyrë spektakolare me menaxhimin e zonave të veta rurale. Fshatrat periferikë të Matit llogaritet të mos kenë parë asnjë investim në 20 vitet e fundit. Kjo lënie në harresë ka shkaktuar një shpopullim masiv me plot 44% gjatë 12 viteve të fundit.

Në dëgjesën e qytetit të Burrelit, dua të them një detaj paraprakisht, që numri i pjesëmarrësve në atë dëgjesë ishte rreth 50 persona. Ndërkohë që në njësinë administrative nga ku unë vij, në Xibër, kishte 120 persona.

Pra, treguesi është kjo, që qytetarët e Burrelit ishin tërësisht të painteresuar për të marrë pjesë në një dëgjesë të tillë, pasi logjikisht, kjo çështja e bashkimit të bashkive apo lëvizjeve apo shkrirjes e të tjerë, nuk i përket Burrelit, por një bashkie tjetër siç është Klosi.

 Pra, ishin fare pak qytetarë, të cilët në shumicën e tyre, ato ishin kundër shkrirjes, ndërkohë që pjesa tjetër ishin drejtorë dhe administratë e bashkisë Mat.

Ne e dimë si është administrata. Pra, njerëz pa dinjitet, pa integritet, pa profesionalizëm, të cilët të vetmen gjë, të vetmen dritë, të vetmen vijë të drejtë konsiderojnë atë vijën e partisë.

Kështu që në këtë kontekst, nuk është se kemi të bëjmë me njerëz, si të thuash, normalë, të cilët logjikojnë me mendjen e tyre, veprojnë me mendjen e tyre, kanë pavarësinë intelektuale.

Ndaj jemi në këtë gjendje. Kjo është një lloj si në administratën qendrore, ashtu dhe lokala, aq më tepër një administratë në një bashki periferike siç është Mati për shembull, ku njerëzit nuk janë aty në atë administratë për shkak të aftësive të tyre, por për shkak të bindjeve të tyre dhe kjo është diferenca e madhe dhe kjo tregon gjithçka pastaj.

Së pari është çështja e përfaqësimit. Pra ne po humbim demokracinë. Aktualisht një njësi lokale vendore siç është Xibri për shembull, e cila është një njësi sapo kalon tunelin e madh të Murrizit kur shkon për në Klos apo në Dibër, aktualisht kjo njësi ka tre këshilltarë. Në një bashkim të mundshëm me bashkinë Mat, kjo rrezikon të mos ketë asnjë këshilltar.

Pra, i gjithë ai komunitet aty mund të mos ketë asnjë përfaqësues të vetin në këshillin e madh i cili do të jetë me 40 a 45 anëtarë, nuk e di.

Pra aktualisht ka 1 këshilltar për çdo 7 këshilltarë në bashkinë Klos, ndërkohë që rrezikon të mos ketë asnjë këshilltar në 40 këshilltarë total që mund të ketë në bashkinë Mat. Kjo është aspekti i parë. Pra për këtë komunitet do vendosin të tjerë dhe asnjë përfaqësues i tij.

E dyta është, ky komunitet nuk ka mundësi të zgjedhë përfaqësuesin e vet në drejtimin e bashkisë, duke qenë komunitete rurale, të vogla, të izoluara, këto nuk kanë peshë elektorale në vota si të thuash, për të ndikuar për të zgjedhur personin që i përfaqëson ato.

Kështu që do detyrohen që të votojnë apo të zgjedhin persona që nuk janë nga zona. Më e rëndësishmja është fakti që këto bashki siç është Mati, i cili do të përthithë bashkinë Klos.

Në dëgjesën time dhe arsyeja për të cilën unë kontestova është kjo: unë ju thashë, më jepni vetëm një shembull të mirë, një zonë të mirë rurale siç është zona ime, ku ju më thoni që e kemi bërë. Pra bashkia Mat ka bërë këtë shembull të mirë që ta shohin këto komunitetet e bashkisë Klos, që do t’ju bëjmë edhe juve… pra ka lënë fshatra të tërë periferikë absolutisht pa asnjë investim. Investimet e fundit mund të jenë para 20 viteve.

Ndërkohë që do të përthithë akoma më shumë komunitete rurale siç është bashkia Klos, e cila do të kërkojë vëmendjen e duhur. Edhe një element tjetër i rëndësishëm, bashkia Mat ka një normë jashtëzakonisht të madhe të shpopullimit të zonave rurale, gati 44% në 12 vjet. Dhe bashkia Klos e ka shumë më pak këtë shkallë shpopullimi.