Raporti i ODHIR, si pasqyrë e regjimit të Edi Ramës

4 Shtator, 2019

Nga Andi Bushati

Askush nuk ka pritur të lexojë konkluzionet përfundimtare të ODHIR-it për të kuptuar se votimet e 30 qershorit ishin një farsë.

Madje edhe vetë ata që i organizuan, votuan, numëruan, vëzhguan, shpallën rrezultatet dhe uzurpuan bashkitë, janë të ndërgjegjshëm për maskaradën moniste që prodhuan.

Në këtë kuptim, sado të ashpra, brutale dhe të padëgjuara më parë të jenë gjetjet e raportit të publikuar së fundi, ato nuk përbëjnë risi për askënd. Ato nuk i thonë shqiptarëve asgjë për parodinë e votimeve lokale.

Por, nga ana tjetër, ndonëse ky raport nuk na tregon asnjë fakt që nuk e dinim për 30 qershorin, ai ka një rëndësi të veçantë se është i pari skanim serioz ndërkombëtar, që flet me detaje dhe në imtësi për një shtet të kapur.

Votimet dhe procesi i tyre janë vetëm maja e ajbergut. Ajo që qëndron poshtë është një parti që kontrollon gjithçka, një shtet ku nuk vepron ligji por urdhëri, një mjedis ku nuk gjen më asnjë instititucion të pavarur, një sistem oktapodi që ka asfiksuar gjithçka.

Le ti marrim me radhë.

KQZ vizatohet si një institucion, i politizuar që e interpreton ligjin si të dojë madje në mungesë koherence me vendimet e saj të mëparshme.

Ajo anatemohet se nuk pranoi si komisionerë përfaqësuesit e ligjshëm të opozitës duke i mbushur komisionet me militantë të PS-së që ishtin të pabesueshëm për vëzhguesit e huaj.

Ajo kryqëzohet se legjitimoi pjesmarrjen në zgjedhje të opozitës fallco jashtë afateve ligjore dhe pa i kërkuar nënshkrimet e nevojshme.

Por, KQZ, nuk është i vetmi institucion ku vëzhguesit kanë vënë re dorën e hekurt te Rilindjes. Ata flasin për presione mbi administratën publike dhe punonjësit e ndërmarrjeve shtetërore gjatë procesit zgjedhor, duke arritur në përfundimin se punësimet sipas kritereve politike bien ndesh me dokumentin e Kopenhagenit të OSBE.

Ata hedhin hije dyshimi mbi prokurorinë e cila qëndroi pasive gjatë një procesi karrikaturë ku u shkel fshehtësia e votës. Ata dërrmojnë gjyqtarët e kolegjit zgjedhor të cilët lihet të kuptohet se i morrën vendimet nën presionin e procesit të vettingut.

Ata flasin për një organizatë që vepron si bandë shtetërore, pasi nuk i lejoi vëzhguesit të merrinin pjesë në mbylljen e votimit, duke i kufizuar mbikqyrjen e procesit të numërimit dhe tabelimit (pikërisht aty ku pati akuza se u shtua artificialisht numri i pjesmarrësve pasi votat në kuti nuk korrespondonin me ata që kishin votuar).

Ata shprehin habi se si mund të shkelet ligji me të dyja këmbët dhe të ngadhënjejë urdhëri, për të mos e botuar në fletoren zyrtare, siç oblogon ligji, dekretin e presidentit për zhvillimin  e zgjedhjeve në 13 tetor.

Pra, po të lexohet me kujdes, ky raport, ndoshta më i ashpri që pas zgjedhjeve kriminale të 1996, nuk merr peshë se ka evidentuar votime në grup, presione mbi votuesit, ndryshim të përqindjeve, moskontrollm të shenjës në gisht, apo persona që shkonin më shumë se në një kuti. Të tilla konkluzione do të ishin të mjaftueshme për ta quajtur 30 qershorin edhe jo të lirë edhe jo të ndershëm. Por fatkeqësisht këtë nuk ka njeri që tani nuk e ka marrë vesh. Prandaj vlera e këtij dokumenti është se na dëshmon për shumë më tepër sesa kaq. Ai na flet për një shtet të copëtuar nga thundrat e një partie, ku edhe KQZ, edhe komisionet vetëm me socialistë, edhe administrata dhe ndërmarrjet publike edhe prokuroria edhe gjykatësit e trembur nga vettingu, janë të kapur prej saj. Dhe në këtë kuptim ai nuk bën pasqyrën e të dielës së fundit të qershorit, por radiografinë e një shteti të kapur dhe të sunduar në mënyrë autokratike. Vetm i lexuar në këtë dimension ai merr vlerën e tij të vërtetë. Vetëm duke dekriptuar votimet lokale, si pasqyrë të degradimit që i ka bëtë vendit rilindja, ai i jep të huajve dhe shqiptarëve një panoramë të plotë të rregjimit që po instalohet. /Lapsi.al/

Save

Share