Tiranë/ Helmohen 52 studentë të Akademisë së Sigurisë! Dyshohet nga ushqimi i shërbyer nga kompania private, 2 të arrestuar, 1 në hetim dhe në kërkim administratorja
TIRANË – 52 studentë të Akademisë së Sigurisë përfunduan në spital me shenja helmimi të mërkurën. Të gjithë sapo kishin konsumuar vaktin e drekës në ambientet e akademisë.
Akademia i siguron studentëve, të treja vaktet, me katering, nga kompania SORI-Al”
Studentët kanë konsumuar të njëjtën menu, sallatë me perime të ziera, gjellë me patate ose tavë me presh, makarona ose pilaf me karrotë, mish, biskotë, banane dhe bukë.
Do të jenë analizat ato që do të përcaktojnë shkakun e helmimit të tyre.“Kemi njoftuar menjëherë institucionet, AKU-në dhe Shëndetin Publik, i cili ka marrë mostrat, sepse ushqimi këtu vjen në formë kateringu dhe këtu mbajmë edhe mostrat, kemi komision që e pret bashkë me mjekun dhe i mbajmë të ruajtura 24 orë për raste kur ndodhin këto lloj incidentesh”,- tha Nushi
Administratorja e Kompanisë SORI-Al” Alma Tafani, u shpall në kërkim nga policia. Blutë arrestuan kuzhinierin Kujtim Ballgjini dhe Kristjana Plaka teknologe e ushqimit në kompaninë që sillte ushqimin në Akademinë e Sigurisë, ndërsa në gjendje të lirë u vu bjë tjetër teknologe ushqimi në SORI-Al”
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kreu verifikime në subjektin që e prodhon ushqimin në ambientet e kuzhinës së garnizonit “Skërnderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura në Tiranë. Produktet e prodhuara ishin shpërndarë tek pikat kontraktuese. Por aty AKU thotë se mori mostra të djathit, kosit, vezëve, e sallamit për analizim në laboratorin e ISUV. AKU bllokoi 67.3 kg produkte dhe 1350 kokrra vezë. Për mungesë të një sistemi funksional dhe të plotë gjurmimi ndaj SORI-Al” u vendos 100 mijë lekë gjobë
Mostra për analizim mikrobioligjik u morën edhe te Akademia e Sigurisë, ku u konstatuan pilaf, makarona, fasule, sallam dhe kos i hapur gati për shërbim, nga të cilat u bllokuan 85.9. kg produkte ushqimore. Edhe në këtë rast, ndaj subjektit u vendos 100 mijë lekë gjobë për mungesë të sistemit të plotë të gjurmueshmërisë”Puna vazhdon normalisht, shkolla vazhdon normalisht, edhe furnizimi vazhdon normalisht”,- thotw Nushi.
Deri në fund të vitit 2025, kompania Sori-Al rezulton si fituese e 75 tenderave publikë, me vlerë totale 4.2 miliardë lekë.

Nga: Sokol Dema

