Konflikti për pronën në Golem, nënë e bir dhunohen nga biznesmenët dhe efektivët

6 Maji 2026
Një ngjarje e rëndë është denoncuar në zonën e Golemit, ku një grua e moshuar e identifikuar si Ishe Ademi dhe djali i saj Rexhep Ademi janë dhunuar barbarisht nga biznesmenët si dhe nga efektivët e Policisë, për një konflikt për pronat. Sipas materialeve të publikuara nga avokati Arben Llangozi, dy biznesmenë kanë dhunuar Rexhep Ademin në tokën e tij, pasi nuk i lejon që të ndërtojnë aty.
Dhuna ndaj Ademit është filmuar një nga kalimtare aty pranë, e cila dëgjohet teksa bën thirrje që dhuna barbare duhet që të ndalojë. Por pas kësaj ngjarje, punonjësit e policisë kanë shkuar në banesën e Ademit dhe siç duket nga pamjet e mëposhtme kanë ushtruar dhunë fizike dhe verbale ndaj nënës së tij Ishe Ademi.
Në pamjet e bëra publike, e moshuara shfaqet e shtrirë në tokë, në gjendje të rënduar shëndetësore, ku dhe ka humbur ndjenjat. Në video duket se efektivët e policisë e tërheqin dhe e ngrejnë me forcë për ta shoqëruar drejt komisariatit.
Sipas denoncimit, ndërhyrja lidhet me një mosmarrëveshje për pronën, një problematikë e njohur dhe e përsëritur në këtë zonë. Ndërkohë, fotografi të publikuara më pas tregojnë duart e të moshuarës të gjakosura.
Nga: Gazeta Dita
