Nga Albert Vataj.-

Ramadan Sokoli ka lënë në testamentin e kujtesë historike të vlerave krenuese një pasuri të parrokshme. Kudo që sublimja e tij krijuese u qas të jetësonte në vepër pasionin dhe shpirtin e tij, hyri drojshëm dhe doli triumfator, për të qenë një referencë e gjeneratave, një emër që ka skalitur me shkëndija stralli atë kontelacion vepre, të cilën na e la amanet, na e la për ta çmuar dhe për ta çuar në panteonin e vlerave kombëtare, ku meriton të nderohet me përulësi dhe respekt. Me çmos e shleu atë shpirt vullnetesh të hovshme krijimi ky njeri shpirtmirë dhe i palodhur. Shkëlqeu si muzikant dhe kompozitor, ngulmëtar dhe i mëvetësishëm ishte si shkrimtar, i papërsëritshëm dhe i përgjithmonshëm do të mbetet si etnomuzikolog. Çmohet si njëri prej studiuesve më të mëdhenj të muzikës shqiptare dhe ballkanike.

Historia e panjohur e profesorit dhe etnomuzikologut të famshëm, Ramadan Sokoli, pinjoll i një prej familjeve më të vjetra të qytetit të Shkodrës, i cili në vitet’40 u diplomua në Konservatorin e Firences për Kompozicion. Kthimi i tij në Shqipëri dhe jeta plot peripecira, duke provuar burgjet e regjimit komunist për vite me radhë së bashku me dy vëllezërit dhe babanë e tyre. Kalvari rrëqethës i intelektualit të shquar i cili u detyrua të shiste pianoforten për të paguar gjobën e vënë nga Instituti i Folklorit.

Jo shumë larg qendrës së kryeqytetit, në afërsi të “Rrugës së Barrikadave”, në katin përdhes, apo më saktë në bodrumin e një shtëpie të vjetër tiranase, pronë e familjes së njohur, Petrela, jetonte i vetëm profesori i famshëm, Ramadan Sokoli. Që para pak vitesh, kur bashkëshortja e tij, një grua fisnike nga familja Petrela, u nda nga kjo jetë, muzikologu i njohur i ngrysi ditët me brengën e vetmisë së pakthyeshme. Një vizitor i zakonshëm që do të hynte në atë shtëpi, do të qortonte veten se kishte shkelur gabimisht në ndonjë muze antik apo të Mesjetës, apo në ndonjë galeri arti e antikuarësh të ndërthurura mes librash të vjetër e të rinj, ku partiturat klasike e moderne gjendeshin kudo nëpër rafte dhe sirtarë. Vite të shkuara, këtu e një dekadë më parë, kur muzikologu i famshëm nuk ishte i rënduar ende nga shëndeti e memoria, pas disa takimesh jo të pakta në atë mjedis brilant të shtëpisë së tij ku ta kishte ënda ta shijoje përsëri, me shumë mundime arritëm ta bindnim profesorin flokëbardhë për të shkruar diçka nga jeta e tij. Ose e thënë ndryshe, për të shënuar diçka nga kalvari i gjatë në të cilin ai kaloi për afro 45 vjet nën regjimin komunist.

 Familja Sokoli në kronikat e Evla Celebiut

Po të rrëmosh ndër libra të vjetër, tutje në thellësitë e shekujve, me familjen Sokoli do ta ndeshesh në memuaret e kronikanit turk, Evla Celebi, i cili e ka përshkruar atë si një familje pronare e madhe tokash. Asokohe, ajo familje njihej me mbiemrin Dervishaj, ku pothuajse të gjithë anëtarët e saj ishin të shkolluar nëpër kolegjet e universitetet më të dëgjuara të kohës. Sipas kronikanit të famshëm turk, në periudhën e sundimit të Bushatllinjve, ajo familje bëri krushqi me ta. Kështu, Veziri i parafundit i Bushatllinjve, Mustafa Pasha, mori për nuse për vëllanë e tij, një vajzë nga dera e Dervishajve. Nga kjo martesë lindën dy djem, që ishin nipat e Dervishajve, dhe pas vdekjes së të atit të tyre, ajo familje u shua fare prej Vezirit të fundit, si rezultat i kontradiktave të thella e armiqësive të brendshme familjare. Dy djemtë e kësaj familje të cilët quheshin; Mahmut e Dervish, u rritën në pallatin e Sulltanit në Stamboll. Mahmuti kishte dy djem; Hodon dhe Ibrahimin, kurse Dervishi kishte një djalë që quhej Duro. Ibrahimi kishte një djalë; Isufin, ndërsa Hodo, djali i Mahmutit, kishte një motër të martuar te Veziri i Tivarit, dhe një tjetër tek Iljaz Pashë Dibra (Kryetari i Lidhjes së Prizrenit). Hodo vetë, i cili ishte baxhanak me Oso Kukën e famshëm, kishte mbaruar Akademinë Ushtarake të Stambollit. Një farë kohe ai kishte shërbyer në detyrën e qark-komandantit të këtij qyteti, kryeqendra e Perandorisë Osmane. Në kohën e krizës së thellë lindore, Hodua erdhi përsëri në Shqipëri, i caktuar me komisionin e mbikëqyrjes së kufijve. Jusufi (babai i Ramadanit), u shkollua në Shkodër e Stamboll, pa arritur të diplomohet, kurse Ibrahimi, pasi mbaroi me rezultate të larta Universitetin e Drejtësisë në Stamboll, punoi si gjykatës, apo më saktë si interpretues i Kanunit të Lekë Dukagjinit.

(vijon) …