Rexhep Meidani

8 Shkurt 2024

Ish-presidenti Rexhep Meidani u rikthye në kohën kur ushtronte detyrën e parë të tij si pedagog, këtë here duke dhënë leksione për ndryshimet e Kushtetutës në 25 vite.

Por nga auditori me studentë presidenti i tretë në sistemin demokratik nuk ju shmang pyetjes së mediave për agresivitetin e politikës sot e dhënies së formulës së zgjidhjes..

Pyetje: Si e shikoni situatën aktuale në Parlament dhe kush mendoni se duhet të tërhiqet?

Rexhep Meidani: “Normalisht duhet të tërhiqet më i forti, domethënë pjesa e qeverisë. Besoj do të reflektojnë sepse kështu nuk mund të vazhdohet. Në të gjitha rastet kur ka konflikt, ai që është i forti bën lëshimre. Kështu kemi vepruar edhe ne. Për të gjetur zgjidhje i takon atij që ka mundësitë më të mëdha, pushtetin në dorë”.

Këshillat e presidentit Meidani vazhdojnë më tej për socialistët që të mos pengojnë krijimin e komisioneve.

“Ndryshimet e fundit në rregulloren e parlamentit unë nuk i quaj normale. Komisionet parlamentare japin frymëmarrje demokratike jo vetëm Parlamentit, por edhe shoqërisë, e kufizimin e tyre nuk e quaj element pozitiv”, vijoi ai.

Teksa pret që hapin e parë ta bëjë mazhoranca për zbërthimin e ngërçit, presidenti Meidani shfaqet kritik edhe për pafuqinë që ka sot kreu i shtetit; ku është e nevojshme sipas tij ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes.

“Presidenti aktualisht është jashtë loje. Thelbi është se aktualisht roli i tij është i dobët, e nuk përfaqëson zërin e qytetarëve se nuk është zgjedhur nga populli. Situata nuk është pozitive”, tha ai.

Gazeta Sot