7 Korrik 2026

Një lëvizje e papritur gjeopolitike ka ndezur alarmet në prapaskenat e diplomacisë, teksa kryeministri Edi Rama ka sfiduar hapur “vëllamin” e tij, Presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan. Në një akt të guximshëm që mbart peshë të madhe strategjike, Rama priti në zyrën e tij Zëvendëskryeministrin e Rajonit të Kurdistanit të Irakut, Qubad Talabani. Kjo vizitë e bujshme e një prej figurave që Ankaraja e konsideron historikisht si pjesë të “vijës së kuqe” dhe “armikut” të interesave të saj, rrezikon të shpërthejë një konflikt të paprecedentë mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Mungesa e detajeve zyrtare mbi takimin vetëm sa shton misterin dhe dyshimet se Tirana po luan një lojë të rrezikshme me marrëdhëniet pothuajse të papërfillshme që ka pasur deri më tani me këtë rajon. Ndërsa Rama e dokumentoi takimin me krenari në rrjetet sociale, koha e përzgjedhur për këtë pritje ngjan me një provokim të llogaritur mirë. “Kryeministria – Me Zëvendëskryeministrin e Rajonit të Kurdistanit të Irakut, Qubad Talabani, dhe delegacionin që e shoqëron në vizitën e parë në Shqipëri”, shkroi dje Rama në rrjetet sociale.

Takimi u zhvillua pikërisht një ditë para se kryeministri shqiptar të nisej drejt Ankarasë për samitin e NATO-s, duke e çuar tensionin në kulm. Tashmë të gjitha sytë janë kthyer nga Turqia për të parë nëse Erdogan do të pranojë ta takojë Ramën apo do t’i mbyllë dyert në shenjë hakmarrjeje. Kjo përplasje e heshtur konfirmon aludimet e fundit për një ftohje të thellë akullnajore mes dy liderëve, që dikur shfaqeshin si aleatë të pandashëm. Pas fjalimit pro-izraelit të Ramës në Jerusalem, ky afrim me liderët kurdë duket si goditja përfundimtare që mund të shkatërrojë urat diplomatike mes Tiranës dhe Ankarasë zyrtare.

Prapaskenat e krisjes së madhe Rama-Erdogan

Ndërkohë kujtojmë se marrëdhënia dikur e pathyeshme mes Edi Ramës dhe Recep Tayyip Erdogan ka pësuar një krisje të rëndë gjeopolitike gjatë viteve të fundit, duke kaluar nga epoka ku kryeministri shqiptar ishte “i preferuari i Sulltanit” në një përplasje të hapur diplomatike. Pika e kthesës që shkatërroi këtë aleancë ishte çështja e “gylenistëve”, të cilët Erdogan i konsideron terroristë dhe parakusht absolut për miqësinë mes dy vendeve. Edhe pse Turqia i qëndroi pranë Shqipërisë me financime masive gjatë tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë, Rama refuzoi të dorëzonte kokat e qindra gylenistëve, duke deklaruar publikisht se Tirana nuk i ka asnjë borxh Ankarasë.

Kjo “pabesi” solli një valë hakmarrjeje të egër nga lideri turk, i cili nisi sanksionet e heshtura ndaj Shqipërisë duke bllokuar inaugurimin e Xhamisë së Madhe të Namazgjasë. Shenjat e tjera të izolimit u bënë të qarta kur mjekët turq braktisën Spitalin e Fierit me urdhër të Erdoganit, dhe kur ky i fundit e anashkaloi plotësisht Shqipërinë gjatë dy vizitave zyrtare në Ballkan. Madje, gjatë një vizite të Ramës në Turqi vitin e kaluar, u aplikua një terr i plotë informativ, çka shtoi dyshimet se dyert e Stambollit iu mbyllën në fytyrë.

Përballë këtij presioni, Rama nisi një mision të dëshpëruar pajtimi përmes “qokave” financiare dhe politike për të zbutur liderin turk. Ai shpenzoi 8 milionë euro nga paratë e shqiptarëve për të blerë dronët “Bayraktar” nga kompania e dhëndrit të Erdoganit. Paralelisht, qeveria shqiptare mbylli kolegjin “Mehmet Akif” dhe kopshtin “Zubeyde Hanim” të lidhura me lëvizjen Gylen, si dhe ekstradoi me shpejtësi të kërkuarin turk të kriptomonedhave, Faruk Özer, i cili u arrestua në Himarë.

Rama u përpoq ta lajkoste Erdoganin edhe duke sulmuar publikisht Perëndimin për shpërndarjen e vaksinave, duke e ngritur presidentin turk në qiell si shpëtimtar. Megjithatë, të gjitha këto përpjekje dështuan përballë dorës së hekurt të Ankarasë. Goditja përfundimtare erdhi me përjashtimin poshtërues të Ramës nga ceremonia e betimit të Erdoganit në Ankara në vitin 2023, ku morën pjesë liderë nga 78 shtete, përfshirë Kosovën. Ky bojkot tregon se Erdogan e ka shpallur de facto “non grata” kryeministrin shqiptar. “Sulltani” mbetet i prerë: izolimi diplomatik do t’i hiqet Ramës vetëm atëherë kur ai të plotësojë pa kushte të gjitha kërkesat për spastrimin total të gylenistëve nga Shqipëria.