3 Shkurt 2023

Kryeministri Edi Rama duket se është mbërthyer nga ankthi dhe paniku pasi autoritetet amerikanë kanë nisur hetimet për ish-agjentin e FBI, Charles McGonigal, i cili është vënë në aktakuzë nga prokuroria në SHBA, dosja kjo që përmendet edhe shefi i qeverisë shqiptare. Dje të gjithë e prisnin që të jepte sqarime në Kuvend për skandalin“McGonigal”, por ai ju tremb interpelancës dhe nuk shkoi fare në seancë.

Si duket Ramën e kanë këshilluar të shmangë deklarimet në lidhje me këtë çështje në sallën e Kuvendit, kjo pasi salla e Parlamentit ka solemnitet dhe se çdo deklaratë e tij për dosjen “McGonigal”, në rast se hetimet amerikane shtrihen edhe në Shqipëri, ku do kërkohet që kryeministri shqiptar të merret i pandehur, ato mund t’i kthehen në “boomerang”. Kështu që Rama zgjodhi të injoronte interpelancën me vetëdije të plotë.

Rama rrëfen takimin e marrë me ish-agjentin

Megjithatë kryeministri Edi Rama ka vendosur të flasë në media për aferën e me ish-agjentin e FBI. Edhe pse opozita e kërkoi dje të jepte sqarime në Kuvend, ai ka dalë dje vonë në disa media, ku ka tentuar të justifikojë skandalin. Rama është shprehur se me të nuk ka folur për biznes. Sipas tij, takimi i parë ka pasur në fokus ndikimin rus. Ajo që ra në sy është se Rama gjatë gjithë intervistës nuk guxoi kurrë të përmendte emrin e zyrtarit të FBI.

“Unë dua të përsëris se nuk kam se çfarë të them në këtë bisedë, por duke qenë se sot refuzova të jem dhe do të refuzoj në mënyrë të vazhdueshme, jo për çështje konkrete por në tërësi të jem në një sallë Kuvendi, të përfshihem në debat me një opozitë që është në një nivel etik të frikshëm dhe për fat të keq më ka tërhequr dhe mua në atë nivel. Por nga ana tjetër them se sido qoftë në qetësi dhe faleminderit që më jepni ju në këtë rast të shpjegoj ato gjëra që mund të shpjegoj. Ish-zyrtarin e kam takuar me kërkesën e tij. Ka ardhur dhe kemi biseduar në zyrë bashkëbisedim miqësor në terma të përgjithshme.

Më ka treguar se puna ka influencën ruse në tërësi, më ka folur për rajonin ku influenca ruse është prezente, por në Shqipëri ishte inekzistente”, deklaroi ai. Më tej ai ka deklaruar se në SHBA takimet kanë qenë rastësore, për shkak se janë takuar gjatë vizitave në Kombet e Bashkuara. Po ashtu Rama ka pranuar se nuk ka pasur asnjë njoftim ambasada e SHBA mbi këto takime. “Takimet e tjera kanë qenë që kanë ardhur ose si rezultat i pranisë së tij këtu ku jam takuar miqësisht pa axhendë ose i pranisë time në SHBA ku kam qenë në OKB dhe më ka ftuar dhe kam qenë në zyrat e FBI dhe jam takuar dhe me kolegë të tij. Nuk shoh asgjë të jashtëzakonshme. Është marrëdhënie normale dhe nuk është e vetmja që kam me përfaqësues agjencish të ndryshme. Nuk kam asnjë detyrim të lajmëroj ambasadën e SHBA sepse është punë normale e imja”, u shpreh ai.

Kryeministri mohoi se ka nisur hetim ndaj tij

Ndërkohë kryeministri ka vijuar të këmbëngulë se nuk ka hetime në SHBA kundër tij. Ai u pyet dhe për njohje me Agron Nezën e Dorian Duçkën. Neza është ai që dha 225 mijë dollarët dhe Rama shprehet se nuk e njihte deri në momentin e takimit me zyrtarin e FBI. “Rasti ka të bëjë se si ai, pra për rastin në fjalë se ajo çështja tjetër s’ka lidhje me Shqipërinë. Në rastin konkret ka të bëjë si ka zbatuar ai rregullat dhe kodet etike të FBI dhe ligjet e SHBA, jo si i kam zbatuar unë.  Ai ka ardhur sëbashku me një qytetar shqiptaro-amerikan, të cilin ma ka prezantuar si mikun e tij. Dhe unë i kam thënë bujrum. Nuk është folur kurrë në takime për asnjë lloj biznesi”, nënvizoi Rama. Sa i takon parave ai është justifikuar se paratë që përmenden janë një borxh mes Agron Nezës dhe McGongial.

Rama mesazh deputetëve

Më herët gjatë paradites së djeshme kryeministri Edi Rama ka reaguar për debatet në Kuvend. Ai braktisi interpelancën me PD për skandalin “McGonigal”, ndërkohë që ka nisur të justifikohet në rrjetet sociale. Rama shprehet se po i bëhet gjyq politik, pasi ai s’ka lidhje me atë çështje. Në Twitter kryeministri shkruan se drejtësia amerikane nuk ka ngritur asnjë akuzë ndaj tij dhe shqiptarëve të tjerë. “Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara, të cilët duan të mbulojnë diellin me shoshë, ndërkohë që marrëdhëniet tona me SHBA dhe institucionet amerikane janë më të forta se kurrë. Kush i ka dy fije mend e kupton se ç’është e tërë kjo histeri vetëgjyqësie politike e mediatike, mbi një gjyq në Amerikë për një zyrtar të FBI të cilin drejtësia e non gratave këtu pretendon se është korruptuar nga unë, ndërkohë që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim. Një abuzim total me lirinë e fjalës, me të vërtetën, me publikun, në një dëshpërim total moral, politik, elektoral, ku me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu”, shkroi Rama.

Gazeta Sot