Rama në OKB përgatit rezolutë për mbrojtjen e homoseksualëve

26 Shtator 2026

Edi Rama zhgënjeu opinionin publik në Kosovë pas fjalimit të mbajtur në OKB.

Ai nuk tha asnjë fjalë për Kosovën, aq më pak për dënimin e ish-krerëve të UÇK.

Në vend të kësaj, përpara një salle bosh, Rama foli për rrezikun e algoritmeve, që po nxisin protestat kundër tij.

Por duket se Edi Rama ka edhe një prioritet tjetër përpara Kosovës dhe çështjeve të rëndësishme të shqiptarëve.

Mediat evropiane raportojnë se Franca dhe Shqipëria pritet të paraqesin në tetor një rezolutë në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, e cila synon dekriminalizimin universal të marrëdhënieve konsensuale mes personave të të njëjtit seks.

Lajmi u bë publik nga ambasadorja franceze për të drejtat e njeriut, Isabelle Rome, gjatë një takimi të LGBTI Core Group në Nju Jork, më 21 shtator.

Sipas Rome, Franca dhe Shqipëria kanë vendosur të paraqesin së bashku tekstin në Këshillin e OKB-së dhe do të kërkojnë mbështetjen e vendeve anëtare për ta vendosur dekriminalizimin si një normë ndërkombëtare.

Nisma vjen në një kohë kur, sipas të dhënave të cituara gjatë takimit, dhjetëra shtete vazhdojnë të kriminalizojnë marrëdhëniet konsensuale mes personave të të njëjtit seks. Rome tha se aktualisht janë 66 vende që i kriminalizojnë këto marrëdhënie.

Rezoluta franko-shqiptare pritet të diskutohet dhe të hidhet për votim në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut gjatë muajit tetor. Në këtë fazë bëhet fjalë për një nismë të planifikuar, jo për një rezolutë të miratuar tashmë.