Qytetarët mes protestës së opozitës, që kërkojnë largimin e Edi Ramës

Një naftëtar i papunë, një qytetar me shtëpi ende të palegalizuar si dhe një përfaqësuese e shtesës së të përndjekurve bashkohen para kryeministrisë në protestën e tyre kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes.

Nga: Edmond Hoxhaj

Pëllumb Dervishi, naftëtar prej 38 vitesh nga Patosi proteston kundër qeverisë. Foto: Edmond Hoxhaj.

Naftëtari i papunë, Pëllumb Dervishi udhëtoi nga Patosi të shtunën për t’iu bashkuar protestës së thirrur nga opozita përpara Kryeministrisë.

“Kam punuar 38 vjet në naftë dhe na kanë mashtruar. Na kanë nxjerrë nga puna, na kanë mashtruar për statusin e naftëtarit. Ka dy vjet e gjysmë që është ligji dhe nuk e ka zbatuar, na ka hedhur në rrugë,” tha Dervishi për BIRN.

Arsyet e qytetarëve që iu bashkuan protestës së thirrur nga opozita të shtunën janë të ndryshme dhe të shumta. BIRN intervistoi disa prej protestuesve, të cilët u ankuan për keqqeverisjen, papunësinë, mungesën e të ardhmes për fëmijët e tyre si dhe  mosfunksionimin e institucioneve apo lidhjet e politikës me krimin.

Mijëra qytetarë e nisën marshimin e tyre drejt Kryeministrisë në orën 11.00 dhe u larguan nga bulevardi rreth orës 16.00. Përgjatë pesë orëve, mjë pjesë e protestuese thyen kordonin e policisë dhe sulmuan hyrjen e godinës së Kryeministrisë duke tentuar të hyjnë brenda. Policia iu përgjigj duke hedhur gaz lot sjellës për të shpërndarë turmën. Protestuesit gjithashtu hodhën gurë dhe fishekzjarrë ndaj një markize e instaluar nga skulptori Philipe Parreno, ndërkohë që policia u përgjigj duke hedhur gaz lotsjellës nga taraca e ndërtesës.

Shaban Koltraka, me origjinë nga Dibra dhe banues në Tiranë, i tha BIRN se ndonëse ishte kundër akteve të dhunës, do të qëndronte në protestë deri në largimin e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, të cilën e quajti të korruptuar. Si motiv personal për daljen në protestë, Koltraka përmendi sagën e vet me legalizimet dhe rrezikimin për prishje të shtëpisë së tij.

“Letër nga bashkia…nga drejtoria e rrugëve. Aty tek unë ka mbaruar rruga, por dje më erdhi prapë njoftim nga Shqipëria që duam që ti je vendosur sipër objektit rrugë [Rr. Isuf Balta],”tha protestuesi.

“Kjo është arsyeja. Unë do dal këtu sot, nesër, pasnesër, le të bëjnë çfarë të duan. Unë kërkoj të japë dorëheqjen, të vijë një qeveri kush të dojë, dhe ai po s’bëri punën ta rrëzojmë. PD, PS, LSI, të zhduken, të dalë një forcë e re dhe vetëm të mos ketë më korrupsion. Na ikën fëmijët,” shtoi Koltraka për BIRN.

Shaban Koltraka i tha BIRN se arsyeja personale që e ka shtyrë në protestë është moslegalizimi i shtëpisë.

Protesta e 16 shkurtit u thirr nga partitë opozitare, të cilat kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, të cilët e akuzojnë për korrupsion dhe manipulim të zgjedhjeve. Në fund të protestës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se “kryengritja do të vazhdojë deri në largimin e kryeministrit Rama”.

Qytetarët në protestë i thanë BIRN se kërkojnë që eksperimentet e hidhura të tranzicionit në Shqipëri të marrin fund.

“Kërkojmë të largohet ky menjëherë, të largohet nga pushteti edhe të fillojnë jetën shqiptarët, kanë 30 vite eksperimenti me shqiptarët mo, turpi i Zotit,” tha i revoltuar Bardhok Ramaj, i cili e konsideron situatën ekonomike mjaft të vështirë për masën më të gjerë të qytetarëve.

Ndërsa Zamira Kazazi, pasardhëse e shtresës së të persekutuarve gjatë regjimit komunist i tha BIRN se varfëria e tejskajshme dhe keqqeverisja po i detyron fëmijët të largohen nga vendi.

“ Varfërisa e tejskajshme, krimi sheshit. Fëmijët po na ikin jashtë shtetit. Ai [Edi Rama] duhet të largohet sa më parë, sepse fëmijët tanë po marrin rrugët e botës. Ka ardhur momenti që ai duhet të japë dorëheqjen,” tha Kazazi për BIRN.

Opozita paralajmëroi rikthimin në sheshin e protestës të enjten më 21 shkurt.