4 Dhjetor 2023

Nga Elmas Bogdani

Edhe pse jemi në periudhë dimri, ditët dhe javët në vijim pritet të jenë shumë të “nxehta”, veçanërisht për kryeministrin shqiptar Edi Rama. Bëhet fjalë për hetimin e Çarls McGonigal, ish drejtorin e zyrës së FBI-së në Neë York, që vazhdon të jetë në negociata me prokurorët amerikanë për një dënim sa më të ulët në lidhje me takimet e Ramës në Shqipëri në vitet 2017-2018 dhe paratë që ka marrë nga ish-punonjësi i SHISH, Agron Neza për të goditur opozitën shqiptare.

Dosja “McGonigal” pritet t’i shkaktojë shumë probleme, pasi ish-agjenti i FBI është deklaruar fajtor në dy çështje të ndryshme, Nju Jork dhe Uashington. Të dyja të lidhura me veprimet e tij në Shqipëri. Në lidhje me dhunimin e sanksioneve lidhur me Derypaskën, ai do dënohet me burg për një afat të caktuar. Departamenti i Drejtësisë do krijojë një raport se sa vjet do kalojë ai në burg. Në këtë raport mund të përfshijnë informacion të ri.

Pra, të ngrenë çështjen që ai bëri diçka më keq sa dimë ne. Tani kanë të drejtën dhe mundësinë të nxjerrin gjëra të tjera. Vendimi për këtë dosje pritet të jepet më 14 dhjetor, ndërsa për dosjen shqiptare do të jepet në shkurt. Nga ana tjetër alarmi i tij është më i madh, pasi të gjithë menduan se kryeministri mund t’ia hidhte pa u lagur si me rastin e fotos me Barac Obamën, por fundosja e tij mund të vijë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Prokurorët kanë nisur hetimet prej muajsh dhe madje burime ende të pakonfirmuara bëjnë me dije se kreu i SPAK Altin Dumani mund të ketë marrë dosjen e plotë të “McGonigal” nga amerikanët pas vizitës së tyre disa javë më parë në Uashington. Vetë subjekti i hetimit, pra McGonigal e ka pranuar përfshirjen me Ramën dhe qeveritarë të tjerë shqiptarë dhe fajësinë në raportet me ta për të dëmtuar opozitën shqiptare.

Prapaskenat

Këtë detaj e ka konfirmuar pak ditë më parë dhe gazetari i ‘Mother Jones’, Dan Friedman se pritet të ketë të reja në lidhje me dosjen ‘McGonigal’. Sipas tij SPAK mund ta marrë të gatshme dosjen pa problem nga amerikanët. “Besoj se mund të bëhet. Zakonisht është një rutinë shkëmbim informacionesh mes prokurorive dhe organizatave të zbatimit të ligjit në vende të ndryshme. Ata mund të shkëmbejnë informacione.

Natyrisht, McGonigal ka shkundur fort shumë njerëz të ndryshëm në Shqipëri. Pra është një krim atje ,dhe një krim këtu”, u shpreh ai. I pyetur nëse prokurorët e SPAK mund t’ia kërkojnë direkt FBI dhe Departamentit të Drejtësisë të plotë dosjen ku përmendet dhe Rama, Friedman tha: “Nuk dua të spekuloj. Besoj se mund të shkojnë direkt te DOJ. Duam të ndani me ne informacione qe zbuluat duke punuar edhe me ne. Nuk mund të tregojnë se si e morën informacionin mes zbulimit të inteligjencës, por direkt nga DOJ, po. Sa i takon asaj që kanë gjykatat, shumica është bërë publike dhe ata mund të shikojnë ato fakte, natyrisht.”

Rama është marrë në pyetje nga FBI?

Gazeta “SOT” e ka raportuar disa javë më parë dhe lajmin se Rama dyshohet se është marrë në pyetje për 1 orë e 30 minuta nga një prokuror dhe një zyrtar i FBI menjëherë sapo ai zbriti nga avioni në Neë York në vizitën e tij të fundit disa ditore për mbledhjen në Këshillin e Sigurimit në OKB. Pozitat e Ramës janë më të rrezikuara se kurrë pasi në dosjen të cilën disponojnë amerikanët, Charles McGonigal ka pranuar se ka marrë 225 mijë dollarë nga ish-agjenti i shërbimit sekret shqiptar, Agron Nezaj duke u deklaruar fajtor, në këmbim të një dënimi më të ulët. Në marrëveshjen që është arrirë McGonigal i ka treguar të gjitha, që nga vizitat në Tiranë, takimet, bisedat e fshehta, etj.

Në dosjen e bërë tashmë, publike emri i kreut të qeverisë përmendet 11 herë. Në një pjesë të saj, nënvizohet se McGonigal ka përfituar udhëtime me shpenzime të mbuluara në Tiranë, Kosovë dhe Bosnjë, shpenzime që duket se janë mbuluar nga një shqiptar, ndërsa takimet me Ramën duket se janë organizuar nga një shqiptar tjetër, i cili përshkruhet si “këshilltar joformal” i Ramës.

Gazeta Sot