Pritet borë në Tiranë. – Qytetet që goditen nga i ftohti arktik, që mbylli shkollat

– 20.01.22

Mbyllja e shkollave për fillimin e javës së ardhshme ishte një masë paraprake që nxënësit të mos ekspozohen ndaj temperaturave të ulta që pritet të përfshijnë të gjithë vendin. Mësimi do të ndërpritet nga e hëna në të mërkurën, megjithatë meteorologët parashikojnë që i ftohti arktik të godasë vendin që në fundjavë.

Cilat do të jenë qytetet që do goditen më fort nga temperaturat e ulta? Meteorologu Akil Osmani i Meteoalb thotë se pjesa lindore e vendit do të jenë më të prekura nga i ftohti.

“Temperaturat më të ulta do të jenë në verilindje dhe në juglindje duke përfshirë aty Kukësin, Peshkopinë, Pukën ku do të jenë deri në minus 12 apo 13 gradë celcius, po ashtu temperatura të ulta do të jenë në Korçë, Pogradec, Ersekë duke sjellë edhe probleme në shumë rrugë për shkak të ngricave” u shpreh Osmani, që lë të hapur edhe mundësinë që të ketë borë në Tiranë.

Megjithatë për banorët e Tiranës janë të pakta shanset që të shijohet peisazhi i një qyteti të mbuluar nga bora. Bashkë me flokët e borës në Tiranë do të ketë edhe reshje shiu.

“Zona e Dajtit do të ketë reshje të borës, ndërsa qyteti vetëm flokë bore. Vetëm flokë bore bashkë me reshjet e shiut. Temperaturat e ulta vijnë nga Poli i Veriut dhe do të përfshijnë të gjithë rajonin e Ballkanit deri në mesjavën që vjen” u shpreh ai.

Temperaturat ekstreme do të jenë gjatë natës, kur termometri do të shënojë deri në minus 14 gradë celcius.

“Gjatë fundjavës të zbresin edhe në minus 11 gradë celcius, ndërsa në fillim të javës të zbresin në minus 13 ose minus 14 gradë celcius. Në fakt janë 10 gradë më të ulta se vlerat normale. Ndërsa në zonat malore do të zbresin deri në minus 13 gradë celcius. Në Ultësirën Perëndimore temperaturat më të ulta do të jenë gjatë natës, ndërsa gjatë ditës do të jenë 6 apo 7 gradë celcius” tha Osmani.

Ministria e Arsimit njoftoi mbylljen e shkollave përgjatë tre ditëve të para të javës së ardhshme për shkak të kushteve të vështira atmosferike. Në një postim në rrjetin social Facebook, ministrja Evis Kushi tha se orët e humbura pritet të zëvendësohen në vijim sipas një koordinimi që do të bëhet me zyrat arsimore përkatëse.

Gazeta Shqiptare