Nga Bashkim Koçi

Unë nuk e kam takuar kurrë balerinën Ganimet Vendresha. Asnjëherë. Edhe pas disa përpjekjeve që bëra këto ditë për të mundësuar një “pirje kafe” me të, nuk na u bë për mbarë. Ajo tashmë është në moshë të thyer. E ka të vështirë të jetë “hazërxhevap” për takime, për t’iu përgjigjur “tekave” të njërit apo të tjetrit, si puna ime. E megjithatë, kam aq njohje e informacion sa mund të shkruaj e të them diçka për këtë balerinë të madhe.

Kur ishim studentë, gjysmë shekulli më parë, çka na e bënin  të veçantë Tiranën, krejt të ndryshëm nga qytetet e tjera që kisha parë deri atëherë,  ishte Teatri  Kombëtar dhe Pallati i Kulturës. Nuk di pse më jepnin një ndjesi të çuditshme, paksa të largët e hyjnore, sikur brenda atyre ngrehinave kishte njerëz krejt të ndryshëm, të pangjashëm me ne të tjerët që zinim radhë për një marrë një biletë e për të parë shfaqjen e radhës. Të zbritur nga fshati, relativisht të paditur dhe pa asnjë informacion për teatrin, operat apo  baletin, gjithçka që shihnim na jepte një efekt tonik, na ndizte kënaqësinë e mureve të zemrës, duke na i përcjellë ato thellë në shpirt. Pedagogu im i famshëm i kimisë organike, Aleko Xoxe, të parën këshillë që na dha ne studentëve, për çudi, nuk qe ajo e kujdesit që duhet të tregonim për përgatitjen sistematike  në lëndën e vështirë të kimisë organike, por diçka tjetër, që nuk kishte lidhje fare me mësimet në universitet. E dini cila ishte këshilla që na dha profesor Alekoja? Eshtë disi e pabesueshme por unë, studenti i tij, meqë erdhi rasti të shkruaj për një artiste të madhe si Ganimet Vendresha, më duhet ta riprodhoj fjalë për fjalë, ashtu si ai, profesori im i dashur na jepte Edukatë Qytetare në atë fillim shtatori të vitit 1967. “Ju-na u drejtua profesori, si të ishim fëmijët e tij-duhet të mësoni, të studioni sistematikisht në të gjitha lëndët, të mos lini boshllëk nga leksioni në leksion, por…” Qëndroi një çast, aq sa iu desh të krijonte përshtypjen për auditorin. Ne që e dëgjonim me sy e vesh, se do të na thoshte diçka të rëndësishme. “Kërkoj nga ju të gjithë që të njihni mirë kryeqytetin, Tiranën. Kur them “të njihni Tiranën” e kam fjalën që ju të jetoni me zhvillimet në kryeqytet; të njiheni e të shfrytëzoni mirë Bibliotekën Kombëtare; të vizitoni  muzeumet, të mos lini film pa e parë nga ata që shfaqen në kinematë e Tiranës; të shihni të gjitha premierat, dramat, tragjedi apo komedi që luhen  në Teatrin Kombëtar nga artistët tanë të mëdhenj.  Këto ditë në Teatrin e Operas dhe Baletit  po luhet “Halili dhe Hajria”.” Heshti për një moment profesori dhe pastaj na u drejtua përsëri si të na lutej. “Mos lini pa e parë “Halili dhe Hajria”! ”  Do të kënaqeni, do të mahniteni, do të përjetoni ca momente që mund t’i sjellë vetëm një balerinë si Ganimet Vendresha.

Sigurisht që porosia e profesor Alekos u bë pjesë e jetës tonë studentore. Ditët e fundjavës, gati të gjitha, i programonim për të ndjekur veprimtaritë më pikante, kulturore e artistike, të kryeqytetit. Por baleti “Halili dhe Hajria” ishte i pari që do të çelte derën për të përjetuar  botën e madhe të aktorëve të mëdhenj, për të shijuar përsosmërinë e jashtëzakonshme të artit modern. Dhe këtë përsosmëri, nga ato që klasifikohen si “të shenjta”, mund t’i  kthente “në gjallesë”  një balerinë, një shpirt i etshëm prej artisti si ai i Ganimet Vendreshës.

“Ai që do të mësojë që të fluturojë një ditë, duhet së pari të mësojë të rrijë në këmbë, dhe të ecë dhe të vrapojë, dhe të ngjitet, dhe të kërcejë. Nuk mund shkosh me fluturim për të mësuar fluturimin”. Kur kam lexuar këtë thënie  të filozofit gjerman Fridrih Niçe mendja më ka shkuar tek puna, tek përpjekjet që duhet të bëjë njeriu, tek mundimi, lodhja, tek ngarkesa dhe mbingarkesa për të arritur tek suksesi. Një ndër ekzemplarët e rrallë, një nga ata që e kishin ndarë mendjen për t’u bërë të famshëm qysh në moshën e hershme të rinisë, është edhe Ganimet Vendresha. Ajo  nisi të vrapojë, të ngjitet e të rrëzohet, të ecë e të kërcejë qysh nga viti 1950, atëherë kur iu dha mundësia e jashtëzakonshme për të studiuar e përgatitur si balerinë në të famshmin “Teatër Balshoi”, në Moskë. Ganimet Vendresha, e cila tashmë i ka kapërcyer vitet e një gradaçieli 80 katësh, të jep mësim, të qorton e këshillon se suksesi nuk mund të të vijë pa u “gjakosur”në rrugëtim për tek ai.

Ajo e filloi dhe e mbylli veprimtarinë e saj si balerinë duke luajtur me emra të mëdhenj artistësh, të cilët kanë zënë vend e na kanë mbetur në kujtesë qysh nga mosha e rinisë, si:  Xhemil Simixhiu,  Petrit Vorpsi, Zoica Haxho, Agron Aliaj apo Melushe Bebeziqi.  Menjëherë na shfaqen “të mëdhenjtë”,  ata që për dekada me radhë punuan për të pastruar pluhurin e së përditshmes në shpirtrat tanë. Aty, pra në “Teatër Balshoi” studiuan për gjashtë vjet, dhe paralelisht me shkollimin, interpretuan  në skenën e teatrit emërmadh. Ganimeti ka qenë pjesë e një prej shfaqjeve, “Liqeni i Mjellmave” të Çajkovskit, por edhe  disa të tjerë,  prurje hungareze apo spanjolle. Ajo ka interpretuar  me një grup profesorësh, nga më të mëdhenjtë e baletit të atyre kohëve. E ka konsideruar veten me fat sepse të studioje në një shkollë të famshme si “Teatër Balshoi” do të thoshte se kishe lindur “me këmishë”. Nuk mund ta kishin këtë shans të gjithë. Moska ishte vendi ku kishte kulmuar arti, ku spektatorë dikur kishin qenë edhe mbretër,  pa përmendur personalitete të mëdhenj politikbërës të kohës, të Stalinit e dhjetëra të tjerëve. Diploma e saj, kur përfundoi studimet,  mbante firmën e mjeshtres së madhe, e të papërsëritshmes Galina Ulanova. Ka qenë një mbrojtje e vështirë, dinjitoze, duke vallëzuar rolin e Maria Potocka në baletin Bachczysaraju.

Në balet nuk ka fjalë. Komunikimi me spektatorin bëhet nëpërmjet lëvizjeve, mimikës, të cilat pastaj përcjellin mendimin. Sa e vështirë për të realizuar artistikisht, për të “bindur” shikuesin se lëvizjet, akrobacitë, gjërat që duken në aparencë,  tjetër  kuptimi mbartin ato në brendësi. Nuk kanë qenë vite të lehta për  balerinën Ganimet, për sjellë tek artëdashësit personazhe kaq të vështirë, personazhe që u duhej fshirë pluhuri i shtresuar në shekuj. I janë dashur dy muaj prova, pa ndalim, për t’u transformuar nga Ganimet në Hajrie. Punë sfilitëse, apo jo?! Punë që mund ta përballojë vetëm një dashuri e çmendur për profesionin, vetëm përgjegjshmëria e pazakontë për t’u bërë dikushi në jetë. Vetëm në dy fjalë mund të përmblidhet Ganimet Vendresha, përgatitja për të realizuar një personazh baleti: artisti tjetërsohet, nuk është më vetvetja.

Nëse ti je duke punuar për të kapur një sukses, por një zë i brendshëm  të thotë “mos, ti nuk mund të bëhesh i suksesshëm”, atëherë mos u ndal, vazhdoje punën dhe do të marrësh vesh se ai zë nuk do të dëgjohet më. Këtë gjë e ka përjetuar edhe balerina jonë e madhe, Ganimet Vendresha. Thirrjen e së keqes “mos, ti nuk do të arrish të bëhesh balerinë”, ajo ia zuri “fyçkën” me këmbënguljen që mund ta ketë vetëm një pasionante që nuk di ç’është lodhja, ç’është tërheqja, ç’është “pazari” për ta gjetur lumturinë tek rehatia. Besoj se ka qenë kjo dhe vetëm kjo që balerina e madhe të mund të luante në kryeveprën e Çajkovskit   “Liqeni i Mjelmave”, kryeveprën shqiptare “Halili dhe Hajria”  apo “Lola”,  “Mirandolina” etj.  Janë më shumë se 140 role të interpretuara prej saj.

E vetmja mënyrë për të bërë punë të mëdha është që ta doni atë që bëni. Kjo është një nga porositë më të sinqerta që ajo ua jep balerinëve të rinj. Në një intervistë të shkurtër për “Virtuozët”, shfaqje shumë e suksesshme në TV Klan, balerina-legjendë, Ganimet Vendresha tha një tog-fjalësh që, hollë-hollë, ishte edhe një porosi e madhe, nga ato porositë që ia ka dhënë vetë jeta  në gjysmë shekulli si balerinë. “E fillove një punë, një profesion, një detyrë a ku di çfarë? Ndaje mendjen!”  “Ndaje mendjen!” janë dy fjalë të thjeshta, por që mbajnë brenda një porosi të madhe. E dini ç’do të thotë “ndaje mendjen” për Ganimet Vendreshën? Do të thotë “mblidh forcat, thirri mendjes për këtë punë të madhe që ke nisur, harroi ca gjëra që mund të prishin humorin e rehatinë”. Këtë përfundim ajo e ka nxjerrë nga vetja, nga peripecitë dhe vuajtjet që e shoqëruan në të gjithë karrierën e saj si balerinë. Nuk është sakrificë e vogël të qëndrosh larg fëmijëve, të bëhesh “haram” i shtëpisë, të privohesh nga gëzime e ngjarje emocionuese të familjes. Dhe Ganimeti u bë “armiku” i vetvetes sepse e “kish ndarë mendjen” për t’u bërë balerinë e nivelit që ëndërronte. Mu pre oreksi, mu prish gjumi, u tjetërsova si njeri-shkruan kjo mjeshtre e madhe kur kujton vitet që guxoi të merrej me atë që kërkonte  kryeguxim, baletin.  Guximi për këtë balerinë të niveleve  shumë të larta ka gjenialitet, ka pushtet, por edhe magji brenda. Kjo e fundit, pra magjia, e shoqëron edhe sot e kësaj dite si të jetë pjesë e pandarë e shpirtit të saj.

Nuk është thjesht çështje fati, drejtimi apo suksesi  që merr njeriu në jetë. Fati ka pjesën e tij, por kur ky fati shikon se ç’punë e përpiekje bën njeriu për të arritur majat, ashtu si Ganimet Vendresha,  mban anën e atij që guxon. Në rastin tonë fati mbajti anën e balerinës Ganimet. E di pse? Sepse ajo guxoi. Ajo guxoi të përballej me kërkesat e jashtëzakonshme të krijimeve të Çajkovskit, te baleti “Halili dhe Hajria”, por edhe shumë të tjerë që luajti më pas. Vetëm një karakter i fortë mund  t’u qëndronte me dinjitet profesional kërkesave absolutisht strikte të një koreografi si Panajot Kanaçi. Vetëm ajo  iu përgjigj pa asnjë kusht  seriozitetit  të kompozitorit Tish Daija e dirigjentit Mustafa Krantja. Por edhe me  diçka tjetër, shumë më të vështirë, e që ndoshta ish vetëm Ganimeti që mund t’ia dilte: partneri i saj, Xhemil Simixhiu, i cili luajti në mënyrën më të mirë të mundshme rolin e Halilit.

Ganimet Vendresha, e cila tashmë e konsideron të mbyllur veprimtarinë e saj, si e tillë, ndjek me merak të madh ecurinë në krijimtarinë e baletit  dhe, kur vëren se në ndonjë rast  punët nuk shkojnë mirë,  nuk  qëndron “gojëkyçur”. Flet e jep këshilla. Sipas saj të përmirësosh do të thotë të ndryshosh, të jesh në përsosmëri. Dhe përsosmëria vjen duke u ballafaquar me arritjet botërore, me përvojën tonë të shkëlqyer prej shtatë dekadash, duke bërë analiza tekniko-artistike në krijim, interpretim dhe ekzekutim. Ajo, sipas këshillave që ka dhënë së fundmi, është e mendimit se ka ardhur momenti të trajtohen tema dikur “të panjohura”, të cilat për kohën e saj, ishin tabu. Në veprat e baletit, sipas Ganimetit, nuk ka pse të mbyllen sytë mbi atë çka ndodh me shoqërinë njerëzore, me përpjekjen e njeriut në mes ekzistencës dhe mosekzistencës. Jeta, sipas saj, është  intensive, e mbushur me dhimbje të mëdha, çoroditëse, kur çekuilibrat psikologjikë, shpirtërorë e shoqërorë ndryshojnë shumë shpejt, në mënyrë marramendëse, të cilat vështirësojnë dhe errësojnë të ardhmen.

Kam dëgjuar të thuhet se e madhja dhe e mira rrallë jetojnë në simbiozë me njëra-tjetrën, tek i njëjti njeri. Janë cilësi super të larta, super të virtytshme. Balerina jonë, e cila e kërkoi mundësinë e suksesit tek çdo vështirësi që i doli përpara, meriton t’i thuash: virtuoze, e madhja dhe e mira Ganimet.

Me Enver Hoxhën dhe Çu En Lain

Duke kërkuar në “Google” gjetëm diçka që nuk mund të mos shënohet për veprimtarinë artistike të Ganimet Vendreshës.

“Halili dhe Hajria”  u ngjit në skenën e TKOB-it në vitin 1963. Ajo mbrëmje e shfaqjes paska përkuar me vizitën e Kryeministrit kinez Çu En Lait, i cili ato ditë ndodhej në Tiranë. Për balerinën Ganimet  mbetet një nga momentet më mbresëlënëse, më të bukura në historinë e karrierës së saj artistike. Bashkë me Xhemilin, Zoicën, Petritin e Miltiadh Papën në përfundim të shfaqjes, kur kanë dalë në korridor për të shkuar më pas në dhomën e zhveshjes, Enver Hoxha, i cili shoqëronte autoritetin e lartë politik kinez, i ka parë. Ai, pra Enveri, është shkëputur nga grupi i politikanëve dhe bashkë me Çu En Lain u kanë dhënë dorën, e më pas i kanë përgëzuar për shfaqjen. Enveri i është drejtuar Ganimetit: na befasuat, interpretim shumë i bukur, shumë dinjitoz. Ka qenë çast të cilin ajo nuk e ka harruar. U mpiva, shënon në kujtimet e saj Ganimet Vendresha. Sipas saj, ishte emocion i madh të të lëvdonte njeriu më i pushtetshëm i vendit.

Një natë përpara ikjes së Çu En Lait, u organizua një darkë e madhe, darkë qeveritare, kujton balerina e madhe. Mbrëmja ishte e organizuar në tri salla, ndërsa vendet ishin të përcaktuara me emra të shënuara mbi tryeza. Në sallën qendrore ishin vendosur Byroja Politike, ndërsa në dy sallat e tjera ishin artistët dhe të ftuar  të tjerë. Në sfond ishte vendosur muzikë popullore. Në një çast të gjithë ishin ngritur në kërcimin e radhës. Ajo mban mend që në një moment kish mbetur vetëm, të gjithë ishin ngritur në valle. Edhe Enver Hoxha. Ai e paskësh parë vetëm dhe prej mesit të sallës, me zë të lartë, i ka bërë zë  që të çohej.  Për një moment u hutova dhe nuk lëviza nga vendi, shënon në kujtimet e saj Ganimeti. Pranë meje, shënon ajo, vjen Ramiz Alia dhe më thotë: po të fton Enver Hoxha. Pasi “u zgjova” nga ai hutim i  pazakontë, u ngrita, e kapa nga dora Enverin, duke iu bashkuar rrethit të kërcimtarëve në  valle, shkruan në kujtimet shumë të sinqerta balerina Ganimet.