16 Maji 2026

Ish-kandidati për deputet i PD-së në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 dhe këshilltari i bashkisë së Tiranës, Ilir Alimehmeti, mendon se integrimi i vendit nuk është çështje letrash, por vlerash dhe se në BE nuk shkohet duke mbrojtur në bllok imunitetin e zv/kryeministres Belinda Balluku, tashmë e shkarkuar dhe e pandehur nga SPAK-GJKKO në masë sigurie për abuzim me detyrën.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së komentoi aktualitetin politik dhe jo vetëm, duke analizuar ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit, drejtësinë, skandalet në qeveri dhe zgjedhjet në parti.

Duke iu referuar edhe votimit të Rezolutës në Kuvend për integrimin pas paktit PD-PS të enjten, me 114 vota, ai tha se e mbështet.

“Në faktorin ndërkombëtar është gjëja më e rëndësishme, në atë kombëtar është çështje tjetër. Integrimi s’është vetëm çështje letrash e dokumentesh. Qeveria dhe mazhoranca nuk ia ka shpjeguar shqiptarëve kapitujt, klauzolat apo siglat, që nuk i kuptojnë. Shqiptarët janë për integrimin evropian dhe për vlerat por vlerat nuk janë vjedhjet dhe korrupsioni. Edhe Kosova është para Shqipërisë në vlera. Kjo ka të bëjë me ndryshim të stilit të qeverisjes dhe metode ndaj sjelljes te njerëzit sepse në Evropë shkohet me vlera. Problemi kryesor në Shqipëri është ikja e trurit, ikja e të rinjve, po largohet e ardhmja e Shqipërisë se këtu nuk po bëhet puna që duhet. Nuk është vetëm problem i korrupsionit dhe i drejtësisë. Por ka edhe të tjera, mungesa e sigurisë, shëndetësisë, arsimit dhe madje ajo e pronarëve apo ish-pronarëve. Po t’ia vendosësh në një fjali të vetme themi “Shqipëria nuk bëhet”, tha ai mes të tjerash.

Dhe më tej shtoi se:

“Sa i përket integrimit në BE, në NATO, PD ka qenë nismëtare e këtyre iniciativave. Ka mbështetur rrugën drejt BE. Duam të çojmë para vullnetin e njerëzve. Integrimi nuk është thjesht mbyllje kontratash. PS që e kishte motiv në fushatë BE, nuk ka shpjeguar se çfarë të mirash vinë nga integrimi”. 

Alimehmeti ndau argumentet e tij edhe për arsyet përse Shqipëria me këtë qeveri e ka të pamundur për t’u integruar.

Një nga shkaqet është mbrojtja e imunitetit të Belinda Ballukut, për të cilën BE kishte deklaruar test për vendin tonë dhe si linjë të kuqe.

“Nuk mund të kesh këto lloj korrupsioni me këto shifra dhe të shkosh në BE. Të kesh një tufë me ministra në burg, e të thuash që kryeministri nuk dinte gjë dhe se po hanin dardha dhe kumbulla pas shpinës së tij! Të kesh një kryebashkiak në burg dhe të thuash që bashkia e Tiranës po funksionon! Të kesh një zv.kryeministër në arrati, një zv.kryeministre që kërkohet t’i hiqet imuniteti, dhe PS voton kundër, qeveria nuk është në kushte normale. Ky nuk është një vend normal. Kryeministri ka një plan të vetin, që është largimi i njerëzve. Sepse do pasuritë e këtij vendi. Kryetarët e bashkive tani janë në garë për “paketat e Maleve”, del kryetarja e Lushnjës dhe thotë kam bërë kaq paketa malesh, po ku ka male në Lushnjë? Del kryeministri dhe thotë dua 10 paketa malesh për bashki” u shpreh ai.

Në lidhje me skandalin e AKSHI-t dhe masën e zbutur për Mirlinda Karçanajn, Alimehmeti tha se SPAK po heton se çfarë ka bërë ish-drejtoresha, teksa doli në pah se institucioni i ishte lënë në dorë botës së krimit.

“Me aq sa u pa, kuptuam se ja paskemi dhënë në dorë kriminalitetit. Ato menaxhuakan jetën tonë. Kadastrën, certifikatat e sigurisë kombëtare. Ata i kishin. Pamë aty policinë e shtetit. Deputetë, ministra që kërcënojnë. Këta kanë marrë në dorë shtetin, shteti dhe bandat janë një. AKSHI është agjenci nën kryeministrin. Dhe kësaj i kanë ngrenë dardha dhe kumbulla pas shpine. Ky është dëm për shqiptarët. Ata kanë akses në burgje, në çdo të dhënë tonën. Shpresoj që mos të kenë akses te bankat”, shtoi ai.

Për Alimehmetin drejtësia duhet të vijojë më tej punën e saj dhe ai ishte mbështetës i përhershëm.

“Unë drejtësinë dhe institucionet do i mbështes gjithmonë dhe i kam mbështetur. Drejtësia nuk mund të flitet me emra, drejtësia duhet të ecë përpara. Kemi pasur 16 mijë dosje të prapambetura dhe tani kemi shkuar 200 mijë”, tha ai.