Moti i keq në qarkun e Elbasanit, rrëshqitje dherash në Dragostunjë! Shembet ura, izolohen 9 fshatra

16 Maji 2026
Reshjet e shiut kanë përfshirë rreth mesditës qarkun e Elbasanit, kryesisht me intensitet të ulët, të shoqëruara me erë të fortë dhe në disa zona me rrebeshe shiu.
Problematika më e theksuar është regjistruar rreth orës 14:00 në kthesat e Dragostunjës, ku pati rënie inertesh në rrugë. Situata shkaktoi vetëm ngadalësim të lëvizjes së automjeteve.
Ndërkohë, një tjetër problematikë është shfaqur në Njësinë Administrative Karinë të bashkisë Peqin, ku në fshatin Sinaballaj është shembur ura tip “Bailey”.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk ka pasur dëme në njerëz apo mjete. Dyshohet se shembja e urës ka ardhur si pasojë e kalimit të mjeteve të tonazhit të rëndë gjatë natës.
Si pasojë, aktualisht është ndërprerë qarkullimi për zonën që përfshin 9 fshatra të Peqinit, por edhe disa zona të Rrogozhinës.
Autoritetet bëjnë me dije se po punohet për hapjen e një kalimi të përkohshëm pranë urës, me qëllim rikthimin sa më shpejt të lëvizjes së banorëve dhe mjeteve.


