Politika mbron veten

11 Mars 2026
Nga Migena Aleksi
Shumica socialiste vendosi të votojë kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, duke mos autorizuar heqjen e imunitetit të saj në Kuvend.
Argumenti i PS-së së Ramës është se nuk është provuar rreziku i prishjes së provave, Balluku nuk mban më funksion ekzekutiv dhe masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit është e mjaftueshme që hetimi të vazhdojë.
Ajo që po ndodh duhet parë në dy plane, ligjor dhe politik. Në Shqipëri këto dy dimensione shpesh përzihen.
Në teori, reforma në drejtësi u krijua pikërisht për këtë moment, kur drejtësia prek një figurë të fuqishme politike.
Nëse shumica parlamentare përdor votat për të bllokuar kërkesën e SPAK, na bëhet e qartë se politika ende mund të vendosë kufi mbi drejtësinë.
Problemi nuk është nëse Balluku është fajtore apo jo. Problemi është kush e vendos këtë, Gjykata apo Parlamenti. Por ky është një refleks klasik i politikës shqiptare. Nuk është diçka e re. Edhe në të kaluarën politika ka mbrojtur njerëzit e vet, opozita ka kërkuar arrestime dhe rolet thjesht kanë ndryshuar.
Madje edhe në këtë rast është bërë krahasimi me precedentë të mëparshëm kur mazhoranca mbrojti figura të saj nga hetimet. Pra, kemi një model të përsëritur. Kur drejtësia prek pushtetin, parlamenti bëhet mburojë politike.
Mesazhi publik është problemi më i madh. Edhe nëse argumenti juridik i PS do të ishte korrekt, efekti publik është shumë negativ.
Sepse qytetari jopartiak sheh këtë skenë, që SPAK kërkon arrest, Parlamenti thotë jo, personi është një nga figurat më të fuqishme të qeverisë. Në atë opinion publik që kërkon ecjen e Shqipërisë përpara në kuprimin shtetformues kjo që ndodhi përkthehet në një fjali të vetme. Politika mbron veten!
Ka edhe një dimension tjetër. Arrestimi i Ballukut do të krijonte një krizë të madhe politike brenda qeverisë. Prandaj reagimi i shumicës nuk është vetëm juridik, por edhe instinkt për mbijetesë politike. Për të thënë më të paktën. Sepse zërat janë që nëse lejohej arrestimi i saj, hetimi do të shkonte patjetër te Kryeministri.
Gjithsesi, në një demokraci të konsoliduar, përgjigjja do të ishte shumë e thjeshtë. Parlamenti nuk duhet të bëhet gjykatë. Nëse prokuroria kërkon arrest paraprak hetimor dhe gjykata duhet ta vlerësojë (bën vaki e lironte dhe gjykata), deputetët zakonisht e japin autorizimin dhe lënë gjykatën të vendosë.
Edhe njëherë tjetër parlamenti u bë mburojë politike e njerëzve të pushtetit. Pyetja e madhe u rikthye: A është drejtësia e pavarur nga politika? A bëml reformë? Apo edhe ky investim ra si rrugët?
