Plas skandali, kreu i komanduar i SHISH – Elvis Lila “ushtar” i bandave, si kopjoi targat e prokurorit të SPAK që Ergys Agasi të lëvizte i paprekur në Shqipëri, Vlora Hyseni mori urdhra nga dy agjentë rusë për të përgjuar diplomatin amerikan, ja akuzat

29 Shtator 2026
Hetimet e nisur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) ndaj kupolës së Shërbimit Informativ të Shtetit duket se kanë tronditur themelet e sigurisë kombëtare, duke zbardhur akuza tronditëse për përfshirjen e drejtuesve më të lartë të SHISH në veprimtari kriminale dhe spiunazhi. Përmes këtij hetimi goditës, SPAK ka ngritur dyshime se eksponentë të inteligjencës vunë logjistikën shtetërore në shërbim të krimit të organizuar dhe jovetëm. Konkretisht shefat e drejtorive në Shërbimin Informativ të Shtetit, me porosi të drejtueses Vlora Hyseni dhe për t’i ardhur në ndihmë Ergys Agasit, raportohet se kanë kopjuar targat e SPAK dhe i kanë vendosur ato mbi një makinë “Skoda” duke imituar mjetin e prokurorit.
Prokuroria e Posaçme dyshon se këto veprime janë ndërmarrë nga shefi i Operacionales në SHISH, Jurgen Kole dhe Elvis Lila, i cili menjëherë pas shkarkimit të Vlora Hysenit, u komandua drejtues. Gazetari Arsen Rusta shkruan se këta vartës kanë zbatuar porositë e ish-drejtueses dhe kanë kopjuar targat e makinës së Prokurorisë së Posaçme dhe i kanë vendosur mbi një makinë identike si ajo e prokurorit që e përdorte. Mjeti i dublikuar më pas është vënë në dispozicion të Egrys Agasit dhe biznesmeni kontravers lëvizte i pa shqetësuar në Durrës dhe qytete të tjera, sepse Policia dhe shërbimet e tjera mendonin se në të po udhëtonte prokurori i SPAK. Në të vërtetë, makina e vërtetë ndodhej e parkuar në ambientet e SPAK sepse prokurori ishte në zyrën e tij, në krye të detyrës. Ndërkohë, sinjale vinin se mjeti i dublikuar, lëvizte në Durrës dhe kryente dhe shkelje rrugore. Sipas denoncimit të gazetarit Arsen Rusta, i cili ka parë dosjen, Ergys Agasi e kishte pajisur mjetin me fenelina dhe ajo përngjante identikisht me makinën e prokurorit të SPAK. Duke shfrytëzuar targën e kopjuar dhe mjetin identik, si dhe pajisjet sinjalizuese e fenelinat, biznesmeni i kërkuar lëvizte në shkelje të sinjalistikës, ndërsa autoritetet e lejonin duke menduar se prokurori i SPAK ishte në drejtimin e ndonjë operacioni sekret dhe mjeti nuk mund të ndalohej për verifikim.
Denoncimi i gazetarit Rusta
“Si Vlora Hyseni dhe SHISH terrorizuan SPAK-un dhe drejtësinë / Duke i vjedhur targat për… Një nga dhjetëra faqet e dosjes së aferës së SHISH-it u komentua së fundmi nga kryeministri Edi Rama, si një linçim ndaj Vlorës. Por ama, në shumë faqe të tjera rezulton një linçim i përdishëm i vartësve të Vlorës, ndaj SPAK-ut dhe jo vetëm. E kta vartës janë sot ende drejtues në SHISH. I denoncuar publikisht është Jurgen Kole, ndërsa në listën e të dyshuarve të SPAK janë Kole dhe drejtuesi aktual Elvis Lila. Vetëm një episod do të mjaftonte që i gjithë zinxhiri drejtues i SHISH-it të ishte në pranga sot e më e pakta shkarkuar nga qeveria. E mqs spak u akuzua për masë drastike, prokuroria është treguar e butë dhe jo agresive. Sipas Kodit të Procedurës Penale, masa ekstreme është arresti me burg dhe jo arresti në shtëpi, z. Kryeministër.
Nëse nuk e dini, mësojeni. Mjeti Skoda, në pronësi të SHISH-it, që përdorej nga znj. Hyseni dhe z. Kole, e disa të tjerë në SHISH mbante targat AB 5XX XX.

I njëjti mjet Dyshohet se përdorej për lëvizje të sigurta edhe nga i kërkuari nga drejtësia, i dashuri i Vlorës, të cilit i besohej nga SHISH-i. Por zyrtarisht kjo targë AB 5 XX XX i përket një prokurori në SPAK. E teksa hetimi vijonte e vijon dhe Prokurori ishte në zyrë dhe makina në parkimin e SPAK-ut, ky mjet lëvizte me fenelina nëpër Durrës, Elbasan e disa qytete të shqipërisë, e jo vetëm lëvizte por shkelte edhe rregullat e qarkullimit. Pra dikush disa dhe Vlora me siguri e di mirë se si guxuan apo u urdhëruan ta bënin edhe vodhjen e targave të prokurorit të Spak dhe vetë Spak-ut për ti përdorur në një operacion ilegal. E nderuara qeveri, i nderuar z.Rama, në tillë situatë SPAK të ka dhënë një mundësi: hap sytë nga delirantët, sepse nuk do të jetë e largët dita kur, siç kanë folur në emrin tuaj, kanë filluar të thonë se ti do t’i mbrosh pasi ata të santazhojnë. Kjo nga kafenetë e rrugës. Në këtë situatë në mos e falenderofsh SPAK-un dhe prokurorinë, lëri të bëjnë punën. Mëso edhe ti sa dardha kanë ngrënë, vjedhur e molepsur pas shpinës tënde, qeverisë dhe në kurriz të shqipërisë”, shkruan gazetari Arsen Rusta, raporton “Weblajme.com”.
Reagon Noka
Ndërkohë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, denoncoi publikisht se siguria kombëtare ka rënë në duart e krimit të organizuar. Sipas Nokës, kreu i komanduar i SHISH, Elvis Lila, ka ndërmarrë aksione banditeske duke kopjuar targat e prokurorëve të SPAK-ut për t’i vënë ato në shërbim të Ergys Agasit, ngjarje kjo që sipas opozitës dëshmon shndërrimin e inteligjencës shtetërore në një shërbim informativ të karteleve. “Shërbimi Informativ i Karteleve
Prova e radhës se siguria kombëtare ka rënë dhe se Shërbimi Informativ i shërben krimit të organizuar. Elvis Lila, i cili zëvendësoi Vlora Hysenin në krye të #SHISH, ka ndërmarrë aksione banditeske për llogari të Ergys Agasit, pasi kopjoi targat e #SPAK dhe ia vendosi një automjeti të ngjashëm me atë të prokurorit. Bashkëpunëtor për të tilla shërbimeve ndaj Agasit ka patur shefin e operacionales në SHISH, Jurgen Kole. Të tilla skandale janë tipike të një narkoshteti”, shkroi dje Noka në rrjetet sociale.
Gazetari Fitim Çeku i plas skandalin Vlora Hysenit
Nga ana tjetër, dje Fitim Çeku, një gazetar shqiptar nga Kosova, ka publikuar dokumentet e nxjerra nga rrjeti i hakerave “Homeland Justice”, i cili nga autoritetet në Tiranë është lidhur me rrjetet iraniane që dyshohet se sulmuan sistemet qeveritare. Këtë të dielë, grupi në Telegram publikoi identitetet e rusëve. Bëhet fjalë për shtetasit Andrei Glushchenko dhe Andrei Dotsenko, që sipas gazetarit investigativ nga Kosova, janë dy diplomatët e Ambasadës Ruse në Tiranë, ama dyshohet se punojnë edhe për shërbimet ruse të inteligjencës. Fitim Çeku thotë se për këta emra, ata janë informuar përmes kanaleve të informacionit 1 vit më parë, përmes një emaili “konfidencial”. Gazetari thotë se pikërisht këta dy rusë, ndihmuan Vlora Hysenin, Kosovën dhe Serbinë për të përgjuar diplomatët amerikan.

Gazetari nga Kosova shkruan për dy rusët
“Vlora Hyseni, së bashku me bashkëpunëtorët e saj përfshirë Fatmir Shehollin dhe agjentë lokalë në Kosovë dyshohet se mori urdhra nga këta dy rusë për të mbajtur nën vëzhgim një diplomat amerikan dhe eventualisht një gazetar nga Kosova. Për këta emra që janë pjesë e komplotit në Ballkan na u informuam përmes kanaleve tona të informacionit 1 vjet më parë përmes një emaili “Konfidencial”. Çuditërisht, një faqe në telegram i paska publiku këto dokumente sekrete, e cila paraqitet si faqe që kontrollohet nga qeveria e Iranit, por në shumë mundësi këto dokumente i ka nxjerr Ergys Agasi të marrura nga Vlora Hyseni”, shkruan ai. Gazetari shqiptar i Kosovës, thotë se tani që skandalet kanë dalë në dritë, të gjithë po luftojnë që të largojnë përgjegjësinë nga vetja.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Nga Gazeta Sot
