Jusufi e tre djemtë, në burgjet e regjimit komunist

Për herë të parë, babai i Ramadanit, Jusufi, do të zbohej nga qyteti i tij i lindjes, Shkodra, prej turqve në fillimet e para të këtij shekulli. Pas largimit nga Shkodra, ai u vendos në Bosnjë dhe në Mal të Zi. Në vitin 1913, Jusufi u martua me një vajzë nga familja e njohur e Jukajve në Shkodër, e cila quhej Aishe. Nga kjo martesë atyre u lindën 9 fëmijë; tre djem e gjashtë vajza. Në periudhën e pushtimit italian, (1939-1942), për bindjet dhe aktivitetin e tij antifashist, Jusuf Sokoli u internua dy herë në gadishullin Apenin. Gjatë asaj kohe, Ramadani (i dyti i vëllezërve), i cili në ato vite studionte në Konservatorin e Firences, shkonte herë pas here për ta parë të atin në vendin e internimit. Këtë fat kishte pësuar edhe Aishja në Luftën e Parë Botërore, e cila në kohën e gjurulldirave që përfshinë Shkodrën, u burgos dy herë nga austriakët. Pas mbarimit të luftës, Jusufi u arrestua përsëri nga regjimi komunist dhe u burgos për dy vjet me radhë në 1946-’48 në qytetin e Shkodrës. Dënimi i Jusuf Sokolit, erdhi pas akuzave që iu bënë si pjesëmarrës në kryengritjen antikomuniste të Postribës. Po kështu, fare pak kohë pas mbarimit të luftës, u arrestua edhe djali i parë i Jusufit, Ibrahimi, i cili ishte diplomuar për Drejtësi në Beograd në fund të viteve ’30-të. Ibrahimi asokohe njihej ndër ajkën e intelektualëve të rinj të qytetit të Shkodrës dhe në periudhën e pushtimit fashist kishte aderuar në Lëvizjen e Legalitetit. Ibrahimi pati një fat tejet tragjik, pasi atij i kaloi pothuajse e gjithë jeta në burgje e internime, duke bërë plot 27 vjet burg, së bashku me gruan e tij, Shano Hasan Dostin, dhe kjo e burgosur për faje politike. Pas Jusufit e Ibrahimit, po në vitin 1946, u arrestua dhe u dënua me 5 vjet burg politik, edhe vetë Ramadani, duke u akuzuar për agjitacion e propagandë dhe si pjesëmarrës i kryengritjes së Postribës. I cilësuar si armik i popullit, Ramadani e vuajti të gjithë dënimin dhe u lirua nga burgu në vitin 1950, pasi kishte punuar në kanalet e kënetat e Bedenit të Kavajës. Si për ta plotësuar deri në fund regjistrin e dënimeve të familjes Sokoli, në vitin 1960, u arrestua dhe u dënua me 25 vjet burg politik dhe vëllai i tretë i asaj familjeje (më i vogli nga tre vëllezërit) Hodua, i cili u ridënua në burg me kryengritjen e Spaçit. Hodua mundi të lirohet nga burgu vetëm në fundin e vitit 1990, pas ndërhyrjes së Ismail Kadaresë, i cili ishte mik i ngushtë i Ramadanit. Ndërsa vëllezërit Sokoli vuanin në burgjet e regjimit komunist, dy prindërit e tyre, Jusufi me Aishen, u ndanë nga jeta në një kohë të shkurtër nga njëri-tjetri, aty nga viti 1957.

Ramadani nga konservator i Firences në burgun politik

Ramadani, i mesmi nga tre vëllezërit Sokoli, lindi në qytetin e Shkodrës në vitin 1920. Shkollën fillore ai e kreu në vendlindje në vitet 1927-‘31 dhe që në klasën e dytë ai mësoi notat e muzikës duke luajtur në disa vegla muzikore. Shkollën e mesme ai e mbaroi në gjimnazin e shtetit në vitet 1931-‘39 po në atë qytet. Pasi mbaroi gjimnazin me rezultate të larta, ai fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur Konservatorin e Firences në Itali për Flaut e Kompozicion. Gjatë periudhës së studimit në atë konservator, Ramadani kishte një shoqëri të madhe me Qemal Stafën, Kristaq Tutulanin, Qemal Dracinin, për të cilët deri në fund të jetës ai ruajti kujtimet më të mira të asaj kohe të shkuar. Për shkak të luftës, në vitin 1944, Ramadani i ndërpreu studimet në atë konservator dhe u kthye në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër. Në atë kohë ai u përla nga vorbulla famëkeqe e luftës së klasave, e cila e përplasi birucave të improvizuara të burgjeve të Shkodrës e kënetave të Bedenit në rrethin e Kavajës. Në këto ambiente, Ramadani, do të fillonte për herë të parë njohjen me ajkën e inteligjencës shqiptare, të cilët sipas tij do të bëheshin profesorët e një universiteti tjetër. Lidhur me këtë, ai shprehej: “Bash në rrethana të tilla, kur isha i burgosur politik, kam filluar të merrem me folklorin. Meqë disa nga bashkëvuajtësit që ndodheshin aty ishin bartës të zgjedhur të folklorit, përfitova nga rasti për të vjelë prej tyre lëndë të vyer. M’u aty, duke hulumtuar visarin tonë kombëtar, të trashëguar gojarisht brez pas brezi, u binda se atdheu ynë është vend i zgjedhur për gjurmuesit e folklorit”, shprehej profesori i famshëm për zanafillën e profesionit të tij të ardhshëm. Pas daljes nga burgu, në vitin 1951, ai u vendos në qytetin e Tiranës, si për t’u shpëtuar disi kthetrave të luftës së klasave.

Peripecitë pas daljes nga burgu

Gjatë gjithë periudhës së burgut, Ramadani mundi të vilte prej shumë “kolegëve” të tij të qelive, një kulturë të madhe në fushat e folklorit e muzikologjisë, të cilat i shërbyen si lëndë e parë në hartimin e përpilimin e mëvonshëm të dy teksteve shkollore që do të bëheshin “patenta” e tij në rrugën e saponisur të etnomuzikologjisë. Pas vendosjes në Tiranë, i vetëm dhe pa asnjë lloj përkrahjeje, duke shtrënguar fort nën sqetull dy librat e sapopërfunduar, ai trokiti nëpër dyert e administratës shtetërore, duke kërkuar ndonjë punë që kishte të bënte me muzikën. Nga mungesat e mëdha të kuadrit mësimdhënës, kryesisht të atyre të muzikës, ai arriti të punësohet në Filarmoninë Shqiptare. Në këtë punë ai shërbeu për pak kohë deri se u mor vesh biografia e tij si “armik i klasës” dhe u pushua shpejt. Pas kësaj, mbas disa ndërhyrjesh ai mundi të rifillojë punë në kryeqytet si drejtues muzike në Shtëpinë e Kulturës nga viti 1952 deri në 1954 kur u pushua përsëri. Me mundime të mëdha ngaqë kishte shumë nevojë për kuadrin mësimor të muzikës, ai u rregullua si mësues në Liceun Artistik në Tiranë. Në këtë shkollë Ramadani punoi pa ndërprerje në mes peripecish të shumta derisa doli në pension në vitin 1980. Gjatë gjithë këtyre viteve Ramadani u mor pa ndërprerje me studime në lëmin e muzikologjisë dhe folklorit, duke arritur të bëhet një nga personalitetet kryesore dhe të vetmit në këtë fushë. Në Liceun Artistik, Ramadani ka dhënë një sërë lëndësh të ndryshme si flaut, folklor muzikorë, harmoni, histori muzike, teori solfezhi, muzikë dhome etj. Me nismën e tij u përfshi në programin mësimor të shkollave të mesme dhe lënda e folklorit muzikor për të cilat ai hartoi tekstet përkatëse, të cilat studiohen akoma dhe sot. Në këtë lëndë, ai ka dhënë mësim dhe në Institutin e Lartë të Arteve për 10 vjet me radhë duke përgatitur dhe laboratorë përkatës tepër të pasur me instrumente të larmishme.