Përplasja për ndryshimet kushtetuese dhe listat e hapura, ambasadorja e SHBA dhe ai i BE-së i shkojnë Ramës në zyrë

 27 korrk 2020

Ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë ka nisur sot seancën plenare, të parën e një serie maratonë që do të mbyllet me hapjen e listave në 30 korrik dhe ndryshimet kushtetuese, sipas asaj që deklaroi vete kryeministri Rama, në godinën qeveritare kanë zbarkuar këtë paradite ambasadorja e SHBA-së dhe ambasadori i BE-së.

Gazetari i “Panorama”, Mariglen Kume, raporton se paraditen e sotme ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ai i BE-së, Luigi Soreca kanë hyrë në Kryeministri, në një takim me të parin e qeverisë, Edi Rama.

Nuk ka detaje nga synimi i këtij takimi, që vjen, ndërkohë që në seancë plenare diskutohet raporti i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta, pas tërheqjes së shumicës nga shkarkimi, pas përfundimit se nuk ka kryer shkelje aq të rëndë për shkarkim dhe dy ditë para shqyrtimit të ndryshimeve kushtetuese.

Kujtojmë se kreu i shtetit, Meta dhe opozita jashtëparlamentare ka qenë e prerë kundër ndryshimeve kushtetuese të njëanshme.

Ndërkohë që diplomatët e huaj, përfshirë ambasadorët që janë sot pjesë e takimit me Ramën, kanë kërkuar nga palët t’i qëndrojnë marrëveshjes së 5 qershorit.