2 Nentor 2022

Sindikata e punonjësve të universiteteve shqiptare ka vijuar ditën e sotme me takimet mes tyre, për hapat që do të ndërmarin, në përfundim të afatit të vendosur ndaj qeverisë për rritjen e pagave.

Sot në orën 16:00 sindikata do të japë vendimin nëse do të futet apo jo në një grevë urie, ku pritet pjesëmarrja e 10 pedagogëve.

“Nuk duhet qeveria te vazhdoje me një dialog arkaik ku i shef sindikatat dhe profesariatin si armik. Ne jemi për një qasje të re por ky përshkallëzim po vjen si shkak pasoje e një monologu që po bën qeveria, një lloj shurdhërie, kur jemi vendi i fundit ne Europë për pagën mesatare te pedagogut dhe vendi i fundit ne Europe për financimin ne arsim”.- tha pedagogu Ardian Isufi.

Grevat për kryeministrin Rama janë për të kërkuar të drejta themelore, e jo për rritje rrogash.

“Grevë urie për rroga nuk bëjnë prindërit e këtyre të cilët me siguri shumica dërmuese i kanë të ardhurat më pak sesa SHIK-si që urdhrat i merr nga foltorja e baltës, por nuk bëjnë grevë urie. Greva e urisë është një institucion shumë i lartë përmes të cilit luftohet për të drejta shumë themelore, jo për rroga. Aq më tepër që në këto kushte rritjen më të madhe të rrogave e kanë pasur pikërisht pedagogët e universitetit.”- është shprehur Rama.

Ministrja e arsimit nga ana tjetër, në lidhje me këtë çështje thotë se tani është momenti për të qenë me këmbë në tokë.

“Unë besoj se duhet te jemi me këmbë në toke. Pedagoget meritojnë më shumë, po afati edhe mësuesit, zjarrfikësit, infermieret e mjeket. Qeveria ka detyrimin dhe përgjegjësinë që ta shikoje buxhetin ne një nivel makro dhe jo specifik sipas nevojave që mund te ketë një kategori e caktuar”.- u shpreh Kushi.

Sindikata ka deklaruar më herët se ka iniciativën e 10 pedagogëve për tu futur në një grevë ngujimi simbolike, të cilët do të jenë nga universitete të ndryshme, si ai politeknik, i arteve apo Tiranes.

Gazeta Sot