PD: Spekulime mediatike: – “Anëtarësia antiamerikane?”. Basha s’e ka thënë.

20 SHTATOR 2021

Në debatet e mbledhjes me dyer të mbyllura të Partisë Demokratike, disa media cituan përplasjen e Lulzim Bashës me Flamur Nokën, duke thënë se kreu i PD-së ka deklaruar shprehimisht se “nuk do të lejonte mbledhjen e asnjë forumi që mund ta nxirrte Partinë Demokratike si antiamerikane”.

Por, zyra e shtypit e Partisë Demokratike i quan spekulime këto lajme.

“Në lidhje me spekulimet që qarkullojnë mbi mbledhjen e sotme të Kryesisë së Grupit Parlamentar të PD-së, Partia Demokratike deklaron: Kryetari i Partisë Demokratike në asnjë moment nuk e ka etiketuar anëtarësinë, që është shpirti i PD-së, si antiamerikane. Ky është një trillim i qëllimshëm nga ata që prej kohësh keqpërdorin gjithçka për interesa personale”, thuhet në reagim.

“Z. Basha ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të jenë aleati i Partisë Demokratike për një Shqipëri të zhvilluar dhe demokratike dhe askush nuk mund ta cënojë aleancën dhe partneritetin mes Partisë Demokratike dhe SHBA-ve”, mbyllet deklarata e PD.

Gazeta Shqip