PD kërkon Jozefina Topallin nga Shkodra. Pritet të flasë Jozi

04/07/2020

Lulzim Basha me gojën e Gazment Bardhit lëshoi sinjalin se Jozefina Topalli do të jetë kandidate për deputete në Shkodër, bile nisur nga kontributet e saj, ajo do jetë e para në listën e Shkodrës.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka qenë në Shkodër ditën e sotme (4 korrik), teksa po zhvillohet procesi me strukturat për propozimet për kandidatët për deputetë.

Bardhi u shpreh se secili anëtar do ketë mundësi që me parimin një anëtar një votë, të zgjedhë përfaqësuesit e vet politikë në nivelin qendror dhe lokal.

Bardhi tha se dera e Partisë Demokratike është e hapur për Jozefina Topallin, duke thënë se ajo ka qenë një zë me kontribut në parti.

Gazment Bardhi deklaroi: ”Padiskutim. Zonja Topalli është anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së. Ka qenë për 8 vite kryetare e parlamentit. Është një zë që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në Partinë Demokratike, por ka marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga demokratët dhe PD.”

PD e lëshoi sinjalin jeshil dhe pret Topallin. Topi mbetet në fushën e saj, pasi ajo nuk mund të heshtë kur PD e thërret për të qenë në skenë dhe në duel me pushtetin e Edi Ramës.

Gazeta Koha e Jone