Paul Kreçmer (1866-1956) ka qenë profesor në Universitetin e Marburgut i gjuhësisë krahasimtare, më pas në Universitetin e Vjenës. Më 1896 botoi veprën “Einleitung in die Geschichte der griechischen Sprache” (“Hyrje në historinë e gjuhës greke”). Në këtë vepër pioniere ky dijetar i kushton mbi 40 faqe ilirëve dhe rolin e tyre në hershmëri.

Kreçmer flet për simbiozën në universin mitologjik midis ilirëve dhe grekëve. Ai shkruan: “Kështu në qoftë se është vërtetuar pikëpamja e shprehur më sipër, se fiset ilire dhe fiset veriperëndimore greke ishin përzier me njëri-tjetrin, largësia gjuhësore midis tyre nuk ka qenë aq e madhe sa më vonë; megjithatë qysh atëherë midis dy grupeve fisnore ekzistonte një kontradiktë e dukshme kombëtare ose pikërisht në atë periudhë u krijuan kontakte armiqësore: dhe për këto kontradikta jemi të vetëdijshëm. Epiri është vendi ku lindi emri i grekëve.

Ardhësit ilirë patën nevojë që kombin e huaj që u kishte zënë rrugën ta quanin me një emër të përgjithshëm dhe i dhanë atij emrin e njërit prej fiseve të tij, të grekëve, të cilët u shtynë nga Epiri dhe dolën rishtas në Oropos, në kufirin atik-beotik. Këtë emër e morën me vete fiset iliro-epirote që, përmes detit emigruan në Itali, e, në këtë mënyrë e mori perëndimi ku ende sot mbizotëron ky emër që u çua aty shumë kohë para se emri “Ελληνες të fitonte vlerë të përgjithshme edhe ndër vetë grekët.

Po këta fise u kanë sjellë edhe popujve italikë figurën e sagës së Odisesë; sepse forma fonetike e latinishtes Ulixes, Olixes tregon qartë se romakët e njohën së pari Odisenë, jo nëpërmjet eposit jonian. Gjuha mesape kishte një spirante që nga romakët paraqitej herë me x, herë me s, nga grekët me ζ dhe σ kurse në vetë shkrimet mesape jepet me I dhe para t me X ose Σ: gjinorja njëjës e Dazet (me Δαζιμος, Δαζουπος, Dases, Dassius etj. me rrënjë të afërt), do të shkruhet herë ΔΑXTAΣ, herë ΔΑΣΤΑΣ. Alfabeti venet për këtë tingull ka një shenjë të veçantë, që haset dhe në mbishkrimet kelte kurse në shkrimin latin shprehet me x, xx, xs, c, ss, s. Pauli (Veneter, f. 154 ff) ka folur shumë hollësisht për këto marrëdhënie e i ka dhënë këtij tingulli irracional vlerën e një š-je.

Edhe l e Ulixes flet për një burim joepik. Tani ne dimë nga mbishkrimet se athinasit, beotët, korintianët heroin e quanin ‘Oλυσσεύς ose ‘Oλυττεύς e jo ‘Oδυσσευς… Sipas Quintil I 4, 16, edhe eolisht duhet të ketë qenë Olisseus (Jordan, Krit. Beitr. zur Gesch. d. lat. Spr. f. 39). Kështu të krijohet përshtypja se forma ‘Oδυσσεύς i takon vetëm eposit jonian dhe ka dalë nga një origjinal ‘Oλυσσεύς, duke gjetur një mbështetje etimologjike popullore te óδύσσεσδαί “zemërohem me dikë”, me të cilin, siç dihet, e prezanton Poeti.

Mundësia tjetër, që λ të ketë lindur fonetikisht nga δ nxjerr vështirësi: sepse ky shndërrim fonetik jo i jashtëzakonshëm është i huaj për gjuhën greke, po të mos marrim parasysh λάφνη, δαφνη (Hesych) pergeike. Helbigu (Hermes 11, 281) tani natyrisht e ka kërkuar prejardhjen e mitit të Odisesë në fiset barbare ose, sipas tij, gjysmëbarbare të perëndimit grek; këtë hipotezë e kam besuar edhe unë. Në këtë drejtim dëshmojnë dhe disa fakte të tjera, përveç atyre gjuhësoreve. Odisea kishte një orakull në euritanët jogrekë; Wilamowitz (Hom. Unt. 188 ff) ka dëshmuar për lidhjet e tij të ngushta me tesprotët, rolin e rëndësishëm që duket se ka luajtur saga e tij në brendësi të Epirit. Saga e Phaiakes është epirote, sepse Σχερίη, që rrjedh nga σχερος “kontinent” e do të thotë “tokë e thatë, stere” është sinonim me “Hηειρος dhe një qytet i Kaonisë, quhej βαιάκη (Hekateu të Stefan Bizantini s.v.) i formuar si ‘Iθάκη, me B jogreke për φ (nga bh), d.m.th. një emër që nuk është lokalizuar këtu aspak nën ndikimin e eposit.

Tani mundet që shndërrimin fonetik nga δ në λ t’ua atribuojnë fiseve iliro-epirote duke iu referuar λάσίμος (piktori i një amfore nga Canosa), në qoftë se ky është i njëjtë me emrin Δάσιμος. Megjithatë unë e quaj të besueshme hipotezën se “njëra nga figurat më vitale të sagës heroike greke” të ketë ardhur nga popujt barbarë, dhe në qoftë se nuk dinë asgjë për këtë vetë grekët, të cilët, p.sh., megjithatë, nuk e kanë harruar kurrë plotësisht prejardhjen trake të kultit të Dionisit. Këtu detyra jonë nuk është që të hetojmë më tej çështjen ende të pazgjidhur të mitit të Odisesë. Emri i Odise-Uliksit u desh të sillej këtu vetëm si një dëshmi e vlefshme e rolit ndërmjetës që kanë luajtur emigruesit ilirë midis siujdhesës ballkanike dhe apenine.”

Paul Kreçmer bën kështu një analizë novatore me një monument madhor të botës së herëshme siç janë epet e Homerit, ose që konvencionalisht quhet si të Homerit.

Teza se forma Uliks është përcjellë tek popujt e Europës perëndimore nëpërmjet ilirëve tregon se eposin homerik ilirët e njihnin si kulturë orale, ndonëse jo në formë shkrimore. Odiseu i shqiptuar si Uliks u njoh sipas modelimit fonetik, morfologjik të ilirëve. Vepra e Jemes Joyce-it u quajt “Ulisi”, jo “Odiseu”. Kjo do të thotë se ilirët (mesapët, japigët) përtej detit Jon dhe Adriatik e përcollën tek popujt e tjerë formën e tyre Uliks dhe mbase në konkurrim me formën Odiseu, konkurrim, ose paralele, që mund të ketë vazhduar gjatë në shekuj, perëndimi europian sanksionoi përfundimisht deri në ditët e sotme formën ilire Uliks. Ky është një akt kulturor i klasit të parë ku ilirët paraqiten si përurues dhe negociator të njërit nga emrave më të njohur dhe më të paharrueshëm të qytetërimit botëror. Kjo dukuri vlen të studiohet pambarimisht. Kjo lidhet edhe me emra të tjerë të monumentit homerik, duke galvanizuar kështu terminologjinë antroponimike të emrave të heronjve dhe hyjnive mesdhetare në Europë.
Kreçmer beson se vetë kulti i Uliksit (Odiseut) është fermentuar në mjedisin ilir epirot. Jo vetëm si mendësi dhe praktikë kultike por edhe si substancë linguistike.

Paul Kreçmer nënvizon:

“Për fiset ilire që u vendosën në Epir ne dimë fare pak gjëra e për gjuhën e tyre thuajse asgjë. Emri i mbretit të agrejve Σαλύνθιος (Thukid. III 111, 114, IV, 77) të kujton emrin e vendit ilir Salluntum (Itin. Anton. f. 338. 8) dhe salentinët tarentinë, Krahaso dhe ilir Σαλλας. Nga ilirët vjen, mbase, dhe asimilimi në emrin e lumit “Aραχθος (Ptolem. III 14, 6, Liv. 43 21): “Aρραθθος (I.v. Korkyra, IGA. 343) “Aρατθος (Polyb. 21.26,4. Strab VII 325 Aratus (Plin. IV 4), Arethon (Liv. 38.3). Që shndërrimi nga kt përmes ht në tt ishte një shndërrim ilir ne mund të bindemi 1) nga shqipja natë, lit. naktis; pesë, sanskr. pankti (G. Meyer Alban. Stud. III 5) 2) nga istrishtja Nesattium (Liv. 41,15), Nesatium (Plin III 127) Nέσακτον (Ptolem. III 1, 27). 3) Nga venetishtja rehtiia, të cilën Pauli (Die veneter, f. 556) e shpjegon bukur si emrin e një perëndeshe Rectia.

Në një rrugë tërthore ne mund të krijojmë edhe njëfarë përfytyrimi rreth gjuhës së ilirëve që u vendosën në Epir. Këta fise, të cilët nevoja ose dëshira për pushtim i shtyu të sulen nga trojet e tyre veriore në drejtim të jugut edhe në krahinat në perëndim të Pindit e të Oetas nuk gjetën hapësirë të mjaftueshme. Shtrirjen e tyre të mëtejshme drejt Lindjes e penguan jo vetëm vargmalet e egra dhe të kalueshme e të parrugët, por edhe më shumë popullsia e dendur e krahinave të atjeshme, në të cilat kishin vërshuar fiset greke, që tanimë ishin zhvendosur nga perëndimi, tesalët, beotët, dorët.

Kështu ndërroi drejtimin rryma e emigruesve ilirë nga ana e perëndimit përmes detit drejt bregdetit italian të përkundrejt. Këto dukuri nuk ishin aspak të panjohura për autorët romakë. Daunusi, eponimi i daunëve të Apulisë, përshkruhej si një ilir fisnik, i cili, për shkaqe politike kishte lënë atdheun e tij dhe kishte gjetur një atdhe të ri në Itali (Paul, Dac, f. 48 Th.d.Pon). Salentinët duhet të kenë paelignët, që nën udhëheqjen e mbretit të tyre Volsimus, i quajtur edhe Lacullus, kishin ardhur nga Iliria (Paul. Diac. f. 278).

Këto të dhëna u vërtetuan nga dy fakte: së pari, nga përputhja e emrave të fiseve dhe të vendeve në të dyja anët e detit Adriatik dhe nga kthimi i një numri të madh emrash vetjakë ilirë në bregdetin lindor të siujdhesës apenine. Pikërisht Helbigu (Hermes XI 1876, f. 257 ff) ka meritën t’i dëshmonte me ngulm dhe të vlerësonte nga pikëpamja historike këto fakte. Para së gjithash ai lidhi japigët italikë me japodët ilirë, të cilët Hekateu (tek Stefan Bizantini ‘Iαπυγία) i quan edhe japigë. Edhe në anën italike shfaqet forma-d në umbr. Japuzikum, Japusco, Jabuscom, në tabelat iguvinike (Bücheler, Umbrica, f. 95), ku bëhet fjalë që të huajt, ndër ta japudët, t’i largojnë nga turma. Këmbimi i formës së rrënjës në ‘Iάποδες: ‘Iάπυγες ka një paralele në κλάFιδ – “kyç”; dor. κλάικ (Theokrit) dhe όρνιθος: όρνιχος. Kaonëve të Epirit u përgjigjen Χώνες në Siris, galabreve dardanë, thellë në brendësi të Siujdhesës Ballkanike (Strab. VII 316) Calabrët italikë, salentinëve vendi dalmat Salluntum (Itin. A, t. 338) etj. Në të dyja anët e detit Adriatik hasen emra qytetesh me –nt dhe –t- në –ntum, -etum etj., si Tarentum τάρας Hydruntum, Υδροϋς Uzentum, Sipontum në bregdetin ilirik, Neretum, Aletium në Kalabri. Epetium në Dalmaci, βουχέτιον në Epir. Këta shembuj nga masa e përputhjeve të tilla, të mbledhura nga Helbig Kiepert etj., mjaftojnë për të përcaktuar faktin në përgjithësi; në hollësitë e tyre ne do të hyjmë më vonë.

Jo më të pakta janë edhe përputhjet në emrat vetjakë, të cilët, janë dëshmuar sipas Helbigut (Herm. XI, 269) sidomos Deeckes (Rhein. Mus. vol. 36 e 37) dhe Paisit (Storia d’Italia I 360): Dasius, Dasimius, Blattius, Trosius ose Τρωσαντιος, Artus, Artorius etj., gjenden të njëjtë krejtësisht ose në rrënjë, si në bregun ilirik dhe në atë italik të Adriatikut.

Një argument tjetër dhe të fuqishëm për shtegtimin e fiseve ilire në siujdhesën italike sjellin mbishkrimet e Kalabrisë të shkruara në një gjuhë jogreke dhe joitalike që u është njohur pa dyshim me të drejtë, mesapëve që banonin aty. Në këtë mënyrë ne vijmë në problemin që na ka interesuar në radhë të parë në çështjen e gjuhës së ilirëve dhe popujve të afërt me ta që trajtuam deri tani.”

Kreçmer jep kështu një tablo shkencore, ku vërtetohet se ilirët e gadishullit të tyre dhe ilirët e gadishullit apenin, sidomos në Italinë e Jugut (mesapët, japigët) kishin sanksionuar emrat e tyre, të qyteteve, emrat gjeografikë. Pra deti Adriatik qe në një farë mënyre det ilir.
Dukuria shtegtuese por edhe kolonizuese ilire në bregun italik është tejet e rëndësishme, por gati asnjëherë e studiuar seriozisht. Mjedisi i tyre gjuhësor (ilir) ka qenë i suksesshëm dhe rezistues. Aq më tepër se ilirët e Italisë së Jugut kanë kultivuar shkrimin, pra ishin popullsi shkrimbërëse, një shkallë e lartë e qytetërimit. Ilirët kanë patur shkrimet e tyre, janë mijra mbishkrime mesape, që ende nuk janë zbërthyer, por që nuk do të thotë se nuk do të zbërthehen një ditë.

***

Linguisti i madh italian Vittore Pizani njohës i thellë i monumenteve epigrafike mesape (janë disa mijra mbishkrime të ilirishtes mesapike me scripta continua) në studimet e tij jo vetëm e mbron dhe e argumenton ilirisinë e mesapëve dhe japigëve në jugun e Italisë por ka arritur rezultate të admirueshme në disa ekuacione linguistike si dhe të rrafshit mitik e sakral. Për Pizanin ilirët në Itali kanë qenë ndërmjetës kulturorë e gjuhësorë me popujt e tjerë italikë.

Pizani thekson se “Emri Graeci për “Ελληνες” do të kenë qenë në origjinë tamam i një pjese të ilirëve, të cilët u bënë dorë, dhe ka shërbyer pastaj për të emërtuar të gjithë grekërit, disi ashtu sikundër ka ngjarë me gjermanët e këtej Rinit. Dhe kjo më hynte në punë për të shpjeguar korespondimet me karakter politik e social ndërmjet Romës e Spartës dhe dorëve në përgjithësi, siç është ndarja në tri tribu, diarkia, gerusia dhe senati. Ky i fundit është për nga emri një kalk i përpiktë i gerusia-s.

Këto fakte na tregojnë se ilirët që kanë ardhur në Italinë jugore nëpërmjet Adriatikut, jo vetëm që kanë zënë vend aty si mesapë, daunë, peucezë etj., sikur dihesh edhe nga të lashtët, por me disa depërtime kanë shkuar aqë sa të përbënin një nga elementet etnike nga të cilat është formuar Roma shumë e lashtë, disi po ashtu si indoevropianët e arritur në Mesapotami dhe në Azinë e Vogël, një pjesë kanë formuar perandorinë hitite dhe formacione të tjera shtetërore, në të cilat dialektet indoeuropiane janë bërë gjuhë kombëtare, një pjesë tjetër ka lënë vetëm gjurmë ndër emra dinastikë ose të ngjashëm.

Ndoshta fenomenet që kam çekur gjer tani, që të gjitha ose në një pjesë të madhe, lidhen me një periudhë të parë vërshimesh. Ndër ato fenomene mund të numërohet edhe formimi i një perfekti ose aoristi të dobët me v, siç e kemi gjetur në mesapishten dhe në shqipen dhe siç e gjejmë në perfektet latine të tipit amavi. Ato fenomene tek të cilat po drejtohemi tani, i duhen atribuuar më fort një periudhe të dytë, me anë të përhapjes nga territori në të cilin Ilirët e imigruar ishin vendosur qëndrueshmërisë duke imponuar aty gjuhën e tyre. Ky imponim gjuhësor i ilirëve mund të dokumentohet me mjete të mirëfillta gjuhësore.”

Pizani i jep rëndësi një njësie leksikore që lidhet me emrin “bir” (femërore: “bijë”) që në latinisht është “filius”. Ja ç’thotë Pizani:

“Karakteristikë kryesore e këtij tipi isoglasash është fjala për “bir” dhe “bijë”. Në mesapishten gjejmë bilia, biliva për femëroren, beiliihi gjindore për mashkulloren, me këtë lidhen kallëzorja faliske fiom, fiom-i kallëzore e picenishtes jugore dhe venetishtja filia, më në fund latinishtja fillus, filia. Për këtë të fundit akoma mësohet ndër manualet se duhet krahasuar me letonishten dēls ‘bir’ dhe se i takon rrënjës dhē– ‘allatare’ (-tajis, ushqej me qumësht gjini) edhe pse dalja e i-së në vend të e-së së pritur, përbën një vështirësi të vogël. Dhe për të mbrojtur këtë mendim, citohet umbrishtja suf feliuf. Por feliuf thuhet për dosat që u japin qumësht (derkucave) dhe prandaj nuk na jep një lidhje të drejtpërdrejtë.

Duke parë pikërisht përhapjen e fjalës edhe në mesapishten, b e së cilës mund të çohet te një buzore (labiale) dhe jo të një dhëmbore, duhet me vend të mendohet për një fjalë ilirike me një spirante të zëshme fillestare, që ka kaluar në spirante të pazëshme, si në rastet e fascis, fascinum, flagitium e Faunus që trajtuam më lart. Për sa i përket fjalës mesapike ajo është vërtetuar me origjinë ilire nga shqipja me fjalën e saj bir shm. bilj e bij femërore biljë e bijë. Siç dihet, që më parë Stier dhe Gustav Meyer kishin menduar për këtë fjalë me prejardhje nga fjala që greqishtja tingëllon φϋλή dhe që duhej të ekzistonte në ilirishte, krah. Τριβύλιον toponim ilirik që i përgjigjet Tριβιλία të Elidës.

Një krahasim duhet bërë me gjinoren mesapishte bollihi që sipas mendimit tim, Otto Haas me të drejtë e ka përkthyer filii: këtu o-ja është shkruar si zakonisht për u, dhe tregon në një dialekt ruajtjen e ū-së së gjatë që gjetiu, sigurisht nëpërmjet të u-së, ka dhënë i si në shqipen: është forma me ī që është përhapur ndër gjuhët e lashta italike, për të cilat u fol. Dhe kuptimi i filius, ose më mirë i prototipit të tij ilir, është e qartë: është fjala për bijt që i përkasin φυλή të sunduesve, pikërisht sikundër liberi ‘fijtë’ latinë janë në kundërvënie me vernae, ελεύδεροι që i përkasin leudho– “popullit” (khs. slav. ljudŭ, lituanishtja liáudis, anglosaksionishtja leod etj. kuptohet për të lirët që përbënin klasën sunduese. Nuk është pa interes fakti se, qoftë në tipin filius, qoftë në atë të liberi, ndeshet i njëjti koncepsion që ka vënë një fjalë të re në vend të fjalëve të trashëguara, të përfaqësuara me sanskrishten putrás dhe sūnus – duhitr, slv. synŭ – dŭšti, grek. νίός-δυγάτηρ etj., dhe kjo në një pjesë të territorit të lashtë italik ku në anë tjetër, oskishtja ruan ende termat indoeuropiane të sajat puklo- e futir.

Territori i përhapjes së isoglosës “filius” përbëhet prej Laciumit (latin e falisk) për të cilin kemi parë më parë lidhjet e lashta me botën ilire-mesape dhe për më tepër prej Picenit dhe Venetisë që dalin në Adriatik dhe që prandaj marrin pjesë në takimet që vendoste lundrimi në këtë det ndërmjet vendeve bregdetare: në lidhje me këtë, kam folur në një rast tjetër për një nënlidhje përbrenda lidhjes gjuhësore italike, këtu do të flisja në mënyrë më figurative për një trevë filius.”

Pra, isoglosa “filius” është i sferës familjare, njerëzore. Nëse kjo njësi leksikore e gjithëmbarëshme e latinishtes është refleks i një fjale të mesapishtes ilire tregon raporte tejet të herëshme pikërisht në rrafshin gjinor, antropologjik.

Nëse mesapët (edhe japigët) kanë ndikuar kësisoj në territorin linguistik italik nuk duhen harruar edhe ndikimet në dimensionin mitologjik të lashtë. Pizani thekson gjithashtu:

“Një rëndësi të veçantë kanë, sipas mendimit tim, të tilla ekuacione në fushën sakrale. Nëse ana që i paravihet emrit Aprodita është, siç duket, e njëjta gjë me lat. Anna që i paravihet Perenna-s, mund të jetë fjala ndoshta për mbeturina kultesh që përpara arritjes së indoeuropianëve në Itali; Venas, e njëjta gjë si lat. Venus, që del edhe në Fευζει μεfιτι të Rossano di Vaglio pranë Potencës, është, me siguri indoeuropiane dhe pikërisht hyjnizimi i një neutri që tregon dëshirën dashurore (sanskr. vánas) dhe mund të jetë përhapur si një emër hyjnor prej Romës; hyjneshat e fatit, Logetibas (dhanore shumës) në një kushtrim të Alezios i përgjigjen Λάγεσις siciliane, grekes Λάγεσις, njëra nga Parkat, dhe duket se ishin pikërisht të Italisë Jugore: mbi origjinën e tyre, nëse është greke ose jo, pak gjë mund të themi, sepse është e errtë origjina e λαγάνειν; ndoshta, meqë është raporti χ dhe g, mund të mendohet se bëhet fjalë për hyjni veriballkanike të sjella në Greqi nga ilirët e dorizuar, në Itali nga mesapët dhe farefiset e tyre ilire.

Në mbishkrimin që R. Arena e ka interpretuar drejt si të përbërë nga dy formula, njëra greke dhe tjetra mesape, dua të them αρτος, ατοπος ται δ(ε)οι γυναχηαι ‘A.A. hyjneshës Γ’, dhe πενσχλεν δυγαFη’ përgatiti gjëkafshë, kjo gjëkafshë, πενσχλεν, është si një kishës dhe kjo termë është për mua identike me umbrishten persolo, perklum të “sacrufucium”, me oskishten pestluon tempull me formim regresiv në marsikën pesco “tempull”, që gjendet në toponime të shumta të ditëve të sotme në Italinë jugore, të cilat fillojnë me Pesco-. Ajo rrjedh nga persk- temë tani e së tashmes në rrënjën perk- / prek – pregare – me lute me prapashtesën –klo nga tlo-: fjala është padyshim me origjinë osko-umbre, dhe në mesapishten ka pësuar disimilimin e likuideve r- l në n- l. Isoglosa është interesante sepse ndoshta është e lidhur me një huazim sendesh, qoftë një trajtë e veçantë tempulli, qoftë edhe vetë përdorimi i tempujve për kultin hyjnor, apo gjëra të ngjashme. Në këtë rast ajo mund të hyjë në të njëjtin kapitull me temën tabara- “prift, priftëreshë” që mund të analizohet në ta- parafjala, që pamë se i përgjigjet shqipes te-k, dhe –bara- nga rrënja bher- “me sjellë, me bajtë” jo vetëm natyrisht e greqishtes φέρω lat. feró, etj. por edhe e shqipes –bie e formuar, prandaj me elemente patjetër ilire.

I përgjigjet tamam umbrishtes ars-fertur “prift”, nomen agentis të fer- paraprirë nga ars- baras me lat. ad, duke pasur shumë të ngjarë të jetë një kalk i termës osko-umbre. Akoma; kemi ndeshur fjalën prespolis që e kemi kuptuar si άρχιερεύς duke parë në gjymtyrën e saj të dytë një –poli- baras me lat. potis etj.; elementi i parë pres- kthehet në indikacionet e hierarkisë priftërore, në sanskr puróhitas nga puras-hitas, fjalë për fjalë “i vënë në krye”, që tregon kapelanin (priftin) e oborrit, priftin që është në krye të një familjeje etj., unë nuk njoh korespondime të sanskr. puras me përdorime të tilla, me përjashtim ndoshta të greqishtes πρέσβυς, por që ka vlerë laike, edhe substancialisht në homerishten “Ηρη πρέσβα δεά”: preba, thënë për nder të Vivias, vdekjes së së cilës i është besuar defixio e famshme për t’ia sjellë Cereresit, është i njëjti epitet, sigurisht me qëllim lavdërues.

Por nëse Petiedia, së cilës i është kushtuar mbishkrimi i madh funeror nga Korfini; cerfum, sacaracirix semunu, dhe kjo d.m.th. ‘Cererum sacordos Semonum’ madhnohet si pristafalacirix prismu, d.m.th. “antistikaprima = kryepriftëreshë” në termin teknik pristafalacirix gjejmë të njëjtin element pris- që padyshim është përdorur për të treguar funksionin e lartë të kësaj priftëreshe, të krahasueshëm me atë të Virgo Vestalis maxima. Edhe këtu kemi së paku pjesërisht një kalk të termës oske?”

Kuptohet që situata gjuhësore ka karakter sinkretik. Bëhet fjalë për nocione të zanafillës dhe praktikave të herëshme sakrale.

Në formësimin e strukturës mitologjike të gadishullit italik procesi i konvergimit është i ndërlikuar, ka funksionalizuar ndërthurja e shumëanëshme. Janë gjuhët që janë ndërthurur në marrëdhënie shoqërore. Pizani shton:

“Meqenëse në gjuhët e Italisë pararomake bën pjesë edhe greqishtja e kolonive helene në Magna Graecias, do të ishte rasti tani të shihet nëse kanë ngjarë dhe në ç’masë kanë ngjarë influkse të kësaj greqishtjeje mbi mesapishten ose të mesapishtes mbi greqishten: por kjo do të na shpinte shumë larg. Do të çek vetëm shkurtazi dy fakte: njëri ke, lidhëze, që unë kam diktuar e nxjerrë në disa mbishkrime mesapike dhe që mund të jetë nga greqishtja und; tjetri lai- në laudehiabas, pas mendimit tim një kompozitë e dehia- “dea” e njëjtë me sanskr. deví etj., me një parashtesë lai- analoge me shqipen la- ose lë-, l- me vlerë përforcuese ose shformuese (sh. La Piana, në “Albania Nuova” V, 2. 1957), me le- “mezzo = gjysmë” të slav. lĕ zĭvŭ ήμιδανής (me saktësi: “gjysmë gjallë”), me λαι- ose λα- “përforcuese” për të cilën Sh. Frisk në fjalorin e tij etimologjik grek., vëll. II, kështuqë kushtimi laidehiabas logetibas do të kuptohet “gjysmëhyjneshave Parke”: këtu mund të mendohet që origjina të jetë ilire dhe nga ilirishtja pjesëza të ketë kaluar në greqishten: vetëm, me anë të Dorëve, apo në Itali?

Shpresoj të kem vënë disa baza për studimin e një problemi veçanërisht të rëndësishëm dhe që do të mund të shtrihej edhe në dialektet e sotme të Puljes e të Salentit, aty d.m.th. të depërtimeve të ilirëve të ardhur nga Gadishulli Ballkanik në botën italike pararomake, duke kontribuar për formimin e asaj “latinishtje vulgare”, proteiforme që qëndron në themel të dialekteve jo vetëm italike por romane, një studim për të cilin do të mund të zgjidhej vargu i mesapikut Ennio i Rudiae, një nga poetët më të mëdhenj të literaturës latine:

“Nos sumus Romani, qui fuimus ante Rudini”

(Ne tani jemi romakë, që më parë qemë Rudinë)”

Disa mendime:

Pizani bën përpjekje të jashtëzakonshme dhe të stërholluara për rëndësinë e pranisë së ilirëve në Italinë e Jugut duke përdorur instrumentet gjuhësorë.
Por studimi linguistik, leksikor, morfologjik dhe sintaktik do të ishte i mangët pa studimin material arkeologjik. Në këtë rrafsh zbulimet dhe studimet e arkeologut italian Francesko D’Andria për kulturën nekropolitike të mesapëve dhe japigëve në Italinë e Jugut janë gjithashtu të një rëndësie substanciale, bazore dhe njëkohësisht një plotësim i domosdoshëm. Fjala vjen qarku i dallueshëm i mënyrave dhe dekoracionit të qeramikës mesape dhe japige flet në favor të një popullsie ilire që e konservon dhe e shtjellon traditën e vet në procesin e hapur të integrimit shekullor italik me popullsi të tjera etnike.
Ende mungon sinteza midis gjuhësisë dhe arkeologjisë për studimin e ilirëve në Itali, që gjuhëtarët dhe arkeologët të mos punojnë veç e veç por sëbashku bazuar në strukturën e kronologjisë për të dyja disiplinat për të njëjtin subjekt shkencor.

Nga: Moikom Zeqo.