12 Mars 2024

Ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith foli dje në Panairin “Investo në Veri”, i zhvilluar tek Piramida, në Tiranë.

Panairi ishte një forum i rëndësishëm, i cili bashkoi kompani prestigjioze që operojnë në Shqipëri me sipërmarrësit e rinj, duke i ndihmuar të hyjnë në tregun tejet konkurrues dhe të arrijnë sukses.

Ambasadori përmendi disa nga punët e kryera përmes programeve të mbështetur nga Mbretëria e Bashkuar, në veri.

Atij iu bashkua edhe ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja si edhe ministri i Shtetit për Qeverisjen Lokale, Arbjan Mazniku.
Në Kukës dhe Dibër, javën e kaluar, më shumë se 600 të rinj morën pjesë në panaire, për të eksploruar mundësitë në sektorë të ndryshëm, përfshi shëndetësinë, telekomunikacionin, turizmin, IT dhe sistemin e sigurisë, arsimin dhe ndërtimin. Edhe 30 kompani të tjerë morën pjesë sot në Tiranë.

Qeveria britanike do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin ekonomik në veri të Shqipërisë përmes programeve të ndryshme, të financuar nga Mbretëria e Bashkuar, si: “Perspektiva të reja”, iniciativat e Këshillit Britanik, partneritetin lokal edhe atë me Dhomën Britanike të Tregtisë, për të ofruar alternativa të reja për të rinjtë dhe për ta shndërruar këtë në një histori suksesi.

Gjatë fjalimit, ambasadori britanik tha se, “ne jemi të lumtur që e sjellim këtë përvojë sot në zemër të Tiranës, me një tjetër grup me mbi 30 kompani, universitete dhe drejtues të sektorëve të ndryshëm, për të diskutuar me partnerët dhe palët e interesuara se si mund të bëjmë më shumë në promovimin e punës sezonale, asaj në distancë, formimit profesional dhe krijimit të partneriteteve mes institucioneve arsimore dhe industrive, duke nxitur kësisoj kulturën e inovacionit dhe duke mbështetur sipërmarrësit e rinj”.