4 Gusht 2023

Brenda njerëzve të Sali Berishës ka alarm. Kjo shihet dhe nga kërkesat e tyre të papritura për dhunë. Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka bëri thirrje ditën e djeshme përballje me forcë deri në rrëzimin e kryeministrit Rama.

Deklarata e tij në një studio televizive erdhi kur u pyet nëse drejtuesit më të lartë të grupit të Rithemelimit do të marrin përgjegjësi për humbjen në zgjedhjet e 14 Majit. Paloka u shpreh se ka ardhur koha që deputetët e Rithemelimit të tregojnë se janë të bindur se dinë si të rrëzojnë Edi Ramën dhe për të zgjidhja e vetme është përballja me forcë me regjimin. “Përgjegjësia jonë përballë shqiptarëve është se duke njohur këtë realitet, jemi të bindur se me Edi Ramën kryeministër në Shqipëri nuk do të ketë kurrë zgjedhje. Por kjo nuk duhet të jetë një akuzë për ne, një justifikim, të hyjmë në zgjedhje e të themi se na i vodhën, kjo nuk duhet të vazhdojë më.

Ne ose përballemi me një qeveri që është kjo që është, që vjedh, që përdor gjithë mjetet që ka në dorë, paratë e pista, narkotrafikantët gjithçka për të marrë zgjedhjet, ne duhet të ndajmë mendjen. A do të përballemi ne me këtë realitet, me këtë qeveri. Si fillim duhet të themi po ne s’kemi rrugë tjetër. Duhet të përballemi me këtë qeveri dhe për mua përveçse përballjes me forcë me këtë qeveri nuk kemi zgjidhje tjetër. Nuk kemi tentuar ndonjëherë me forcë, me atë lloj force që them unë. Regjimet nuk rrëzohen as me protesta paqësore, as me djegie mandatesh, se ajo qe gafa më e madhe që bëmë.

Rama përfitoi bleu ata deputetë pasues që ishin aty dhe ndryshoi Kushtetutën duke bërë thuajse të pamundur që një  opozitë dhe ligjërisht të garojë në zgjedhje. Regjimi nuk rrëzohet me vota se nuk të lë të bësh zgjedhje. Me protesta të fuqishme tha Berisha dhe jam dakord”, tha Paloka ndër të tjera.

Gazeta Sot