OSBE “frenon” Ramën. I dërgon ligjet për Paketën Antishpifje. –

2shkurt 2019

Nisma e qeverisë për miratimin e një ligji të ri të cilësuar si paketa Antishpifje po monitorohet nga afër nga ana e OSBE-së nëpërmjet përfaqësuesit për Lirinë e Medias.

Sipas burimeve pranë Gazetës “Si”, zyra e OSBE-së në Vjenë i ka paraqitur analizën ligjore qeverisë në lidhje me dy ligjet që priten të amendohen nga ana e qeverisë shqiptare, ku parashikohet ndërhyrja në veprimtarinë e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe të Autoriteti i Mediave Audovizive.

Gazeta “Si” iu drejtua zyrës së OSBE-së për t’u njohur nëse kjo analizë ligjore i ishte paraqitur qeverisë shqiptare ose jo.

“Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias ka ndarë analizat ligjore me autoritetet shqiptare. Ne jemi duke punuar ngushtësisht me ta për këtë çështje. Qëllimi ynë është t’i ndihmojmë ata që të kenë ndryshime ligjore në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare lidhur me lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes”, reagon Adis Mustedanagić, përgjegjës i zyrës së Përfaqësuesit së OSBE-së për Lirinë e Medias.

Drafti nuk është bërë ende publik, por mësohet se sugjerimet e OSBE-së do t’i shërbejnë qeverisë në lidhje me mendimet e reja ligjore që synojnë të realizojnë.

Kryeministri Edi Rama ka shpallur nismën për të miratuar rregullat e funksionimit të medieve online (portaleve), duke iu nënshtruar rregullave si regjistrimin e detyrueshëm në Qendrën Kombëtare të Biznesit, apo dhe vendosjen e rregullave strikte, duke parashikuar vendosjen e gjobave të papërballueshme.

Duke i cilësuar median si kazan, Rama urdhëroi AKEP që të regjistrojë portalet e medieve në QKB, duke e paraqitur në një formë ultimatumi. Dhe mënjeherë AKEP nxorri urdhrin për regjistrimin e 44 portaleve. Një veprim i tillë solli dhe reagimin e menjëhershëm të OSBE-së, nëpërmjet Harlem Desir, zyrtarit të këtij organizmi për Lirinë e Medias.

“Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online”, deklaroi Désir.

o.j/dita