Bashkim Fino

Flet Bashkim Fino: – S’jam dakord me të gjitha emërimet e Ramës, por ai …-

Deputeti Bashkim Fino flet për problemet e brendshme në Partinë Socialiste dhe në qeverisje. Fino thotë se Rama duhet ta lexojë mirë duartrokitjen e Asamblesë kur shpalli Erjon Braçen zv.kryeministër. Në një intervistë për MAPO, ish-kryeministri mbështet rikandidimin e Veliajt, por deklaron se ai do diskutohet në parti si gjithë të tjerët. Kritikat e Dades ndaj Ramës, Fino: Arta ka të drejtë.

Bashkim Finon e gjejmë në zyrën e Komisionit të Ligjeve, ku sapo ka përfunduar mbledhja rutinë e së martës. Karrierën e tij politike në Partinë Socialiste e ka nisur si drejtues vendor i bashkisë Gjirokastër, për t’u bërë njeriu më i famshëm në vend në marsin e vitit 1997, kur presidenti i atëhershëm Sali Berisha e pranoi si Kryeministër të Pajtimit Kombëtar. Ai ia atribuon këtë ngjitje, një pritjeje me nderim që ai, kryebashkiaku socialist, i kishte bërë Presidentit demokrat në qytetin e gurtë. Qëndroi Kryeministër për pak kohë dhe që prej asaj kohe është deputet i PS-së. U ka rezistuar të gjitha ndarjeve dhe furtunave që kjo parti ka përjetuar në pushtet dhe në opozitë, madje dhe ndryshimit të kupolës së saj. Sot ai tregon për gazetën Mapo se çfarë po ndodh me Partinë Socialiste dhe me Rilindjen, në vitin e 6-të të pushtetit të Edi Ramës.

-Zoti Fino, po e nisim intervistën nga fusha e sportit, ku ju tentuat të hynit me kandidimin për në krye të FSHF-së. A ishte ky kandidim një tentativë për t’u larguar nga politika?

Jo aspak nuk ka qenë një tentativë për të ikur nga politika. Përkundrazi qe një hob i imi që e kam personal, që e ndjek futbollin në mënyrë të vazhdueshme, edhe tani pavarësisht asaj që ndodhi. Pra, ishte thjesht një iniciativë pozitive që unë doja të jepja një kontribut. Tërë idenë time e kam trajtuar publikisht në fushatën 10-ditore. Kisha menduar për të bërë ndryshime radikale për sa i përket futbollit. Kisha menduar për të afruar njerëzit dhe të mbushja stadiumet. Ndodhi ajo që ndodhi dhe jam në një proces gjyqësor ndërkombëtar për shkak se 66 anëtarë të Federatës qenë të palincencuar, të paregjistruar në gjykatë. Më vjen keq sepse vetë presidentët e klubeve duhet të marrin në dorë fatet e klubeve, sepse janë ata që investojnë, janë ata që bëjnë të mundur të ecë futbolli shqiptar. Federata është thjesht një organizatore e lojës dhe si e tillë realisht duhet të respektojë dhe të dëgjojë presidentët e futbollit të kategorive të ndryshme, dhe nga kjo pikëpamje, nuk mendoja se do të bëja një largim nga politika. Raste të tilla në Europë ka plot, kur personalitete, ministra, deputetë kanë kandiduar për kreun e federatës së tyre në futboll dhe i kanë mbajtur si funksione. Në rastin konkret ishte një dyluftim i pabarabartë, i padrejtë dhe i pandershëm. Unë kërkova limitimin e kohës së qëndrimit në krye të federatës. Një president nuk mund të rrijë tërë jetën.

-Të kthehemi në fushën ku luani aktualisht, atë të politikës. Duket se jeni ndër të paktët socialistë që u keni mbijetuar ndryshimeve, tani që kthimi i Partisë Socialiste në Rilindje është një fakt…

Unë nuk mendoj kështu. Mendoj se prurjet e reja i bëjnë mirë çdo force politike dhe zëvendësimi i brezave është i domosdoshëm edhe në politikë. Por, në politikë, sipas meje duhet të ndodhë pak më ngadalë në sensin që eksperienca që kanë politikanët e vjetër, jo në moshë, por në kohëzgjatje, është një investim i vyer për të rinjtë. Nga kjo pikëpamje, në politikë duhet të jetë pak më ndryshe se në fushat e tjera të jetës. Po të shikosh PS-në sot ka nga të gjitha moshat në përbërje të grupit parlamentar, në përbërje të drejtuesve në institucione të tjera të shtetit dhe qeverisë. Po të marrim Ramën për shembull, unë dhe ai kemi të njëjtën moshë biologjike, po mund të jem unë më i vjetër në parti, që do të thotë që ndihmesa që japim ne të dy në rastin konkret, por dhe të tjerë, është e nevojshme.

Në PS ka afrime të reja, por nuk mund të them që ka largime. Në funksionet politike të partisë jemi të gjithë, sepse nuk është vetëm grupi parlamentar, është asambleja dhe organe të tjera drejtuese. Nuk po flas këtu vetëm për ministrat apo zv.ministrat. Përfaqësimi politik, sidomos në grupin parlamentar, është gjithëpërfshirës. Përfaqësimi politik i grupmoshave në parti është i ndërthurur. Mund të ketë vërejtje për këtë, por për mua është e ndërthurur.

Si e lexoni qeverinë “Rama” që u prezantua këtë fillim viti?

Qeverinë e re e lexoj si një qeveri të bërë në rregull nga ana kushtetuese, e cila e përcakton qartë se përbërja e qeverisë është detyrë e Kryeministrit. Nga kjo pikëpamje, nuk kam të drejtë të komentoj anën kushtetuese të ndryshimeve. Por miratimi që i kemi bërë ne është politik dhe për sa i përket pjesës politike, mbase, personalisht mund të mos isha dakord. Por, mund të mos kem qenë dakord edhe me ekipin e mëparshëm. Megjithatë, jam i mendimit që kur ti bën një ekip dhe kur ke një skuadër, siç është grupi parlamentar apo Partia Socialiste, ajo është skuadra jote. Ti je kapiten i asaj skuadre, e ke zgjedhur vetë, e ke drejtuar vetë në këtë 1 vit e gjysmë parlament pas zgjedhjeve të 2017. Do të thotë që kjo përzgjedhje që ti ke bërë, është brenda skuadrës, janë këtu njerëzit që ti mund të ndërrosh gjatë lojës për ndonjë impuls të ri etj. Kjo është njëra pjesë që diskutojnë njerëzit dhe socialistët. Por kapiteni, që është kryeministri, mund të “blejë” lojtarë nga jashtë, e përsëri është e drejtë e tij. Kjo nuk do të thotë që pjesa që është këtu, është jashtë vëmendjes. Sepse, pa grupin parlamentar, qeveria “Rama2” nuk do të kishte jetë. Është grupi parlamentar që mban në jetë qeverinë “Rama2”, ashtu siç mbajti qeverinë “Rama1”, pra që do të thotë që të gjithë jemi pjesë e lojës. Bëra këtë krahasim për të thënë se mund të ishin edhe emra të ndryshëm për të konkurruar dhe për t’u bërë ministra. Por kjo është çështje e tij personale dhe i takon atij ta vendosë. Tani jemi në momentin që është bërë qeveria dhe po shohim si do të vejë puna e saj, dhe në bazë të kësaj do të gjykojmë.

-Zgjedhja është personale, por kostoja e qeverisjes nuk është personale, është dhe e juaja dhe e Partisë Socialiste. Çfarë do të bëjë grupi parlamentar për ta mbajtur në vëzhgim qeverisjen?

Natyrisht roli i grupit është shumë vendimtar. Është një rol monitorues. Ne kemi të drejtë të monitorojmë qeverisjen tonë, institucionet ligjzbatuese të qeverisjes dhe për të verifikuar ligjet etj.

Grupi mendoj se është filtri i fundit dhe diskutimi i fundit që i tregon pikën e kuqe kryeministrit kur gjërat në sektorë të ndryshëm nuk ecin mirë. Fakti që kryeministri çdo javë, çdo fillim jave, bën mbledhjen e kryesisë me ministrat, bën mbledhjen e grupit parlamentar për probleme politike të javës dhe atë që do të diskutojmë në seancën e së enjtes, pra tregon se nuk është lënë jashtë vëmendjes sepse ky do të ishte një defekt që nuk riparohej më. Në këtë kontekst, ne kemi gjithë të drejtën e Zotit, si grup, si socialistë të vjetër apo të rinj, të bëjmë vërejtjet dhe sugjerimet përkatëse që kemi për çdo ministër e çdo dikaster.

-Sa e keni zbatuar këtë të drejtë?

Vërejtjet dhe diskutimet kanë qenë shumë konkrete për çdo problem që ne si deputetë edhe shohim në zonat tona elektorale, hallet e njerëzve që ankohen etj. Ka patur përkrahje nga ana e qeverisjes dhe me platformën e bashkëqeverisjes që është një instrument shumë i gjetur. Bashkëbisedimi që Rama me ministrat kanë bërë në çdo njësi vendore, solli një impakt pozitiv sepse vuri para përgjegjësisë ministrat, por edhe drejtuesit lokalë me problematikën që kanë njerëzit. Vazhdimi në tërësi i bashkëqeverisjes ku çdo qytetar ka të drejtë të bëjë një ankesë dhe qeverisja i përgjigjet është shumë e duhur.

-Po njerëzit ankohen përgjithësisht për arsye ekonomike, për mungesën e mirëqenies. Si e shpjegoni që ka një diferencë të madhe mes arritjeve që shpall qeveria dhe realitetit të njerëzve?

Nuk mendoj se ka ndonjë kontrast të madh. Duhet të kuptojnë politikat ekonomike-financiare, me ato çfarë kemi premtuar dhe çfarë po bëjmë për t’i realizuar. Për shembull, ne kemi premtuar që në mandatin e parë heqjen e imputeve të TVSH për fermerët, por nuk e realizuam dot për shkaqet ekonomike, e realizuam në vitin e parë të mandatit të dytë. Kjo është një gjë shumë e mirë për fermerët. Kjo nuk do të thotë se me këtë mbaruan problemet, ka pa fund që duhet të zgjidhen në terren me investime në kanalizime etj.

Unë jam deputet në zonën e Lushnjës dhe çdo të premte bëj takime me banorët atje dhe në takime marr edhe drejtorin e zyrës së punës të qytetit dhe çfarë më rezulton; zyra e punës ka marrëveshje me gjithë biznesin e zonës duke bërë ndërlidhësen për t’iu gjetur punë njerëzve në sektorin privat. Ka nga ata që nuk pranojnë punë në privat, po duan në shtet, sepse mendojnë se në shtet e marrin rrogën duke punuar vetëm 2 orë, e të ikin. Pra, edhe këtu duhet forcuar shteti, administrata.

-Po vijnë zgjedhjet vendore, a mendoni se Partia Socialiste duhet t’i lexojë edhe si zgjedhje politike?

Zgjedhjet lokale asnjëherë nuk janë zgjedhje politike në kuptim e mirëfilltë të fjalës. Natyrisht që shprehin politikë, sepse, kandidatët në çdo bashki janë kandidatë të partive politike, por janë shprehje politike të një zone të vogël, jo e nivelit kombëtar. Nga kjo pikëpamje, janë më shumë teknike. Nëse arrin të gjesh një kryetar bashkie që jo vetëm ka stemën e partisë tënde, por tërheq vota edhe nga e djathta, edhe nga njerëzit që janë pa parti, do të thotë gjetje. Por, nëse unë gjej një lojtar politik partiak që marr vetëm votat e PS-së, do të thotë që nuk kam ditur të zgjedh. Besoj dhe jam i bindur që zgjedhjet lokale do të jetë një sukses për Partinë Socialiste.

-Do t’ia lini Ramës në dorë zgjedhjen e ekipit që do të kandidojë apo do të ndikojë dhe partia?

Për hir të së vërtetës, kur vjen puna për emrat e kandidatëve për bashkiakë, i kemi trajtuar në grup në vazhdimësi. Kam qenë shumë kohë sekretar organizativ dhe i pushtetit vendor në PS dhe Rama nuk merr asnjëherë vendime të minutës së fundit për kryetarët e bashkive. Ai e ka mendimin, por e konsolidon gjatë ditëve dhe muajve para zgjedhjeve, dhe diskutimi bëhet për çdo kandidat. Kemi një ose dy kandidatë potencialë, bëjmë sondazhet e nevojshme para se të vendosim. Rama nuk bën gabime të tilla në këtë pikë. Nuk mund ta krahasoj bërjen e qeverisë me këtë, sepse ka të bëjë me individë të cilët do të marrin vota në mazhoritar atje në terren, ndryshe nga 5 ministra që ai do të ndërrojë, sepse është grupi parlamentar që do t’ia votojë, se është mazhorancë. Të zgjedhësh një njeri pa bërë sondazhet e nevojshme, pa mbledhur strukturat e partisë dhe pa marrë mendimin e tyre, do të thotë të bësh autogol.

-Sa nga kryetarët aktualë mund të rikandidojnë?

Një pjesë e mirë e tyre mendoj se do të rikandidojnë. Natyrisht disa mund të jenë të lodhur, mund të jenë konsumuar nga koha apo nga mandatet, por asnjëherë nuk mund të thuash se mandatet e tepërta të kanë bërë dëm, sepse ka raste në botë që janë kryetarë bashkie nga 25 vjet për shkak të asaj që ata kanë bërë për qytetet e tyre. Mendimi im personal është se pjesa më e madhe e kryebashkiakëve besoj se do të rikandidojnë. Por rëndësi ka që vendimmarrja të ndjekë linjën që thashë më lart.

-Pse nuk e konfirmoni Veliajn paraprakisht? Pse hezitoni?

Unë jam një nga ata që e mbështes Erjon Velinë. Ka bërë gjëra të jashtëzakonshme. E meriton të kandidojë në zgjedhjet e tjera. Kanë folur shumë personalitet të PS-së për këtë. Nuk e kuptoj pse bëhet kjo zhurma në media për kandidimin e tij. Bëhet fare kot ky debat, sepse procesi i diskutimit brenda PS-së do të bëhet njësoj si për bashkitë e tjera.

-Kanë ardhur kritika për funksionimin e PS-së nga një kolege juaja e vjetër. Arta Dade u shpreh se në PS nuk ka zgjedhje dhe kjo do ta rrënojë atë…

Arta Dade është një nga luftëtarët e vërteta të PS-së, e vlerësoj mendimin e saj. Mund të ketë doza të vërteta dhe besoj se disa gjëra në PS, dhe në kongresin e ardhshëm duhet të ndryshojnë.

-Çfarë duhet të ndryshojë?

Problemi këtu nuk është i lidershipit, është i yni. Nëse lidershipi vjen në asamble diskuton e bën propozimet përkatëse na takon ne të flasim, të themi; s’jam dakord për këtë gjë. S’na ka thënë ndonjëherë Rama, (se këtu s’dua të bëj avokatin e tij), se nuk keni të drejtë të flisni. Të drejtën për të folur nuk ma jep Rama mua, as në mbledhje grupi, as në asamble. Problemi është i pjesës tjetër. Nëse kanë probleme, propozime, janë të lutur të flasin. Por, sipas mendimit tim, gjithmonë kur partia është në pushtet ka probleme të kësaj natyre. Sepse duke pasur pushtetin, bëhesh pak pragmatist në sensin që ‘ne jemi në pushtet, nuk kemi pse flasim’.

-A po e konsumon pushteti PS-në sepse historia shqiptare ka treguar se në mandatin e dytë partitë konsumohen nga pushteti…

Asnjë mandat nuk të konsumon nëse do dish ta menaxhosh pushtetin që merr. Nëse punon për njerëzit dhe i dëgjon ata në bazë të programit që je votuar, asnjë mandat nuk të konsumon. Pushteti të konsumon nëse ti nuk bën atë që u ke premtuar njerëzve.

-Si e shikoni emërimin e kolegut tuaj socialist Erjon Braçe në të parin post ekzekutiv për të në shumë vite jetë politike në PS?

Unë do ta komentoj me një batutë shumë interesante. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë e PS-së, kur Rama prezantoi qeverinë e re, e gjithë Asambleja ishte në heshtje varri. Dhe, kur në fund tha zv.kryeministër do të jetë filani, pati një duartrokitje në sallë. Kjo duartrokitje erdhi instinktivisht, dhe ishte një duartrokitje zemre politike socialiste, të cilën Rama duhet ta lexojë mirë. Rama duhet ta lexojë vërtet mirë atë duartrokitje të Asamblesë Kombëtare të PS-së për zgjedhjen e Erjon Braçes si zv.kryeministër. Një zv.kryeministër i goditur, i vonuar, i ardhur në qeverinë Rama, ku duhej të ishte më përpara.

MAPO