28 Maji 2023

Në qendër të Beograd, dhjetëra mijëra persona protestuan më 27 maj nën sloganin “Serbia kundër dhunës”. Kjo protestë u thirr nga opozita dhe është e katërta e këtij lloji që organizohet në Serbi, për të kundërshtuar përgjigjen e Qeverisë serbe pas dy sulmeve masive që ndodhën në maj në këtë shtet, kur u vranë 18 persona.

Për shkak të numrit të madh të protestuesve, rrethojat mbrojtëse të vendosura jashtë ndërtesës së Kuvendit serb u lëvizën, në mënyrë që protestuesit të mund të vazhdonin marshimin e tyre drejt ndërtesës së Radio Televizionit të Serbisë, shkruan REL.

Protestuesit janë dëgjuar duke brohoritur “dorëheqje” dhe “Vuçiç po largohet”. Pasi qytetarët u mblodhën para ndërtesës së Kuvendit serb, ata vendosën lule dhe nderuan viktimat e sulmeve me armë zjarri.

Protestuesit vazhduan rrugën drejt ndërtesës së transmetuesit publik dhe qëllimi i tyre ishte që ky televizion të raportojë për këtë protestë. Organizatorët bënë thirrje për protestë paqësore.

Protestuesit kanë një sërë kërkesash, përfshirë edhe shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Bratisllav Gashiq, dhe drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandër Vulin.

Ata po ashtu po kërkojnë që të ndryshohet trupi rregullator për mediat elektronike, mbylljen e tabloideve që propagandojnë dhunë dhe shkelin rregullat, si dhe marrjen e frekuencave kombëtare të televizioneve Pink dhe Happy.